Kandidati demokrat Joe Biden ka vazhduar të rrisë avantazhin. Sipas numërimit të votave, zoti Biden kryeson në Pensilvani me 21,705 vota (me 98% të votave të numëruara), në Xhorxhia me 4,134 vota (me 99% të votave të numëruara), në Arizona me 29,861 vota (me 90% të votave të numëruara), si dhe në Nevada me 22,657 vota (me 87% të votave të numëruara).
Biden: "Ne do ta fitojmë këtë garë"
Në komentet që bëri të premten mbrëma, ish-nënpresidenti Joe Biden tha se shifrat tregojnë se ai do ta fitojë garën për presidencën, por shtoi se ende nuk ka një deklaratë përfundimtare të fitores. Ai tha se shpreson të flasë para amerikanëve të shtunën dhe bëri thirrje për unitet dhe qetësi.
Zoti Biden tha se ai dhe kandidatja për nënpresidente Kamala Harris tashmë ishin takuar me ekspertë ndërsa përgatiten për Shtëpinë e Bardhë.
Fjalimi i zotit Biden ishte planifikuar fillimisht si një festim i fotores, por ai e ndryshoi planin në mungesë të një parashikimi zyrtar nga ana e rrjeteve televizive dhe ekspertëve zgjedhorë.
"Vota juaj do të numërohet. Nuk më intereson se sa shumë përpiqen të tjerët për ta ndalur atë. Unë nuk do ta lejoj të ndodhë," tha zoti Biden përpara gazetarëve dhe ndihmësve. Ai shtoi se do të përpiqet të sheshojë ndasitë partiake në vend dhe të merret me çështje madhore s pandemia e koronavirusit.
Zoti Biden tha se do ta fitojë Pensilvaninë, po fiton në Arizona dhe Nevada dhe se do ta fitojë garën me një shumicë të qartë. Ai tha se është në rrugën e duhur për të marrë mbi 300 vota të kolegjit elektoral. Kandidati Biden, i cili po e rrit diferencën me Presidentin Donald Trump në Pensilvani, tha se ka një mandat për COVID-in, ekonominë, ndryshimin e klimës dhe racizmin sistematik, siç u shpreh ai.
Të premten në mbrëmje, Presidenti Donald Trump shkruante në Twitter: "Joe Biden nuk duhet të pretendojë pa të drejtë fitoren për zyrën e Presidentit. Unë mund të pretendoj të njejtën gjë. Procedurat ligjore sapo kanë filluar".
Shefi i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë diagnostikohet me COVID
Shefi i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows është diagnostikuar me COVID-19, tha të premten për Reuters një burim që ishte në dijeni të çështjes. Ende nuk është e qartë se kur dhe si ishte infektuar zoti Meadows.
Kandidati demokrat Joe Biden fiton zgjedhjet presidenciale
Presidenti i zgjedhur Joe Biden fitoi 20 votat elektorale të shtetit të Pensilvanisë dhe 6 votat elektorale të shtetit të Nevadës duke siguruar 279 vota elektorale nga 270 që duheshin.
Presidenti i zgjedhur kryeson me mbi 4 milionë vota popullore.
Ai po ashtu kryeson edhe në disa shtete të tjera ku ende nuk është shpallur fituesi si: Xhorxhia (16 vota elektorale) dhe Arizona (11 vota elektorale).
Ekipi elektoral i Presidentit Trump është duke vënë në pikëpyetje rezultatet, duke u shprehur nëpërmjet një deklarate të premten se "zgjedhjet nuk kanë mbaruar". Ata thanë se presidenti përfundimisht do të fitojë si rezultat i rinumërimeve të pritshme në shtetet ku gara është e ngushtë, si dhe prej sfidave ligjore të bazuara në akuza të paprovuara për vjedhje votash dhe parregullsi.
Në sistemin amerikan të demokracisë indirekte, fituesi i votës popullore në secilin shtet - me përjashtim të shteteve Mein dhe Nebraska - merr të gjitha votat elektorale të shtetit në fjalë, të cilat përcaktohen në bazë të nivelit të popullsisë.