Kush e shpall fituesin e zgjedhjeve?
Shumë besojnë se fituesi i zgjedhjeve në ShBA përcaktohet kur shtypi shpall emrin dhe kur kandidati tjetër shpall humbjen. Por realiteti është ndryshe.
Shpallja zyrtare e fituesit është një proces disa mujor që nuk përfundon deri në janar.
Ditën e votimit, zgjidhen anëtarët e Kolegjit Elektoral, në dhjetor ata takohen dhe votojnë për presidentin dhe në janar, Kongresi certifikon rezultatin. Kjo ësht një formulë kompromisi e themeluesve të republikës, të cilët në atë kohë, nuk kishin besim tek votuesit për të zgjedhur një president të përshtatshëm.
Kovid-19 komplikon procesin e numërimit
Këtë vit numërimi i fletë-votimeve do të kërkojë kohë për shkak të pandemisë dhe numrit të madh të votave të dërguara me postë.
Pasi të përfundojë numërimi në të 50 shtetet, çdo guvernator harton listën e “elektorëve” (anëtarëve të Kolegjit Elektoral për shtetin e vet). Kopja e listës i dërgohet drejtorit të Arkivave Kombëtare. Anëtarët e Kolegjit Elektoral të çdo shteti, mblidhen në kryeqytetin e shtetit të tyre, për të votuar për presidentin. Kjo ndodh në dhjetor, të hënën, menjëherë pas të mërkurës së dytë të muajit. Këtë vit data është 14 dhjetor.
Zyrtarët amerikanë shprehin besim tek siguria e zgjedhjeve.
Sekretari në detyrë i Departamentit të Sigurisë Kombëtare Chad Wolf tha disa orë pas hapjes së qendrave të votimit se “nuk kemi të dhëna që ndonjë vend i huaj të ketë patur sukses në manipulimin ose ndryshimin e votave që janë hedhur”. Mbi 100 milionë amerikanë, ose mbi 75% e numrit të përgjithshëm të atyre që votuan në vitin 2016, morën pjesë në votimet e hershme, ose përmes postës, ose fizikisht, deri të martën në mëngjes. “Infrastruktura zgjedhore është e fortë”, tha zoti Wolf, duke shtuar se “gjithsesi ne jemi në gadishmëri të lartë”. Zyrtarët amerikanë kishin thënë ditët e fundit se ishin në dijeni të të paktën dy përpjekjeve për të hyrë në sistemet zgjedhore gjatë javëve të fundit, një nga Irani dhe një nga Rusia.
Gjykatësi urdhëron shërbimin postar të kontrollojë për vota të pashpërndara
Një gjykatës federal urdhëroi shërbimin postar (USPS) të kontrollojë një sërë qendrash për fletë-votime të dërguara me postë, që mund të kenë mbetur pa u shpërndarë dhe t'i dërgojë ato menjëherë në qendrat zgjedhore përkatëse. Urdhëri i gjykatësit përfshin shtete të tilla si Pensilvania, Florida, Karolina e Jugut, Kolorado, Arizona, Alabama dhe Uajoming. Disa prej tyre janë shtete që mund të përcaktojnë fatin e zgjedhjeve. Urdhëri i gjykatësit pasoi një njoftim të shërbimit postar se nuk ka arritur të skanojë për t'u shpërndarë brenda ditës së sotme rreth 300 mijë vota. Gjykatësi ka kërkuar që brenda orës 15 shërbimi postar të bëjë verifikimin se sa vota kanë mbetur pa u shpërndarë dhe të konfirmojë deri në orën 16:30 se asnjë votë nuk do mbesë pa u dërguar në destinacion.