Trump komenton në Twitter, përsërit ankesat për votat
Presidenti Trump publikoi disa komente në Twitter në orët e para të mëngjesit të premten, ku përsëriti disa nga ankesat që kishte bërë para një dite nga Shtëpia e Bardhë.
"Unë e FITOJ lehtësisht presidencën e Shteteve të Bashkuara me VOTAT E LIGJSHME TË HEDHURA,” tha ai në Twitter, pa ofruar ndonjë provë se janë hedhur vota të paligjshme.
Twitter i vuri një etiketë postimit si “ndoshta i pasaktë”, siç ka vepruar edhe me postime të tjera të shumta të Presidentit Trump që nga dita e zgjedhjeve.
Ekipi elektoral i Presidentit Trump: Zgjedhjet nuk kanë përfunduar ende
Avokati i ekipit elektoral të presidentit Trump, u shpreh përmes një postimi në Twitter se "parashikimi fals i fitores së Joe Biden-it, bazohet në rezultatet e katër shteteve ku shifrat janë larg së qëni përfundimtare". "Në Xhorxhia", thotë ai, "do të ketë rinumërim", duke shprehur besimin se do të gjenden pasaktësi që do t'ia japin fitoren Presidentit Trump. Në Nevada, shton më tej avokati i ekipit elektoral, "ka dyshime se mijëra vota me postë janë të paligjshme". Presidenti, përfundon avokati Matt Morgan, do të fitojë në Arizona, përkundër parashikimeve të gabuara të rrjetit Fox News dhe agjencisë së lajmeve Associated Press, që ia kanë dhënë këtë shtet zotit Biden.
Deri në këtë moment, Biden kryeson në Arizona me 47052 vota, në Xhorxhia me 1098, në Nevada me 11438 dhe në Pensilvani me 6826.
Zyrtarët presin rinumërim votash në Xhorxhia
Sekretari i Shtetit i Xhorxhias, Brad Raffensperger, tha të premten se ai pret që në këtë shtet të ketë një rinumërim votash për shkak të diferencës së vogël mes kandidatëve. Në këtë shtet “fushëbetejë”, demokrati Joe Biden ka një epërsi të vogël mbi Presidentin Donald Trump me pak më shumë se 1.000 vota. Zoti Raffensperger tha se në Xhorxhia mbeten edhe 4,169 vota për t’u numëruar.
Biden rrit epërsinë në Pensilvani
Në shtetin "fushëbetejë" të Pensilvanisë kandidati demokrat Joe Biden po e shton epërsinë ndaj Presidentit Donald Trump duke arritur në 9,027 vota më shumë. Në shtetin e Arizonës, epërsia e tij është 43,569 me vota, sipas Edison Research.