Lidhje

Zgjedhjet presidenciale 2020 në Amerikë: rezultate, analiza, përditësime të drejtëpërdrejta

Amerika zgjedh presidentin. Fituesi duhet të sigurojë 270 vota elektorale. Zgjedhje me pjesëmarrje rekord. Vëmendja tek presidenti, por sot votohet edhe për një-të-tretën e Senatit dhe për të gjitha, 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve.

Amerika zgjedh presidentin. Fituesi duhet të sigurojë 270 vota elektorale. Zgjedhje me pjesëmarrje rekord. Vëmendja tek presidenti, por sot votohet edhe për një-të-tretën e Senatit dhe për të gjitha, 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve.

01:40 5.11.2020

Ekspertët: Gjykata e Lartë mund të mos ketë fjalën e fundit në zgjedhjet e SHBA

Ndërsa Presidenti Donald Trump synon që Gjykata e Lartë e SHBA të ndërhyjë në garën presidenciale, e cila është ende e paparashikueshme, ajo mund të mos jetë arbitri përfundimtar në këto zgjedhje, thanë ekspertët ligjorë.

Ata thanë se pak gjasa ka që gjykatat të pranonin një kërkesë të Presidentit Trump për të ndalur numërimin e fletëve të votimit që kanë arritur para ose në ditën e zgjedhjeve, apo që ndonjë mosmarrëveshje që mund të shqyrtojnë gjykatat të mund të ndryshonte trajektoren e garës në shtete të tilla si Miçigani dhe Pensilvania.

01:50 5.11.2020

Fushata e Presidentit Trump kërkon ndërprerjen e numërimit në Xhorxhia

Fushata zgjedhore e Presidentit Donald Trump tha se kishte ngritur një proces gjyqësor në shtetin Xhorxhia që kërkon ndërprerjen e numërimit të votave në kështë shtet,

Padia, e ngritur kundër Bordit Zgjedhor të Qarkut Çatham i kërkon një gjykatësi të urdhërojë Qarkun të sigurojë dhe veçojë fletët e votimit të ardhura pas orës 19:00 ditën e zgjedhjeve, sipas një dokumenti gjyqësor të lëshuar nga fushata.

Fushata e Presidentit Trump ka ndërmarrë një sulm juridik në disa shtete të lëkundura pas zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.

02:49 5.11.2020

Miçigan, zyrtarët pengojnë rreth 30 vetë të hyjnë në sallën e numërimit të votave

Miçigani, një shtet vendimtar që do të ndihmojë në përcaktimin e fituesit në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, po vazhdon numërimin e “dhjetra mijëra” votave, sipas një zyrtareje të lartë të këtij shteti.

Në Detroit, ku vëzhgues të votimeve u ndaluan të hynën në sallën e numërimit të mërkurën pasdite, situata ishte e nderë.

Presidenti republikan Donald Trump e fitoi Miçiganin me një epërsi të lehtë në vitin 2016, por të mërkurën në mbrëmje organizatat kryesore të medias, parashikuan se demokrati Joe Biden kishte fituar në këtë shtet. Zoti Trump e ka bërë të qartë se do të luftojë për ta ndryshuar rezultatin atje.

Me 99% të votave të numëruara, zoti Biden kishte një epërsi prej 60 mijë votash, sipas Detroit Free Press.

Gjendja ishte e tendosur të mërkurën pasdite në qendër të Detroitit, ku zyrtarë të zgjedhjeve të qytetit ndaluan rreth 30 vetë, shumica republikanë që të hynin në sallën e numërimit të votave, për shkak të kufizimeve të kapacitetit për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Demokratët thanë se edhe ata ishin ndaluar. Një punonjës i votimeve i tha agjencisë Reuters se republikanët "po përpiqeshin të ngadalësonin dhe të pengonin numërimin".

Policia e Detroitit u thirr për të zbatuar vendimin, dhe disa prej atyre që u ndaluan nga salla u acaruan kur zyrtarët e qendrave të votimit bllokuan dritaret me kuti picash dhe karton për të mos lejuar që ata të shihnin nga dritaret.

Shumë vetë qëndruan jashtë sallës duke shprehur protestën e tyre dhe duke kënduar "Zoti e bekoftë Amerikën", ndërsa një grup i dytë i sfiduesve republikanë të zgjedhjeve të cilëve u ishte refuzuar hyrja u vendosën në një rreth për t’u lutur dhe brohorisnin "Ndalo votën" dhe "Ndalo numërimin ".

10:48 5.11.2020

Protesta në disa qytete amerikane ndërsa rezultatet e zgjedhjeve mbeten të paqarta

Protestuesit dolën në rrugë në disa qytete amerikane të mërkurën, duke bërë thirrje për një numërim të plotë të votave, ndërsa grupe më të vogla mbështetëse të presidentit Trump u mblodhën para qendrave të numërimit të votave në Miçigan dhe në Arizona.

Policia në New York arrestoi dhjetëra njerëz të mërkurën mbrëma pas asaj që kishte qenë një demonstratë paqësore. Zyrtarët thanë se një grup i vogël njerëzish "u përpoqën të rrëmbenin" protestën duke u vënë zjarrin plehrave dhe duke u përleshur me oficerët e policisë.

Protestuesit marshuan gjithashtu në Çikago, Los Anxhelos, Seattle, Hjuston, Pittsburgh, Minneapolis dhe San Diego. Përveç thirrjes për numërimin e votave, demonstruesit theksuan gjithashtu pabarazinë racore, subjekt i protestave të shumta gjithandej Shteteve të Bashkuara këtë vit.

Në shtetin veriperëndimor të Oregonit, Guvernatorja. Kate Broën aktivizoi Gardën Kombëtare ndërsa policia në Portland i cilësoi si trazira protestat e atjeshme duke kryer edhe arrestime.

Mbështetësit e Presidentit Donald Trump shkuan në një qendër të numërimit të votave në Detroit, Miçigan, për të kërkuar ndërprerjen e numërimit. Ata në një tubim të mëvonshëm në Phoenix të Arizonaa, brohoritën "Ndalni vjedhjen".

Demonstratat e ndryshme shpërthyen ndërsa rezultati i zgjedhjeve të së martës mbeti i paqartë dhe presidenti bëri pretendime të pambështetura për mashtrim, ndërsa republikanët ngritën padi të shumta zgjedhore.

Ngarko më shumë

XS
SM
MD
LG