Padi ligjore nga ekipi i Presidentit Trump
Presidenti Donald Trump ndërmerr hapin e parë që mund të çojë në një betejë të zgjatur ligjore.
Në tre shtete kyçe të betejës elektorale për përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve, në Xhorxhia, Miçigan dhe Pensilvani, zyrtarët e fushatës elektorale të zotit Trump paraqitën të mërkurën padi gjyqësore për menaxhimin e votave me postë, ndërsa në Uiskonsin ekipi elektoral i Presidentit Trump ka kërkuar rinumërimin.
Synimi është të pezullohet numërimi i votave të shumta të dërguara nëpërmjet postës, për të cilat Presidenti Trump ka deklaruar, pa paraqitur prova, se janë të manipuluara dhe se po shtojnë shanset e sfiduesit demokrat Joe Biden për të fituar zgjedhjet.
Ish-Nënpresidenti Biden është shpallur fitues në Miçigan dhe Uiskonsin, por ende nuk është shpallur rezultati në Xhorxhia dhe Pensilvani.
“Kërkojmë të shohim votat që u hapën dhe u numëruan ndërkohë që ne nuk patëm qasje të mjaftueshme”, tha menaxheri i fushatës Trump, Bill Stepien, në një deklaratë ku njoftoi padinë në Miçigan. Paditë u paraqitën pasi Presidenti Trump sinjalizoi më herët të mërkurën në mëngjes se do t’i drejtohet drejtpërdrejt Gjykatës së Lartë për të ndalur numërimin e miliona votave me postë.
Ekspertët ligjorë thonë se nuk ekziston mekanizmi që Presidenti Trump t’i drejtohet për ndihmë Gjykatës së Lartë për të ndalur numërimin në një proces zgjedhor të ligjshëm. Megjithatë, kërcënimi sugjeron se zoti Trump po përgatitet për një betejë ligjore paszgjedhore në këtë cikël nga më të ankimuarit në historinë amerikane.
“Ekipi i zotit Trump ka ndjekur të njëtat taktika për një vit, kështu që nuk imagjinoj dot ndonjë arsye pse të ndalen pa provuar të gjitha opsionet”, tha James Gardner, profesor i jurisprudencës dhe ekspert zgjedhor në Universitetin e Buffalos.
Ndërsa Gjykata e Lartë mund të ndërhyjë për të zgjidhur një mosmarrëveshje zgjedhore, ashtu siç veproi në betejën elektorale të vitit 2000 mes republikanit George W. Bush dhe demokratit Al Gore, pala paditëse duhet të kalojë përmes disa etapave ligjore.
Deklaratë e re nga Presidenti Trump
"Në se numërohen votat e ligjshme, unë i fitoj me lehtësi zgjedhjet! Në se numërohen votat e paligjshme dhe votat me vonesë, ata mund t'i vjedhin zgjedhjet!
Edhe e enjtja pa fitues në zgjedhjet presidenciale me kandidatin demokrat Joe Biden që i është afruar shumicës së votave të Kolegjit Elektoral dhe Presidentin Trump që po kërkon ndërprerjen e numërimit, ndërsa republikanët po ngrejnë padi gjyqësore për parregullsi në numërimin e votave.
Zoti Biden kryeson 253 me 214, për 270 votat e Kolegjit Elektoral, që i duhen fituesit. Numërimi vazhdon në katër shtete që do të përcaktojnë fituesin: Xhorxhia dhe Pensilvania në lindje dhe Arizona e Nevada në perëndim.
Zoti Trump kryeson në Xhorxhia e Pensilvani, ndërsa zoti Biden në dy të tjerat, por kryesimet janë në shifra të ulta, që i bën këto shtete ende të pavendosura.
Nëse kryesimi i zotit Biden në Arizona (11 vota elektorale) dhe Nevada (6 vota elektorale) mbetet deri në fund, ai do të siguronte 270 votat e duhura elektorale dhe do të bëhej presidenti i 46 i Shteteve të Bashkuara në janar, pavarësisht rezultatit në Pensilvani ose Xhorxhia.
Zoti Trump do të duhet të ruajë kryesimin në Pensilvani (20 vota elektorale) dhe Xhorxhia (16 vota elektorale) dhe të marrë veç tyre Arizonën, ose Nevadën, që të fitojë zgjedhjet.
Rezultati është i ngushtë në të katër shtetet. Në Xhorxhia, zoti Trump kryeson me rreth 14 mijë vota, ndërsa ka edhe 50 mijë fletë-votime ende të panumëruara.
Në Pensilvani, zoti Trump kryeson me 108 mijë vota, por numri i votave të panumëruara është rreth 500 mijë.
Zoti Biden kryeson me 12 mijë vota në Nevada dhe me 68 mijë në Arizona. Por ka ende shumjë vota pa u numëruar në të dyja shtetet.
Zoti Trump ka ende mundësi të fitojë në shtetet ku kryeson rivali Biden, si dhe të fitojë në Xhorxhia dhe Pensilvani.
Zoti Biden kryeson në votën popullore 71.8 milionë me 68.1 milionë. Por është Kolegji Elektoral ai që përcakton fituesin dhe jo vota popullore.
Përmes një postimi në Twitter zoti Trump kërkoi ndërprerjen e numërimit, por nëse shifrat do të ishin këto të tanishmet, Trump do të humbiste, duke u bërë presidenti i tretë, në katër dekadat e fundit, që nuk arrin të rizgjidhet pas mandatit të parë.
Miçigan, gjyqtarja hedh poshtë padinë e fushatës së Presidentit Trump
Një gjyqtare në Miçigan refuzoi të pranonte një padi gjyqësore të ngritur nga fushata e Presidentit Donald Trump, që synonte ndalimin e numërimit të votave në këtë shtet “fushëbetejë”.
Mediat kanë parashikues kandidatin demokrat Joe Biden si fitues në Michigan, një shtet të cilin republikani Trump e fitoi në vitin 2016.
Gjyqtarja e Gjykatës së Ankimimit në Miçigan Cynthia Stephens e mori vendimin gjatë një seance të enjten. Ajo tha se do të publikonte një vendim me shkrim të premten.
Zyrtarët e fushatës së zotit Trump thanë se e kishin ngritur padinë për të ndalur numërimin në Miçigan dhe për të patur qasje më të madhe në procesin e numërimit.