Trump: "Nuk do të heq kurrë dorë nga lufta"
Presidenti Donald Trump tha në një deklaratë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë: ”Ne do ta ndjekim këtë proces përmes çdo aspekti të ligjit për të garantuar që populli amerikan të ketë besim te qeveria jonë. Unë kurrë nuk do të heq dorë nga lufta për ju dhe për vendin tonë.”
Policia e Filadelfias tha të premten se po heton një komplot të pretenduar për të sulmuar Qendrën e Konferencave të Pensilvanisë, ku po vazhdon numërimi i votave. Policia tha se mori një informacion në lidhje me një kamion me njerëz të armatosur që po shkonte drejt vendit të numërimit të enjten. Ajo tha se kishte arrestuar dy persona dhe u kishte konfiskuar armët.
Biden rrit epërsinë në Pensilvani
Në shtetin "fushëbetejë" të Pensilvanisë kandidati demokrat Joe Biden po e shton epërsinë ndaj Presidentit Donald Trump duke arritur në 9,027 vota më shumë. Në shtetin e Arizonës, epërsia e tij është 43,569 me vota, sipas Edison Research.
Zyrtarët presin rinumërim votash në Xhorxhia
Sekretari i Shtetit i Xhorxhias, Brad Raffensperger, tha të premten se ai pret që në këtë shtet të ketë një rinumërim votash për shkak të diferencës së vogël mes kandidatëve. Në këtë shtet “fushëbetejë”, demokrati Joe Biden ka një epërsi të vogël mbi Presidentin Donald Trump me pak më shumë se 1.000 vota. Zoti Raffensperger tha se në Xhorxhia mbeten edhe 4,169 vota për t’u numëruar.