Lidhje

Intervistë me kryetarin e lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri


Zëri i Amerikës: Zoti Ymeri, ditët e fundit shënuan një përshkallëzim të tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, posaçërisht pas nisjes së një treni të shtunën nga Beogradi për në Mitrovicë, që megjithatë nuk hyri në Kosovë. Sa e kërcënojnë këto tensione paqen në Kosovë dhe rajon?

Intervistë me kryetarin e lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri
please wait

No media source currently available

0:00 0:08:23 0:00

Visar Ymeri: Ajo që po e shohim sot është ajo Serbi që ka qenë vazhdimisht. Problemi, mendoj unë, ka qenë te një tendencë e qeverive të Republikës së Kosovës, njëra pas tjetrës, përfshirë edhe këtë që është aktualisht në pushtet, të cilat kanë dashur në një mënyrë ose tjetër ta injorojnë agresivitetin herë diplomatik e herë edhe real të Serbisë karshi Kosovës dhe në anën tjetër, edhe ta ndihmojnë një lloj fytyre tjetër për këtë qeveri të Beogradit, përmes negociatave në Bruksel, fotografive, buzëqeshjeve dhe një lloj miqësie që krijohej atje. Natyrisht, që Serbia sot është e drejtuar prej Tomislav Nikoliçit e deri tek Aleksandër Vuçiçi e te (Ivica) Daçiçi. Dhe këta janë eksponentët e njëjtë që e drejtonin Serbinë në kohën kur Serbia organizonte fushata vrastare, gjenocidale gjithandej nëpër ish republikat e Jugosllavisë dhe veçanërisht edhe në Kosovë. Kështu që në këtë drejtim konsideroj që do të kishte me qenë e domosdoshme që politika në Kosovë, institucionet publike në Kosovë, ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë se me Serbinë nuk mund të ketë paqe për sa kohë që ajo nuk e ndryshon qasjen karshi Kosovës dhe provokimet e tilla dhe agresiviteti i tillë, siç u shpërfaq edhe me trenin, siç ishte edhe më herët me murin dhe agresiviteti i përgjithshëm diplomatik dhe fuqizimi i strukturave paralele të Serbisë brenda territorit të Kosovës duhet të përfundojnë njëherë e përgjithmonë. Dhe këto nuk përfundojnë duke i bërë koncesione Serbisë. Këto përfundojnë vetëm duke ia ndalur Serbisë hovin në territorin e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Por në këtë rast a nuk veproi si duhet qeveria e Kosovës duke i ndaluar hyrjen trenit?

Visa Ymeri: Po ndalimi i trenit ka qenë i domosdoshëm dhe i mirë. Mendoj që ky entuziazëm që u krijua karshi aksionit të policisë për të ndaluar trenin që ishte nisur nga Beogradi për në Mitrovicë, e shpërfaq më së miri gjendjen në të cilën e kanë sjellë Kosovën kjo qeveri dhe qeveritë para kësaj. Se një veprim i zakonshëm i policisë këtu në Kosovë vlerësohet si diçka jashtëzakonisht e mirë dhe si diçka, si një punë mrekulli që po e bëjnë institucionet e Kosovës, kur në fakt ajo që ka ndodhë është punë e zakonshme që do të duhej ta bënin ato. Dhe në këtë drejtim konsideroj që qytetarët e Republikës së Kosovës po ndihen gjithnjë e më të pasigurt në vendin e tyre për shkak se këtë siguri as minimale nuk po e ofron qeveria, e cila e ka këtë obligim të drejtpërdrejtë dhe parësor karshi qytetarëve.

Zëri i Amerikës: Si i vlerësoni deklaratat e presidenti serb Nikoliç se mund të dërgojë ushtrinë në Kosovë, nëse ndodhë që të vriten serbët?

Visar Ymeri: Gjuha politike në Serbi, vazhdimisht ka qenë luftënxitëse, herë më shumë e herë më pak. Edhe prej përfundimit të luftës në Kosovë, kjo gjuhë luftënxitëse e Serbisë nuk është se ka përfunduar, por ka qenë më e modifikuar për të mos tingëlluar vrazhdë ne veshët e ndërkombëtarëve dhe në veshët e diplomacive perëndimore. Kështu që, në këtë drejtim, atë që po e thotë Nikoliçi tash është vazhdimësi e politikës së Serbisë karshi Kosovës, sepse e njëjta fjali thuhet edhe në forma të ndryshme nga zyrtarë të tjerë serbë, por më së shumti thuhet nga kushtetuta e Serbisë, e cila Kosovën e mban si pjesë të integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë. Dhe në këtë këndvështrim, Serbia, vazhdimisht, për çdo ditë dhe për çdo minutë, bën agresion kushtetues karshi Kosovës, sepse një Republikë të pavarur, sovrane, të njohur nga mbi 120 shtete në botë, ajo e mban si pjesë të territorit të vet dhe sovranitetit të vet. Dhe në këtë drejtim, mendoj që është koha kur ne shqiptarët, Republika e Kosovës, por edhe Republika e Shqipërisë, duhet të vetëdijesohemi karshi këtyre zhvillimeve në rajon dhe në botë, të cilat çdo herë e me shumë po bëhen të pasigurta dhe në këtë drejtim ne duhet që ta zëmë hapin dhe t'i ndërtojmë kapacitetet mbrojtëse për çfarëdo sulmi të mundshëm, ose çfarëdo ideje që mund ta ketë dikush që t'ia mësyjë territoreve tona, siç është në këtë rast p.sh, deklarata e presidentit të Serbisë, Nikoliç. E kemi parë tash së voni që ka një garë në armatim në mes të Serbisë dhe Kroacisë. Pra zhvillimet në rajon nuk po shkojnë drejt paqes së qëndrueshme. Më shumë po shkojnë drejt një problematizimi të ri të realitetit politik në rajon dhe në këtë drejtim në shqiptarët në përgjithësi duhet që përmes organizimit, bashkimit, të bëhemi fuqi që do të parandalonte çfarëdo apetiti që kanë fqinjët karshi nesh.

Zëri i Amerikës: Kur flisni për bashkimin e keni fjalën për bashkim kombëtar?

Visar Ymeri: Bashkim në organizim dhe natyrisht që do ta sillte kjo edhe bashkimin kombëtar në të ardhmen. Por, është e domosdoshme që Kosova dhe Shqipëria të funksionojnë si një, kur interesi është i përbashkët. Dhe këtu po flasim për interesin kombëtar. Ne sot këtu po flasim në Prishtinë dhe po entuziazmohemi se si u ndal treni, por askush nuk po e çon mendjen tek shqiptarët që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës. A e kanë ata sot jetën më të sigurt prej se është ndalë treni? A është rrënuar muri që po e ndan qytetin e Mitrovicës edhe fizikisht? A janë shuar strukturat paralele? Para trenit raportohej se kishin hyrë shumë njerëz të armatosur nga Serbia, që supozohet të jenë mbase edhe pjesëtarë të forcave ose njësive elitare, speciale të policisë së Serbisë. A janë ata ende në territorin e Kosovës? Pra, ne po mendojmë se me ndaljen e trenit u zgjidh çështja. Ndërkohë që problemi real që e kemi në Kosovë është se Serbia e kontrollon një pjesë të territorit drejtpërsëdrejti dhe në atë pjesë të territorit që kontrollohet nga Serbia shqiptarët jetojnë në të njëjtën mënyrë, qysh kemi jetuar të gjithë shqiptarët në vitet e 90-ta, të okupuar në mënyrë klasike nga Serbia.

Zëri i Amerikës: Por, tërë këto probleme që i përmendët në veriun e Kosovës, a nuk i bëjnë në fakt bisedimet e domosdoshme në përpjekje për t'i zgjidhur ato? Cila është alternativa e tyre zoti Ymeri?

Visar Ymeri: Po, bisedime kemi pak a shumë prej vitit 1999. Ka pasur bisedime herë me këtë që quhej "diplomacia fluturuese", herë bisedime të drejtpërdrejta, njëherë në Vjenë, pastaj në Bruksel e kështu me radhë. Dhe ja që këto bisedime vetëm sa po i shtojnë problemet dhe nuk po e zgjidhin asnjë. Para bisedimeve në Bruksel e kemi pasur një situatë pak më të mirë në Kosovë, në kuptimin që një pjesë e komunave me shumicë serbe, një pjesë e forcave politike që i përfaqësonin serbët e Kosovës, kanë qenë të integruar në institucionet e Kosovës, e kanë pranuar Republikën e Kosovës dhe i kanë pasur sytë nga Prishtina dhe zhvillimet në Kosovë, gjithnjë me synimin që pakica serbe në Kosovë të mos diskriminohet. Dhe në këtë drejtim mendoj që ka qenë një jetë më e shëndoshë politike. Pas bisedimeve në Bruksel, tash e kemi Listën serbe, e cila qartazi thotë se ajo nuk i përfaqëson serbët e Kosovës, por e përfaqëson Beogradin, pra interesat e qeverisë së Serbisë në Kosovë. Nuk mund të ketë interesa të qeverisë së Serbisë në Kosovë. Natyrisht që serbët e Kosovës janë qytetarë të Kosovës dhe duhet të jenë qytetarë të barabartë të Kosovës, duhet t'i gëzojnë të gjitha të drejtat, duhet të kenë qasje të barabartë në mirëqenie dhe siguri që i ofron Republika e Kosovës. Dhe është në interesin e serbëve që jetojnë në Kosovë që Republika e Kosovës të jetë Republikë funksionale dhe e fuqishme, në mënyrë që t'u ofrojë edhe atyre jetë të mirë, siç do t'u ofronte qytetarëve të tjerë. Por, nuk është në interes të Serbisë që Republika e Kosovës aq të fuqizohet, as të bëhet funksionale, sepse ajo kështu e humbë levën e kontrollit përmbi Kosovën. Dhe dialogu në Bruksel, vepronte në kundërshtim me interesat e qytetarëve të Kosovës dhe në përputhje me interesat e qeverisë së Serbisë.

Visar Ymeri
Visar Ymeri

Zëri i Amerikës: Po alternativa?

Visar Ymeri: Alternativa është që institucionet e Kosovës duhet ta ushtrojnë kontrollin përmbi tërë territorin e Kosovës. Serbët e Kosovës duhet të çlirohen po ashtu, nga instrumentalizimi nga Serbia, i cili bëhet realisht përmes strukturave paralele dhe politikisht përmes dialogut me Brukselin. Pra, pasur kontroll mbi territorin, pa pasur kontroll mbi resurset dhe pa i vendosur resurset që i kemi ekonomike, financiare, njerëzore në funksion të zhvillimit ekonomik i cili do të ishte në funksion të mirëqenies së qytetarëve, në Kosovë nuk mund të kemi jetë të mirë. Prandaj duhet të orientohemi kah sovranizimi i vendit dhe njëkohësisht duhet të orientohemi kah zgjerimi dhe fuqizimi i ekonomisë së vendit për të prodhuar mirëqenie të domosdoshme për qytetarët e Republikës. Dialogu me Serbinë, jo që nuk po e ndihmon këtë, dialogu me Serbinë po e pengon këtë zhvillim.

Zëri i Amerikës: Si të vendoset sovraniteti, si të sovranizohet pjesa veriore e Kosovës? Me cilat forca zoti Ymeri?

Visar Ymeri: Po si nuk paska forca? Sa herë që është dërguar policia në veri, kanë qenë të suksesshëm. Pra, policia e Kosovës e ka dëshmuar që e ka kapacitetin për të kontrolluar edhe atë pjesë të territorit. Dështimet kanë qenë politike. Pra, ka qenë mosguximi i qeverisë dhe ka qenë si të them, kështu, nënshtrimi i tyre politik, karshi Beogradit që e ka pamundësuar kontrollin përmbi atë pjesë të territorit. Natyrisht që edhe në pjesën veriore, sikurse edhe në çdo pjesë tjetër, policia e Kosovës duhet të funksionojë në shërbim të qytetarëve, të sigurisë së tyre. Natyrisht që strukturat ilegale të Serbisë duhet njëherë e përgjithmonë ç'montohen, të arrestohen ata që kanë qenë të përfshirë në krime edhe që jeta në atë pjesë të territorit të Kosovës, të bëhet jetë normale, siç bëhet në pjesët tjera. Ndërkohë që Kosova nuk ka se si të mos i ndërtojë kapacitete e veta mbrojtëse. Pra, Forcat e Sigurisë së Kosovës duhet të avancohen në Ushtri të Kosovës dhe Ushtria e Kosovës të jetë përgjegjëse për mbrojtjen e kufirit të Kosovës në rast që ka tentim agresioni nga jashtë.

Zëri i Amerikës: Kur jemi tek Forcat e Armatosura të Kosovës, Kushtetuta kërkon dy të tretat e votave, pra edhe dy të tretat e votave të pakicave. Me këtë qasje të Listës serbe ndaj institucioneve të Kosovës, si të realizohet kjo?

Visar Ymeri: Po mendoj që së pari një lloj avancimi i pjesshëm i FSK-së mund të bëhet edhe me ndryshimin e ligjit, pa pasur nevojë ta prekim kushtetutën, por domosdoshmërisht duhet ta amendamentojmë kushtetutën në mënyrë që kjo forcë edhe formalisht të jetë Forcë e Armatosur e Kosovës ose Ushtria e Kosovës. Dhe në këtë drejtim konsideroj që duhet edhe njëherë ta problematizojmë këtë votën, ose veton që u është dhënë pakicave, veçanërisht karshi amendamentimit të kushtetutës, sepse, natyrisht kjo votë edhe pse atëherë paraqitej formalisht si një e drejtë që ata e kanë për të penguar shkeljen e interesave të tyre apo të drejtave të tyre nga shumica, qartazi kjo është duke u përdorur për ta bllokuar Kosovën në përgjithësi. Dhe prapë po e them që një votë e tillë është e dëmshme, sepse kjo e dëmton edhe demokracinë në vend, e dëmton edhe funksionalizimin e vendit dhe ja tash për shembull po e dëmton në këtë rast konkret edhe avancimin dhe krijimin e një aparati shtetëror që do t'u garantonte siguri të gjithë qytetarëve nga ndërhyrjet nga jashtë. Kështu që në këtë drejtim nuk mundemi që ta lejojmë një rregullim ligjor kushtetues në këtë rast i cili do ta pengojë Kosovën në zhvillimin e saj vazhdimisht. Ne nuk mund të mbetemi peng i vullnetit politik të Beogradit, sepse ashtu kemi qenë edhe në të kaluarën. Pra, pavarësia e Kosovës ka kuptim pikë së pari si pavarësi nga Serbia. Ndërkohë që, fatkeqësisht kjo pavarësi e Kosovës, siç është konceptuar dhe zbatuar nga institucionet e Republikës së Kosovës, më së shumit në fakt po duket të jetë pavarësi nga Shqipëria.

Zëri i Amerikës: Po ndalemi sërish te veriu dhe te kërcënimet që vijnë nga Beogradi. A keni shqetësim për ndonjë ta quajmë ndërhyrje edhe me forca domethënë të Serbisë në veri, ndonjë konflikt të mundshëm në atë zonë? Është folur shumë këto ditët e fundit që një konflikt ishte gati në zgrip midis të dyja palëve?

Visar Ymeri: Po, po ta shohim kështu në nivel të përgjithshëm janë dy zhvillime kohëve të fundit të cilat tregojnë që situata nuk ka me qenë e qetë. E para është kjo që ndodh vazhdimisht, për sa kohë që ne jemi të dobët atëherë jemi pre e dobët në sytë e Serbisë, apetitet e Serbisë karshi nesh janë më të mëdha, kjo është pak a shumë si një lloj aksiome matematike do të thosha. Dhe e dyta është që sa herë që Serbia për së brendshmi ka qenë e homogjenizuar politikisht, ka pasur një shtim të hegjemonisë së saj rajonale, dhe aktualisht po ta shohësh kuvendin e Serbisë nuk ka pasur një homogjenizim të tillë të forcave politike që prej se mbahet mend. Pra as në kohën e (Slobodan) Milosheviçit nuk kanë qenë kaq kompakt në qëndrimet e tyre karshi shqiptarëve dhe Kosovës, sepse sot në parlamentin e Serbisë shumica dërmuese e deputetëve i takojnë o krahut të djathtë o krahut të ekstremit të djathtë, pra prej Vucicit e te (Vojislav) Shesheli. Ndërkohë që forcat e majta progresive të cilat janë ekzistente në Serbi, fare nuk kanë ndonjë peshë politike në kuvend. Ky lloj homogjenizimi politik natyrisht që pastaj bëhet rrezik për të gjitha vendet dhe shihet që është intensifikuar armiqësia që Serbia e ka sot karshi Kroacisë, është intensifikuar ligjërimi, diskursi politik karshi Bosnjës i cili i ngjan shumë viteve 1992-’93-’94-’95, dhe veçanërisht është intensifikuar gjuha e urrejtjes dhe luftë nxitjes karshi shqiptarëve të Kosovës siç ka qenë në vitet e ‘90-ta. Në këtë drejtim këto natyrisht që duhet të merren me seriozitet sepse këto e shpërfaqin një Serbi e cila po e shton agresivitetin e vet edhe në gjuhë po edhe në veprime dhe një Serbi e tillë natyrisht që nuk mund të jetë lajm i mirë për rajonin e aspak lajm i mirë për shqiptarët.

Zëri i Amerikës: Në anën tjetër në Kosovë ka një parlament i cili është larg homogjenizimit, larg unitetit, posaçërisht në këto 1 vit e gjysmë të fundit, në radhë të parë për shkak të bisedimeve me Serbinë dhe e dyta për shkak të marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi. A ka ndonjë rrugëdalje nga kjo situatë, posaçërisht për çështjen e kufirit?

Visar Ymeri: Problemet që i kemi politike në Kosovë në fakt prapë lidhen pak a shumë me Serbinë dhe me mënyrën se si kjo qeveri sillet karshi saj veçanërisht. Ju e dini që protesta jonë ka filluar kundër dy marrëveshjeve që i kishte nënshkruar qeveria, siç i përmendët ju, pra njëra ka qenë e lidhur drejtë për së drejti me marrëveshjen me Serbinë e cila përveç themelimit të "zajednicës" që ishte problemi kryesor, e nënshtronte Kosovën karshi telekomunikacionit dhe energjisë, veçanërisht karshi sistemit në Serbi, ndërkohë që kjo për demarkacionin ja bartte një pjesë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe të madhe të territorit, Malit të Zi. Në këtë drejtim ne kemi protestuar kundër këtyre dy marrëveshjeve, dhe protesta jonë, bashkimi i qytetarëve në protestë, angazhimi i ekspertëve të ndryshëm kundër këtyre marrëveshje arritën që në fund ti shpallin këto marrëveshje të vdekura, të cilat qeveria ende nuk po i kupton si të vdekura, pra vazhdimisht po tenton që t'i ringjallë. Mendoj që për sa i përket marrëveshjes për demarkacionin natyrisht për ne zgjidhja është e thjeshtë, çka do të duhej bërë është që të ulemi edhe një herë ta diskutojmë me Malin e Zi, ta negociojmë këtë marrëveshje, vijën kufitare në dritën e informatave e argumenteve të reja që janë nxjerrë nga ekspertët dhe të cilat qartazi nuk i ka përdorur fare komisioni shtetëror për shënjimin e vijës kufitare. Ndërkohë, sa i përket dialogut me Serbinë, natyrisht që ky dialog duhet të ndalet. Kosova duhet ta ndjek një rrugë tjetër, e cila unë kam dëshirë ta quaj, rruga e sovranizimit, dhe kjo rrugë e sovranizimit do të nënkuptonte dy gjëra madhore që duhet të ndodhin. Njërën anë për integrimin e serbëve duhet të flasim drejtë për së drejti me serbët që jetojnë në Kosovë, ta kemi një dialog të hapur e demokratik i cili për synim do ta kishte zhvillimin ekonomik, barazinë e qytetarëve dhe integrimin si rrjedhojë e këtyre të dyjave. Në anën tjetër, kur vjen puna te diskutimet me Serbinë, ky lloj dialogu mund të ketë kuptim vetëm kur Serbia e ndryshon qasjen karshi Kosovës, e njeh pavarësinë e sovranitetin e Kosovës dhe ulemi të bisedojmë si dy vende të barabarta për marrëdhëniet mes dy vendeve që e njohin njëra-tjetrën reciprokisht si dy vende të pavarura dhe sovrane.

Zëri i Amerikës: Po ideja e fundit e qeverisë për të themeluar një komision për matjen e territorit të Kosovës, sa është e realizueshme? A do ti përgjigjeni kësaj ideje?

Visar Ymeri: Jo ne kemi thënë që ky lloj komisioni është vetëm edhe një prej këtyre mekanizmave që janë absolutisht joserioz të qeverisë për të tentuar që ta arsyetojnë edhe një herë marrëveshjen e nënshkruar në Vjenë. Një mekanizëm i tillë, për mendimin tim, as nuk është i realizueshëm objektivisht e as nuk ka kurrfarë peshe politikisht. Nuk është i realizueshëm objektivisht sepse nuk mund të matet një territor të cilit nuk i dihen kufijtë, pra çka po themi ne është që kufiri është caktuar aty ku ai nuk do të duhej të ishte dhe ku nuk ka qenë. Në momentin që të pajtohemi se në cilën pikë është kufiri për shembull a do të përfshihet Çakorri brenda territorit të Kosovës, a do të përfshihet kulla e Zhlebit brenda territorit të Kosovës, dhe më me rëndësi a do të përfshihet rajoni ose pjesa e Bjelluhës dhe burimet ujore aty brenda territorit të Kosovës, në momentin që do t'i kemi këto brenda territorit të Kosovës atëherë mund të masim territorin sa të donë sepse e dimë tashmë ku është kufiri dhe atëherë madhësia e territorit nuk është problem. Ndërkohë që Kosova nuk e din aktualisht ku e ka saktësisht kufirin me Malin e Zi, ose sipas kësaj marrëveshje e ka shumë më poshtë sesa ku e ka pasur dhe në anën tjetër, kjo është një çështje siç e dini ju e hapur dhe jashtëzakonisht e rrezikshme, edhe kufirin veçanërisht kufirin me Serbinë, dhe në këtë drejtim cilin territor do ta masim, apo prej ku deri ku, nuk mund të matet territori të cilit nuk i dihen kufijtë. Në momentin që i dihen kufijtë atëherë mund ta masim çka mbetet brenda kufirit, mirëpo jo kështu jashtë, sepse me këto matje nëse nuk ka kufij të caktuar ne mund të shkojmë deri në vende që nuk janë të Kosovës ose mund të ndalemi diku brenda thellë në territorin e Kosovës. Në këtë drejtim konsideroj që ky lloj komisioni i krijuar tash së voni nga qeveria e Kosovës, prapë po e sjell Kosovën në një situatë ku po humbim shumë kohë duke u paraqitur në publik kinse po tentojmë ta zgjidhim problemin, ndërkohë që vetëm sa po krijojmë edhe më shumë probleme në vend se të bëjmë gjënë e duhur, pra ta krijojmë një komision në kuvendin e Republikës së Kosovës i cili do të merrej me diskutimin e modaliteteve juridike edhe praktike të nisjes së diskutimit me Malin e Zi për vijën kufitare, ndërkohë që ta kemi edhe një komision hetimor për ta hetuar punën e komisionit shtetëror veçanërisht dhe si erdhi deri te kjo marrëveshje, si u bë që Kosova lëshoj pe në këtë drejtim karshi Malit të Zi. A ka qenë kjo kërkesë dhe insistim i Malit të Zi apo thjeshtë ka qenë një mos përgatitje e duhur e komisionit shtetëror. Është thënë shumë herë që është bërë gabim me kufirin, kemi dëgjuar disa herë ta thonë njerëz të ndryshëm, edhe ata që kundërshtojnë, që është bërë gabim me kufirin. Unë do ta kisha menduar dhe do ta kisha kuptuar si gabim nëse qeveria e Kosovës, eksponentët që e kanë ndjekë këtë marrëveshje, dalin edhe thonë që po paskemi gabuar, kërkojmë falje, nuk kemi qenë të informuar si duhet. Mirëpo, ngurrimi i tyre për ta pranuar si gabim, tregon që kjo është bërë me vetëdije pra është lëshim me vetëdije.

Zëri i Amerikës: Zoti Ymeri të gjitha këto mospajtime që duken larg që të tejkalohen, ku çojnë? Cila është zgjidhja, cila është rrugëdalja nga ky, do të thosha njëfarë boshllëku që është krijuar në Kosovë për shkak të këtyre mospajtimeve?

Visar Ymeri: Këtu qartazi e kemi një mungesë absolute të legjitimitetit të institucioneve, ose drejtuesve të institucioneve në këtë rast më të rëndësishme politike. Ju e dini që e kemi një president i cili doli nga gazi lotsjellës, i cili u zgjodh si president pak a shumë duke i përdorur forcat e policisë së Kosovës, dhe kemi një qeveri e cila është e pranueshme nga jo më shumë se 15 për qind e qytetarëve dhe veçanërisht e kemi një qeveri e cila në tërë jetën e vet politike nuk ka bërë asgjë përveçse i ka sjellë dy marrëveshje të cilat janë kontestuar nga shumica dërmuese e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Pra as qeveria si e tillë dhe as temat që kjo qeveri i ka ndjekur nuk kanë legjitimitet në popull dhe rrjedhimisht mungesa e legjitimitetit demokratik dërgon te vetëm një zgjidhje e ajo është zgjedhjet e përgjithshme të cilat do të krijonin institucione të reja të cilat do ta kishin legjitimitetin e votave të qytetarit. Kështu nuk mund të vazhdohet me këtë qeveri e cila nuk është legjitime, një qeveri e cila nuk ka kurrfarë ideje se si mund të zhvillohet vendi. Nuk mund të ecim përpara dhe të pretendojmë se do të kemi sukses në ecjen tonë përpara. Po shihet qartë se me këtë qeveri vetëm sa do të kemi edhe më shumë degradim politik, edhe më shumë degradim ekonomik, edhe më shumë humbje të milionave të buxhetit të Republikës së Kosovës nëpër gjykata të arbitrazhit, edhe në keqpërdorim të buxhetit e në projekte super të shtrenjta infrastrukturore dhe kështu normal që Kosova po shkon drejt theqafjes dhe bosnjëzimit, ndërkohë që çka na duhet neve është që t’i ndërrojmë binarët dhe të ecim drejt progresit dhe sovranizimit.

XS
SM
MD
LG