Lidhje

Thaçi: Do të jap dorëheqje nëse konfirmohen akuzat


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të hënën se do të jap dorëheqjen dhe do të përballet me akuzat nëse ato konfirmohen.

Ai i bëri këto komente në paraqitjen e parë publike që nga e mërkura kur zyra e Prokurorit të Posaçëm në Hagë, publikoi njoftimin se ka ngritur akuza ende të pakonfirmuara ndaj tij dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Në një fjalim drejtuar kombit, presidenti Thaçi tha se " një gjë është e sigurt: nuk ka pasur, dhe nuk mund të ketë, as edhe një provë e vetme drejtuar Hashim Thaçit për shkelje të ndonjë ligji. Ligji i vetëm që kam shkelur është ai i (Sllobodan) Millosheviçit".

Presidenti Thaçi tha se "Kosova po hyn në një kapitull të ri dhe në asnjë mënyrë të lehtë. Ky është një kapitull i ri edhe për mua, dhe në këto momente, nuk e di sa e vështirë do të jetë. Por unë jam i gatshëm ta shkruaj këtë kapitull me të vërtetën time para kujtdo".

Publikimi i akuzave u bë në prag të takimit Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë që planifikohej të mbahej më 27 qershor me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell.

"Nuk e di a ishte rastësi apo ishte intrigë që –në mes të rrugës drejt Shtëpisë së Bardhë – doli njoftimi për një aktakuzë të pakonfirmuar. A thua ky do të jetë çmimi i fundit që duhet paguar për lirinë e Kosovës? Rrugën ma prenë. Por, nuk ma cenojnë besimin në vlerat që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shtëpia e Bardhë për mua dhe për qytetarët e Kosovës", tha presidenti Thaçi.

Ai tha se në praktikën e drejtësisë në botën e qytetëruar, lajmërimi publik i një aktakuze ende të pa miratuar nga trupi gjyqësor, është një skandal i madh dhe se "asnjë krim i supozuar apo edhe i kryer nga kushdo, nuk e justifikon linçimin publik. Asnjë qëllim i mirë dhe asnjë vullnet i madh për drejtësi, nuk e arsyeton fabrikimin e një bombe mediatike për të inkriminuar të parin e shtetit të Kosovës,pikërisht në momentin kur dialogu me Serbinë kishte hyrë në një fazë të re falë angazhimit të drejtpërdrejtë të Shtëpisë së Bardhë. Cilës drejtësi i intereson kjo ngutje e rrufeshme dhe kjo shkelje flagrante e rregullave të një procesi të drejtë e të pavarur gjyqësor? Kjo pyetje do të duhet shtjelluar në kohën e duhur dhe në vendin e duhur", tha ai.

Presidenti Thaçi theksoi se ajo komunikatë "hodhi në erë dhe pamundësoi takimin shumë të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë, duke i dhënë goditje të fortë mundësisë së arritjes së paqes Kosovë-Serbi".

Prokuroria e Posaçme në njoftimin e së mërkurën tha se e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të zotit Thaçi dhe Veseli për pengimin dhe sabotimin e punës së Gjykatës së Posaçme. Sipas kësaj gjykate, besohet se zoti Thaçi dhe zoti Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’iu shmangur drejtësisë.

Presidenti Thaçi në fjalimin e tij prej gati 19 minutash hodhi poshtë pretendimet e tilla, duke kujtuar se ishte vet ai që i kishte dhënë mbështetje themelimit të Gjykatës së Posaçme.

"Sot, kush thotë se qenkam bërë pengesë, madje edhe sabotues i kësaj gjykate, në rastin më të mirë është i keqinformuar dhe në rastin më të keq është tendencioz", tha presidenti Thaçi duke nënvizuar ndërkaq se bashkësia ndërkombëtare nuk po zbaton standarde të njëjta mes Kosovës e Serbisë në trajtimin e krimeve të luftës.

"Fatkeqësisht, jo vetëm që nuk e shoh këtë standard e proporcionalitet, por shoh të kundërtën e tij. Dhe ja ku jemi sot. Serbia ecën në rrugën e negocimeve për anëtarësim evropian, ndërsa Kosova nuk gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë!", tha ai.

Presidenti Thaçi tha se Kosova duhet të sigurojë funksionimin e qëndrueshëm të institucioneve shtetërore, në çdo rrethanë, ndërsa paralajmëroi se "ditëve në vijim do të këshillohet me liderët politikë për hapat e mëtejmë.

"Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë", tha ai.

Publikimi i akuzave javën e kaluar nxiti reagime në shkallë të gjerë në Kosovë por edhe në Shqipëri.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, takoi të hënën udhëheqësit politikë të Kosovës, shkroi në rrjetin tëitter se po "qëndron në Prishtinë për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas fletë-rrufesë speciale që do të hyjë si njollë turpi e shekullit 21 në historinë botërore të drejtësisë,e cila praktikën e akuzës publike pa aktakuzë juridike e ka njohur veç në epokat e sundimeve ideologjike a para tyre!"

Publikimi i njoftimit për akuzat çoi në dështimin e planeve për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, tha se pret që ambasadori Grenell të caktojë një datë të re të takimit në Shtëpinë e Bardhë.

Ndonëse analistët thanë se situata e re ka vënë në pikëpyetje rifillimin e bisedimeve, Bashkimi Evropian ndërkaq po ngulë këmbë se ato duhet të rifillojnë muajin që vjen. Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, planifikojnë një takim të nivelit të lartë në Paris më 10 korrik.

Vëzhguesit thonë se zhvillimet e fundit pasqyrojnë mungesën e një bashkërendimi transatlantik rreth Kosovës dhe publikimi i akuzave ishte goditje ndaj nismës amerikane për rifillimin e bisedimeve.

Por, kryeministri Hoti, tha pas një vizitë që zhvilloi në Bruksel javën që lamë pas se "takimi në Washington, samiti i Parisit dhe bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian nuk janë të ndara".

Zhvillimet e fundit kanë lënë prapa mjaft paqartësi dhe Kosovën në një nga situatat më sfiduese që nga shpallja e pavarësisë së saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG