Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, njoftoi sot se ka ngritur akuza ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas prokurorit akuzat janë ngritur më 24 prill.
Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara; shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.
Aktakuzat i janë dërguat gjykatës speciale për t'u shqyrtuar.
Sips njoftimit të zyrës së prokurorit, aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e prokurorit të specializuar se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat, thuhet në njoftim.
Prokurori i Specializuar shton me tej se e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të zotit Thaçi dhe Veseli për pengimin dhe sabotimin e punës së Gjykatës së Posaçme. Sipas kësaj gjykate, besohet se zoti Thaçi dhe zoti Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’iu shmangur drejtësisë.
Miftaraj: Do të duhen muaj për shqyrtimin e akuzës
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se prokurorit të specializuar "i lejohet në bazë të ligjit por edhe në bazë të praktikave të tribunaleve ndërkombëtare që në një farë mënyre është Gjykata Speciale për Kosovën, që të shfrytëzojë të gjitha mundësitë, të gjitha strategjitë që ata i konsiderojnë të nevojshme për të ndjekur dhe gjykuar krimet e luftës siç është në rastin konkret. Në këtë drejtim, këtë duhet parë si strategji të prokurorisë e cila ka vlerësuar se me qëllim të një procesi gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm e të pa penguar nga askush, është e domosdoshme në të vërtetë të bëhet një njoftim i tillë".
Zoti Miftaraj tha se gjykuar nga njoftimi i prokurorisë bëhet fjalë për një dosje shumë voluminoze dhe "ndoshta do të duhej me muaj të tërë që gjyqtarët e procedurës paraprake ta lexojnë aktakuzën. Kështu që ka mundësi që kjo aktakuzë të marr me muaj të tërë ndoshta edhe deri në fund të vitit të marr kohë që të konfirmohet apo jo nga ana e gjykatës".
Ai shprehet i bindur se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do të dëshmojë me veprimet e tij se "institucioni i presidentit të Kosovës dhe Republika e Kosovës janë mbi interesin e tij, janë mbi Hashim Thaçin. Në këtë drejtim unë besoj se akti moral dhe akt i domosdoshëm për presidentin Thaçi është që të tërhiqet nga pozita e presidentit dhe Republika e Kosovës mos të udhëhiqet nga një person i cili në bazë të njoftimit të prokurorisë është tani më i akuzuar për krime lufte", tha ai në një bisedë me Zërin e Amerikës.
E kontaktuar nga Zëri i Amerikës, zyra e presidentit të Kosovës, tha se nuk komenton njoftimin e zyrës së prokurorit. Presidenti Thaçi, thanë në zyrën e tij, tashmë është rrugës për në Shtetet e Bashkuara ku do të shtunën në Shtëpinë e Bardhë do të mbahet një raund bisedimesh Kosovë - Serbi të ndërmjetësuara nga i dërguari amerikan Richard Grenell.
Më 28 prill të këtij vitit Prokuroria e Posaçme, tha se tashmë kryetarja e Dhomave të Specializuara, emër më të cilin njihet Gjykata e Posaçme, ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake që do të shqyrtojë një aktakuzë të prokurorisë.
Në njoftimin e asaj dite u tha se “përmbajtja e aktakuzës është konfidenciale, përveçse kur konfirmohet dhe deri sa të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake”.
Me 24 shkurt të këtij viti Prokuroria e Posaçme paralajmëroi fillimin e ngritjes së akuzave.
Të kontaktuara nga Zëri i Amerikës, asnjëra nga Dhomat e Posaçme nuk deshi të komentojë kohën e publikimit dhe arsyeve përse nuk është publikuar më parë njoftimi rreth akuzës së hartuar dy muaj më parë.
Sipas rregulloreve të punës së Dhomave të Posaçme, "gjykatësi i procedurës paraprake shqyrton provat që mbështesin një aktakuzë, për të vendosur nëse ekziston një dyshim i bazuar kundër një të dyshuari. Gjykatësi i procedurës paraprake ka deri në gjashtë muaj, në varësi të veçantive të çështjes, të marrë një vendim nëse do të hedhë poshtë apo do të konfirmojë një aktakuzë", thuhet në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës nga Gjykata e Posaçme.
Gjykata e Posaçme e cila me emrin dhomat e specializuara vepron në Hagë, u miratua në fillim të muajit gusht të vitit 2015 nga parlamenti i Kosovës.
Ideja për themelimin e saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.
Hetimet sikurse e dhe ngritja e gjykatës kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.
Mbi 200 ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019.
Në korrik të vitit 2019 në prokurorinë e posaçme u thirr edhe ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqje duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.
Duke reaguar ndaj njoftimit të sotëm të prokurorisë, zoti Haradinaj shkroi se "populli shqiptar i Kosovës me të drejtë zhvilloi luftë për liri, pas shtypjes së egër nga regjimet e ndryshme serbe, që zgjati pothuajse një shekull, duke kulmuar me regjimin e Millosheviqit. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të pastër, rezultat i së cilës ishte liria dhe themelimi i Republikës së Kosovës. Ne besojmë në pafajësinë e Presidentit Thaçi, kryetarit Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tjerë", shkroi ai.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti shkroi se qeveria e Kosovës "konsideron se askush nuk mund cilësohet fajtor pa vendim përfundimtar të gjykatës. Qeveria e Republikës së Kosovës fton të gjithë qytetarët të tregojnë qetësi. Qeveria beson se lufta e popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe çlirimtare dhe, si e tillë, do të mbetet si një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së vendit", shkroi ai.
Kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, shkroi se "në këto momente, Kosovës i duhet maturi, unitet, bashkëpunim e urtësi. I duhet edhe mbrojtje e dinjitetit, integritetit e imazhit shtetëror. Por mbi të gjitha, Kosovës i duhet drejtësi. Drejtësia duhet të kryej punën në mënyrë të pavarur e pa presion. Serbia ende nuk është përgjigjur për krimet e llahtarshme kundër civilëve të pafajshëm në Kosovë. Serbia është shtet gjenocidal. Dhe këtë duhet ta themi sot e çdo ditë, në Kosovë, në SHBA, në Evropë e çdokund në botë", shkroi ajo.
Lëvizja Vetëvendosje, theksoi në një reagim se "ata shqiptarë që kontribuojnë në normalizimin e Serbisë pa e njohur ajo Kosovën dhe pa dënuar krimet e luftës që ka bërë, njëkohësisht i kontribuojnë edhe gënjeshtrës serbe për “shqiptarët kriminelë”. Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër, kurse instalimi i Gjykatës Speciale ka qenë faj i madh politik, për të cilin mbajnë përgjegjësi gjithë ata që e votuan në parlament", theksohet mes tjerash në një reagim më të gjatë të kësaj lëvizjeje.
Ndërsa Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike shkroi në rrjetet sociale se beson thellë "se lufta e UÇK-së Ishte dhe do të konfirmohet nga drejtësia ndërkombëtare si luftë e drejtë dhe pastër, se luftëtarët e UÇK-së luftuan për ta mbrojtur popullin e Kosovës nga terrori, likuidimi dhe gjenocidi serb".
Më 22 dhjetor 2017, një grup deputetësh hodhi nismën për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme, duke sfiduar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj kryesor që paralajmëruan për pasoja të rënda nëse ndodhë shfuqizimi i gjykatës.
Reagime edhe në Shqipëri
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta tha se "lufta e UÇK-së, që iu imponua popullit të Kosovës nga shtypja dhe gjenocidi i regjimit kriminal të Millosheviçit, rezultoi se ishte e drejtë dhe vendimtare, jo vetëm për lirinë dhe themelimin e Republikës së Kosovës në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, por edhe për paqen, stabilitetin dhe ardhmërinë e saj europiane dhe të rajonit tonë. Ne besojmë në pafajësinë e Presidentit Hashim Thaçi, ish-Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre. Edhe më parë janë ngritur akuza ndaj ish-drejtuesve të UÇK, por pafajësia e tyre dhe drejtësia e luftës është konfirmuar. Ne besojmë se kjo do të ndodhë përsëri", shkroi presidenti Meta ne rrjetet sociale.
Kryeministri shqiptar Edi Rama u shpreh i indinjuar me njoftimin e prokurorisë.
"Qëkur e kam marrë lajmin e listës së Tribunalit Special dhe kam lexuar emrat e kriminelëve të supozuar të Luftës Çlirimtare të Kosovës, përpiqem po nuk arrij të formuloj fjalitë e duhura për të shprehur indinjatën time! Do të shprehem publikisht nesër me një mesazh për të gjithë shqiptarët, por jam e do të jem deri në fund, në krah të të gjithë atyre që luftuan me armë për ta çprangosur Kosovën e burgosur në ferrin e Sllobodan Milosheviçit, duke mbyllur me gjak, nder e lavdi një histori padrejtësie historike në zemër të Europës!", shkroi ai.
Facebook Forum