Prokuroria e Durrësit sekuestroi sot 102 konteinerët e mbushur me 2 mijë e 100 ton mbetje metalurgjike të rrezikshme. Prokuroria urdhëroi mos-hapjen e konteinerëve dhe ruajtjen e tyre në një vend të sigurtë, nën vëzhgimin e pandërprerë të kamerave. Drejtori ekzekutiv i grupit BAN, Xhim Paket, ishte sot në Durrës, ku përsëri u bëri thirrje autoriteteve për transparencë dhe hapje publike të konteinerëve, si dhe për analizim të mostrave nga disa grupe të pavarura në disa laboratorë të ndryshëm.
Prokuroria e Durrësit sekuestroi sot dhe 102 konteinerët me afro 2 mijë e 100 ton mbetje të dyshuara si pluhur helmues nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike.
Ato janë ndalur një kilometër nga bregu, të sapokthyera në portin më të madh të Shqipërisë mëngjesin e të hënës me anijen turke Moliva ardhur nga Italia.
Konteinerët u nisën nga Durrësi më 4 korrik drejt Tajlandës, e cila refuzoi ngarkesën pas alarmit, që dha organizata joqeveritare “Rrjeti i Aksionit të Bazelit BAN”.
Prokuroria urdhëroi Autoritetin Portual, Kapitenerinë, Doganën dhe Drejtorinë e Kufirit Policinë dhe Hetimin Doganor për të sekuestruar si provë materiale “konteinerët, të cilët janë transportuar sipas deklaratës doganore R27224 më 4 korrik të këtij viti me eksportues Sokolaj sh.p.k. dhe marrës GS Minerals Doo”, për hetimet e nisura dy muaj më parë “me qëllim kryerjen e ekspertimeve përkatëse”.
Prokuroria u kërkoi autoriteteve që konteinerët e sekuestruar të mos hapen, por të depozitohen në një vend të sigurtë nga pikëpamja mjedisore e fizike dhe të monitorohen me kamera pa ndërprerë.
Drejtori ekzekutiv i grupit BAN Basel Action Network, me qendër në SHBA, Xhim Paket, ishte sot në Durrës në pritje të anijes me konteinerë, që ktheu ngarkesën nga Singapori.
“Shpresojmë që vendosja e konteinerëve nën vëzhgim të nivelit të lartë të pasohet nga hapja e konteinerëve nën mbikëqyrje të rreptë dhe mënyrë të organizuar nën vështrimin e publikut, teksa merren mostra për analiza të mëtejshme”, tha zoti Puckett për shtypin pranë portit të Durrësit.
Dy prokuroret Suela Beluli dhe Mediana Meta detajuan në urdhërin e tyre se sekuestrimi u krye bazuar në procedimin penal nën dyshimet për “kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “ndotje të ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive, si dhe “shpërdorim detyre të funksionarit publik”.
Nga ana tjetër përfaqësuesi i grupit, Jim Puckett, tha se BAN-i është 95 për qind i sigurtë që kjo ngarkesë ka mbetje të rrezikshme, ndaj pret një përgjigje të saktë mbi analizimin e mostrave.
Ai shtoi që BAN-i është 100 për qind të sigurtë se kjo lloj ngarkese kurrë nuk duhej eksportuar drejt Tajlandës, ku kishte marrë mostra nga një fabrikë atje dhe gjeti në to mbetje të rrezikshme nga metale të rënda si arseniku dhe plumbi e të tjera përtej niveleve të lejuara.
“Ne besojmë që kjo ngarkesë e ka origjinën nga kompania e çelikut në Elbasan, një nga zonat e ndotura të Shqipërisë. Ndotja që kanë mbetjet e dala nga Shqipëria është përtej niveleve të lejuara dhe jemi shumë të shqetësuar se ky lloj eksporti vazhdon të ndotë zona nëpër botë si fusha bujqësore, njerëzit dhe mjedisin. Industria në Shqipëri ka një problem me ndotjen dhe zgjidhja nuk është që ajo të eksportohet në pjesë të tjera të botës, por ta trajtojë atë brenda vendit”, tha zoti Puckett.
Dyshimet janë se firma Sokolaj nuk i ka deklaruar si "mbetje të rrezikshme" pluhurat metalurgjike dhe i ka shkarkuar në një mjedis të hapur në portin e Durrësit për t'i eksportuar më pas jashtë vendit. BAN ka dyshime se transporte të tilla janë kryer periodikisht nga ky port.
BAN-i po ashtu shprehu gatishmërinë që të qëndrojë në Durrës për të mbështetur qeverinë shqiptare në kontrollimin dhe trajtimin e konteinerëve. Zoti Paket tha sot se Autoritetet ende nuk kanë reaguar për propozimet tona për të marrë mostra me transparenc dhe shpreson që ata të bien dakord.
“Nëse vërtetohet dyshimi ynë që këto mbetje kanë dalë nga filtrat e Uzinës së Metalurgjisë në Elbasan, për të cilin ne jemi 95 për qind të sigurtë, atëherë kjo është e ndaluar nga ligji ndërkombëtar dhe ky është një eksport kriminal, që nuk duhej bërë kurrë. Për këtë incident ndërkombëtar qeveria shqiptare ka përgjegjësi të plotë mbi dëmet ndaj privatëve dhe ndaj të tjerëve”, tha zoti Puckett.
Ai shprehu shpresën që kthimi i kësaj anijeje në vendin e origjinës të jetë një mesazh që ky është vetëm fillimi dhe jo fundi i kësaj historie, dhe theksoi se Shqipëria ka shumë punë për të gjetur rrugët më të më mira se si t’i trajtojë këto mbetje të rrezikshme në të ardhmen.
Autoritetet shqiptare janë shprehur për “realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme” larg “hamendësimeve dhe spekullimeve”.
Ndërsa BAN-i këmbëngul për hapjen publike të konteinerëve për të marrë mostrave nga disa grupe të pavarura dhe për t’i çuar në disa laboratorë.
“Askush nuk do t’i besojë rezultateve të analizave, nëse ato nuk kryhen me transparencë të plotë. Sapo të bëhen analizat, do të shihet se nga buron ajo mbetje. Duhet të bëhen tre ose disa hetime laboratorike të pavarura mbi natyrën e këtyre mbetjeve të rrezikshme” - tha zoti Puckett për shtypin.
Ekspertët e grupit BAN besojnë se mbetje të tilla duhen trajtuar për riciklimin e zinkut, e më pas përsëri duhen trajtuar në një landfill të posaçëm për këto lloj mbetjesh, si ato që gjenden në Europën perëndimore, sepse në to përsëri ka arsenik, plumb, cadmium, derisa vet Shqipëria të ketë një landfill të tillë.
Ata pohojnë se në Shqipëri nevojitet një edukim i gjerë për autoritetet, për portin dhe për industrinë për një seri lëndësh, që asnjëherë nuk duhen lënë në mjedis të hapur, në shi, në erë nëpër porte dhe asnjëherë nuk duhen eksportuar pa shënimet e duhura dhe pa njoftuar vendet pritëse, si në këtë rast, kur vendi pritës asnjëherë nuk mori njoftim për llojin e lëndë.
BAN shpreson që prokuroria shqiptare duhet ta hetojë çështjen brenda këtij viti, një hetim i plotë për të përcaktuar origjinën e këtyre mbetjeve, për të cilat krahas Elbasanit përmenden me dyshim si vende burimi edhe Kosova edhe Gjermania.
Ndërkohë krahas prokurorisë së Durrësit, hetime po kryen edhe zyra e Bashkimit Europian kundër Mashtrimeve, OLAF me qendër në Bruksel.