Lidhje

Tiranë, qeveria reagon mbi transportin e dyshuar si "mbetje të rrezikshme" drejt Kinës dhe Tajlandës


Anije transporti mallrash të kompanisë Maersk
Anije transporti mallrash të kompanisë Maersk

Qeveria shqiptare hodhi poshtë komentet se ajo nuk ka vepruar në lidhje me rastet e dyshuara për transport të parregullt drejt Tajlandës dhe Kinës të një sasie mallrash me përmbajtje mbetjesh të dala nga proceset teknologjike në Shqipëri dhe Kosovë.

Në deklaratën e përbashkët nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit theksohet se “dy operatorët ekonomikë, njëri në Shqipëri dhe tjetri në Kosovë po bëjnë përpjekje të dukshme për t’iu shmangur përgjegjësive, ndaj pritja e rezultatit të hetimeve dhe analizave përkatëse do të ishte më mirë se sa të ngarkohen me përgjegjësi agjencitë ligjzbatuese”.

Rrjeti i Aksionit të Baselit (BAN), një organizatë eksperte për çështjet e drejtësisë mjedisore, dha alarmin më 5 gusht, pas një sinjalizimi, prej nga ajo beson se anijet Maersk Campton dhe Maersk Candor kanë ngarkuar në fillim të korrikut në portin e Durrësit me destinacion Tajlandën rreth 100 konteinerë me mbetje të rrezikshme, që vijnë nga hiri i oxhaqeve metalurgjike.

Në këto 100 konteinerë në bordin e dy anijeve, sipas njoftimit të BAN, besohet se gjenden të ngarkuara 816 ton me pluhur toksik prej furrës së çelikut i mbledhur nga filtrat e kontrollit të ndotjes.

“Nëse konfirmohet se janë mbetje të rrezikshme, sipas dispozitave të Konventës së Bazelit, Traktatit të Kombeve të Bashkuara që rregullon tregtinë e mbetjeve të rrezikshme dhe mbetje të tjera, konteinerët mund të sekuestrohen dhe të riatdhesohen në Shqipëri”, thekson BAN në njoftimin e vet.

BAN dhe disa organizata të drejtësisë mjedisore në Afrikën e Jugut dhe në Tajlandë iu kërkuan qeverive në Azinë jugore dhe juglindore të interceptonin dy anijet, ndërsa linjës së transportit Maersk iu kërkua të ndalojë menjëherë dërgesat, në mënyrë që ato të mund të kthehen në Shqipëri si vend i origjinës.

Qeveria shqiptare deklaroi të shtunën se strukturat shtetërore nisën menjëherë një shkëmbim intensiv informacioni si dhe një hetim të përbashkët me OLAF (Zyrën e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimit) qysh prej momentit të parë të sinjalizimit të këtyre dyshimeve muajin e kaluar.

“Nuk mundet që Shqipëria të pranojë a priori rikthimin e ngarkesave të tilla vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekullimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme”, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë, pas alarmit të dhënë nga BAN dhe organizatat mjedisore, konteinerët janë bllokuar nga autoritetet portuale të Singaporit për t’u kthyer në vendin e origjinës.

Në deklaratën e qeverisë shqiptare thuhet se në të dyja rastet e përfolura të transportit, nga Elbasani drejt Tajlandës dhe nga Kosova drejt Kinës, mallrat e deklaruara si okside/hidrokside hekuri apo koncentrat zinku, janë transportuar nga Porti i Durrësit drejt porteve evropiane përmes linjave konteinerike ndërkombëtare me reputacion të padyshimtë dhe nuk janë bërë objekte kontrollesh në vendet e BE-së, ku kanë ndaluar dhe janë magazinuar përkohësisht, por janë lejuar të vijojnë itinerarin e tyre.

Në deklaratë theksohet se Shqipëria është klasifikuar si një vend i sigurtë, pasi është verifikuar dhe çertifikuar në disa inspektime ndërkombëtare përgjatë viteve të fundit.

Prokuroria e Durrësit njoftoi të mërkurën se ka nisur hetimet, në bashkëpunim me Zyrën Europiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF), mbi më shumë se 800 ton mbetje që dyshohet të jenë të rrezikshme, të ngarkuara në 100 kontenierë të nisur nga Porti i Durrësit në fillim të muajit korrik.

Hetimi ka nisur për dyshime mbi kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara bazuar në materialet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, ndërsa Drejtoria e Policisë së Durrësit ka dorëzuar një tjetër material hetimor nën dyshimet për transportim të mbetjeve dhe shpërdorim i detyrës.

XS
SM
MD
LG