Lidhje

Zgjedhjet presidenciale 2020 në Amerikë: rezultate, analiza, përditësime të drejtëpërdrejta

Amerika zgjedh presidentin. Fituesi duhet të sigurojë 270 vota elektorale. Zgjedhje me pjesëmarrje rekord. Vëmendja tek presidenti, por sot votohet edhe për një-të-tretën e Senatit dhe për të gjitha, 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve.

Amerika zgjedh presidentin. Fituesi duhet të sigurojë 270 vota elektorale. Zgjedhje me pjesëmarrje rekord. Vëmendja tek presidenti, por sot votohet edhe për një-të-tretën e Senatit dhe për të gjitha, 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve.

20:38 4.11.2020

Fushata e Presidentit Trump kërkon ndaljen e numërimit të votave në Miçigan

Fushata e Presidentit Trump tha të mërkurën pasdite se kishte ngritur padi gjyqësore që kërkon të ndalë numërimin e votave në Miçigan, pasi sipas saj nuk i ishte dhënë qasje e mjaftueshme në vendet e numërimit të votave për të vëzhguar hapjen e kutive të votimit. Kandidati Biden kryeson me 45,000 vota nga më shumë se 5 milion të hedhura në Miçigan.

21:42 4.11.2020

Joe Biden fiton në Uiskonsin

Sipas parashikimeve, demokrati Joe Biden ka siguruar fitoren në shtetin e Uiskonsit. Me 10 votat elektorale të këtij shteti, ai ka deri tani 237 vota elektorale. Presidenti Donald Trump ka deri tani 213 vota elektorale. Zgjedhjet e kaluara, Presidenti Trump fitoi në Uiskonsin.

22:00 4.11.2020

Rinumërimi i votës në shtete të ndryshme të SHBA

Kryetari i i ekipit elektoral të Presidentit Trump tha se do të kërkojë rinumërimin e votave në Uiskonsin. "Presidenti është brenda kufirit të lejueshëm për të kërkuar rinumërimin dhe do ta bëjmë këtë menjëherë," u shpreh zëdhënësi Bill Stepien.

Ja se si funksionon rinumërimi i votave në shtetet me rezultate të afërta në këto zgjedhje:

NEVADA nuk ka rinumërim automatik votash, por një kandidat i cili ka humbur, mund të kërkojë rinumërim, pavarësisht nga përqindja e humbjes. Rinumërim duhet të kërkohet brenda tre ditësh pasi të ketë përfunduar numërimi i votave. Paguan kandidati që kërkon rinumërimin.

UISKONSIN nuk ka rinumërim automatik votash, por mund të kërkohet një rinumërim i plotë ose i pjesshëm nëse përqindja e humbjes është më e vogël ose e barabartë me 1 përqind. Kërkesa duhet të bëhet në ditën e parë pas numërimit të votave. Paguan kandidati që kërkon rinumërimin, nëse përqindja është më shumë se 0.25 e votës së përgjithshme.

MIÇIGAN ka rinumërim automatik. Rinumërimi kërkohet nëse diferenca është më pak ose e barabartë me 2,000 vota. Kërkesa për rinumërim duhet të bëhet brenda 48 orësh pas përfundimit të numërimit të votës. Paguan kandidati që kërkon rinumërimin.

PENSILVANIA ka rinumërim automatik. Rinumërim është automatik nëse diferenca e fitores është më e vogël ose e barabartë me 0,5 përqind. Dy mënyra të tjera për kërkimin e rinumërimeve janë: kërkohen nënshkrimet e të paktën tre votuesve që vërtetojnë një gabim në numërimin e votave dhe shkohet në gjykatën e shtetit ku ngrihet padi që pretendojnë mashtrim dhe gabime në procesin e votimit.

22:08 4.11.2020

Ankesa të reja ligjore nga ekipi elektoral i Presidentit Trump

Ekipi elektoral i zotit Trump njoftoi se ka paraqitur ankesa ligjore në shtetet e Pensilvanisë dhe Miçiganit, që mund të shërbejnë si bazë për të kundërshtuar rezultatin në këto shtete ende pa rezultat përfundimtar dhe që mund të jenë përcaktuese nëse presidenti do të sigurojë edhe një mandat të dytë. Ankesat në të dy shtetet kërkojnë qasje më të mirë të vëzhguesve në qendrat ku përpunohen dhe numërohen votat.

Ekipi elektoral i zotit Trump po ashtu kërkon të jetë pjesë e një ankese tjetër në Pensilvani që po shqyrtohet në Gjykatën e Lartë, që ka të bëjë me numërimin ose jo të votave që mbërrijnë në qendrat e numërimit tre ditë pas mbylljes së votimeve, sipas nën-kryetarit të ekipit elektoral të zotit Trump Justin Clark.

Avokatët e presidentit po kërkojnë ndalimin e përkohshëm të numërimit në të dy shtetet, derisa vëzhguesve t'u krijohet një qasje "domethënëse" në shumë qendra ku numërohen votat dhe të lejohen të shikojnë fletë-votimet që janë nxjerrë nga zarfet dhe janë përpunuar.

Presidenti Trump është në disavantazh të lehtë ndaj rivalit demokrat Biden në Miçigan. Presidenti vazhdon të kryesojë në Pensilvani, por diferenca po shkurtohet sa më shumë vota që numërohen.

Ngarko më shumë

XS
SM
MD
LG