Pritet deklarata e Presidentit Trump
Presidenti Trump pritet të bëjë një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë. Më herët ai deklaroi në Twitter: "Ne jemi shumë më përpara por ata po përpiqen të vjedhin zgjedhjet. Ne nuk do t'i lejojmë ata kurrë ta bëjnë këtë. Votat nuk mund të hidhen pasi të jenë mbyllur qendrat e votimit."
Trump fiton Floridën
Presidenti Trump fiton shtetin e Floridës me 29 vota elektorale. Dy kandidatët e shihnin Floridën si shumë të rëndësishme në këtë garë dhe e kanë vizituar shumë shpesh këtë shtet gjatë fushatës.
Trump: Është mashtrim, do t'i drejtohemi Gjykatës së Lartë
Presidenti Trump bëri një deklaratë në Shtëpinë e Bardhë, ku deklaroi fitore në zgjedhje edhe pse numërimi i votave është ende në proces.
Ai tha se "një grup njerëzish mjaft të trishtuar po përpiqen t'u heqin të drejtën e votimit një grupi tjetër dhe ne nuk do të pranojmë këtë."
Presidenti përmendi një numër shtetesh ku ai tha se kishte fituar, por ku organizatat mediatike nuk kanë shpallur ende një fitues.
"Ky është mashtrim ndaj publikut amerikan, është një turp për vendin tonë," tha Presidenti Trump.
"Ne po përgatiteshim t'i fitonim këto zgjedhje, sinqerisht ne i fituam këto zgjedhje. Prandaj synimi ynë tani është të sigurojmë integritetin për të mirën e këtij vendi. Ky është një moment i madh, është një mashtrim i madh ndaj vendit tonë. Ne duam që ligji të përdoret në mënyrën e duhur. Prandaj do t'i drejtohemi Gjykatës së Lartë."
Fushata e zotit Biden e gatshme të përballet në Gjykatën e Lartë
Zyrtarë të fushatës së kandidatit demokrat, Joe Biden, thanë se janë të gatshëm të përballen me presidentin Donald Trump, nëse ai dërgon në Gjykatën e Lartë kërkesën për ndërprerjen e numërimit të votave.
Nëse ndodhë një gjë e tillë "ne i kemi ekipet ligjore të gatshme për t'i rezistuar kësaj përpjekjeje," tha menaxherja e fushatës së zotit Biden, Jen O'Malley Dillon.