Trump, padi zgjedhore në Arizona
Ekipi i presidentit republikan Donald Trump tha të shtunën se kishte ngritur padi në Arizona, në të cilëmn pretendon se qarku më i populluar i këtij shteti jugperëndimor skualifikoi në mënyrë të gabuar një numër votash të hedhura ditën e zgjedhjeve nga disa votues.
Në padinë, e ngritur në Gjykatën e Lartë shtetërore të Qarkut Marikopa, thuhet se punonjësit e zgjedhjeve u kishin thënë disa votuesve të shtypnin një buton, pasi një makinë kishte zbuluar një votë të tepërt.
Paditësit thonë se ditën e zgjedhjeve janë përdorur makineri të reja votimi dhe se ato vota mund të kenë qenë "përcaktuese" në rezultatin e garës Trump-Biden, i cili u shpall fitues të shtunën nga rrjetet e mëdha televizive.
Biden kryeson me 0.65%, ose pak më shumë se me 21,000 vota në shtetin Arizona.
Joe Biden fiton Nevadën
Shteti i Nevadës i ka kaluar demokratit Joe Biden, i cili më herët të shtunën u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale 2020, menjëherë pasi u bë e qartë se ai kishte fituar Pensilvaninë me 20 vota elektorale. Ai ka tani një numër të përgjithshëm prej 279 votash elektorale.
Kandidati demokrat Joe Biden fiton zgjedhjet presidenciale
Presidenti i zgjedhur Joe Biden fitoi 20 votat elektorale të shtetit të Pensilvanisë dhe 6 votat elektorale të shtetit të Nevadës duke siguruar 279 vota elektorale nga 270 që duheshin.
Presidenti i zgjedhur kryeson me mbi 4 milionë vota popullore.
Ai po ashtu kryeson edhe në disa shtete të tjera ku ende nuk është shpallur fituesi si: Xhorxhia (16 vota elektorale) dhe Arizona (11 vota elektorale).
Ekipi elektoral i Presidentit Trump është duke vënë në pikëpyetje rezultatet, duke u shprehur nëpërmjet një deklarate të premten se "zgjedhjet nuk kanë mbaruar". Ata thanë se presidenti përfundimisht do të fitojë si rezultat i rinumërimeve të pritshme në shtetet ku gara është e ngushtë, si dhe prej sfidave ligjore të bazuara në akuza të paprovuara për vjedhje votash dhe parregullsi.
Në sistemin amerikan të demokracisë indirekte, fituesi i votës popullore në secilin shtet - me përjashtim të shteteve Mein dhe Nebraska - merr të gjitha votat elektorale të shtetit në fjalë, të cilat përcaktohen në bazë të nivelit të popullsisë.
Shefi i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë diagnostikohet me COVID
Shefi i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows është diagnostikuar me COVID-19, tha të premten për Reuters një burim që ishte në dijeni të çështjes. Ende nuk është e qartë se kur dhe si ishte infektuar zoti Meadows.