Presidenti Tump, akuza për parregullsi dhe manipulim votash
Presidenti amerikan Donald Trump në një deklaratë për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë të ejten mbrëma tha se bazuar në votat e ligjshme ai i ka fituar me lehtësi zgjedhjet. Por, ai shtoi se manipulimet, fletëvotimet e dorëzuara me vonesë, fletëvotimet e paligjshme bënë që avantazhi e tij ne disa shtete të venitej.
Ai tha se përkundër parave të kompanive të mëdha teknologjike, parashikimeve të mediave dhe sondazheve për fitore të thella të demokratëve, republikanët arritën me sukses që të ruanin shumicën në senat, dhe dolën mirë në garat zgjedhore për vendet në Dhomën e Përfaqësuesve.
"Ne ishim në avantazh në Miçigan, Uiskonsin dhe Pensilvani në natën e zgjedhjeve dhe papritmas avantazhi filloi të venitej. Numërimi i votave në Detroit dhe Filadelfia po kontrollohet nga makineria e korruptuar demokrate", tha Presidenti Trump.
Zoti Trump tha se do të ketë shumë padi gjyqësore për parregullsitë që, sipas tij, kanë ndodhur në disa shtete dhe se ato mund të përfundojnë në gjykatën më lartë të vendit. "Ne duam zgjedhje të ndershme, numërim të ndershëm. Do të ketë shumë padi gjyqësore për shkak të parregullsive dhe për shkak se ne nuk mund të kemi zgjedhje të vjedhura. Ndoshta kjo do të shqyrtohet nga gjykata më e lartë e vendit", tha ai.
Ndërsa, Presidenti Trump po fliste në Shtëpinë e Bardhë, numërimi i votave në shtetet kyçe si Pensilvania, Xhorxhia, dhe Arizona po vazhdonte. Në Xhorxhia, me 16 vota elektorale, avantazhi i Presidentit Trump prej 9 mijë votash para deklaratës së tij në Shtëpinë e Bardhë u pakësua në vetëm 3 mijë vota. Edhe në Pensilvani, avantazhi i Presidentit Trump ra në vetëm 64 mijë vota, ndërsa sasi të mëdha votash vazhdojnë të numërohen.
Joe Biden bën thirrje për qetësi dhe durim
Kandidati demokrat për president, Joe Biden në një deklaratë për gazetarët në Uilmington të Delauerit të ejten tha se ai është njoftuar nga zyrtarët mbi zhvillimet e fundit në lidhje me pandeminë e koronavirusit dhe gjendjen ekonomike të vendit. Ai gjithashtu bëri thirrje për durim, qetësi dhe për numërimin e çdo vote. "Çdo votë duhet të numërohet dhe këtë do ta shohim ne tani. Kështu duhet të jetë. Demokracia nganjëherë është e ngatërruar, nganjëherë ajo kërkon durim. Por ky durim është shpërblyer për 200 vjet. Ky sistem i qeverisjes ka qenë zilia e botës", tha ai. Zoti Biden theksoi se ai nuk ka dyshim se ai dhe senatorja Harris do të shpallen fitues të zgjedhjeve pas përfundimit të numërimit të votave.
Miçigan, gjyqtarja hedh poshtë padinë e fushatës së Presidentit Trump
Një gjyqtare në Miçigan refuzoi të pranonte një padi gjyqësore të ngritur nga fushata e Presidentit Donald Trump, që synonte ndalimin e numërimit të votave në këtë shtet “fushëbetejë”.
Mediat kanë parashikues kandidatin demokrat Joe Biden si fitues në Michigan, një shtet të cilin republikani Trump e fitoi në vitin 2016.
Gjyqtarja e Gjykatës së Ankimimit në Miçigan Cynthia Stephens e mori vendimin gjatë një seance të enjten. Ajo tha se do të publikonte një vendim me shkrim të premten.
Zyrtarët e fushatës së zotit Trump thanë se e kishin ngritur padinë për të ndalur numërimin në Miçigan dhe për të patur qasje më të madhe në procesin e numërimit.
Edhe e enjtja pa fitues në zgjedhjet presidenciale me kandidatin demokrat Joe Biden që i është afruar shumicës së votave të Kolegjit Elektoral dhe Presidentin Trump që po kërkon ndërprerjen e numërimit, ndërsa republikanët po ngrejnë padi gjyqësore për parregullsi në numërimin e votave.
Zoti Biden kryeson 253 me 214, për 270 votat e Kolegjit Elektoral, që i duhen fituesit. Numërimi vazhdon në katër shtete që do të përcaktojnë fituesin: Xhorxhia dhe Pensilvania në lindje dhe Arizona e Nevada në perëndim.
Zoti Trump kryeson në Xhorxhia e Pensilvani, ndërsa zoti Biden në dy të tjerat, por kryesimet janë në shifra të ulta, që i bën këto shtete ende të pavendosura.
Nëse kryesimi i zotit Biden në Arizona (11 vota elektorale) dhe Nevada (6 vota elektorale) mbetet deri në fund, ai do të siguronte 270 votat e duhura elektorale dhe do të bëhej presidenti i 46 i Shteteve të Bashkuara në janar, pavarësisht rezultatit në Pensilvani ose Xhorxhia.
Zoti Trump do të duhet të ruajë kryesimin në Pensilvani (20 vota elektorale) dhe Xhorxhia (16 vota elektorale) dhe të marrë veç tyre Arizonën, ose Nevadën, që të fitojë zgjedhjet.
Rezultati është i ngushtë në të katër shtetet. Në Xhorxhia, zoti Trump kryeson me rreth 14 mijë vota, ndërsa ka edhe 50 mijë fletë-votime ende të panumëruara.
Në Pensilvani, zoti Trump kryeson me 108 mijë vota, por numri i votave të panumëruara është rreth 500 mijë.
Zoti Biden kryeson me 12 mijë vota në Nevada dhe me 68 mijë në Arizona. Por ka ende shumjë vota pa u numëruar në të dyja shtetet.
Zoti Trump ka ende mundësi të fitojë në shtetet ku kryeson rivali Biden, si dhe të fitojë në Xhorxhia dhe Pensilvani.
Zoti Biden kryeson në votën popullore 71.8 milionë me 68.1 milionë. Por është Kolegji Elektoral ai që përcakton fituesin dhe jo vota popullore.
Përmes një postimi në Twitter zoti Trump kërkoi ndërprerjen e numërimit, por nëse shifrat do të ishin këto të tanishmet, Trump do të humbiste, duke u bërë presidenti i tretë, në katër dekadat e fundit, që nuk arrin të rizgjidhet pas mandatit të parë.