Lidhje

Zgjedhjet presidenciale 2020 në Amerikë: rezultate, analiza, përditësime të drejtëpërdrejta

Amerika zgjedh presidentin. Fituesi duhet të sigurojë 270 vota elektorale. Zgjedhje me pjesëmarrje rekord. Vëmendja tek presidenti, por sot votohet edhe për një-të-tretën e Senatit dhe për të gjitha, 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve.

Amerika zgjedh presidentin. Fituesi duhet të sigurojë 270 vota elektorale. Zgjedhje me pjesëmarrje rekord. Vëmendja tek presidenti, por sot votohet edhe për një-të-tretën e Senatit dhe për të gjitha, 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve.

22:40 4.11.2020

Twitteri pezullon llogari të rreme që shpallnin fituesin në një shtet

Twitteri pezulloi disa llogari që pretendonin në mënyrë të rreme se ishin të lidhura me agjencinë e lajmeve Associated Press. Llogaritë në fjalë përhapën rezultate të paverifikuara zgjedhore, sipas fotove të qarkulluara online dhe një analize të tyre.

Të katër llogaritë u çaktivizuan pasi njoftonin gjoja fituesin e njërit prej shteteve të lëkundura, që nuk ishte shpallur i tillë nga agjencia prestigjoze e lajmeve.

"Këto janë llogari false që nuk janë të lidhura me AP," tha agjencia në një deklaratë.

Drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe të Infrastrukturës pranë Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Christopher Krebs, tha në Twitter se "po shohim raporte nga llogari të rreme mediash që po shpallin fituesin në një shtet, mos u besoni!”

22:22 4.11.2020

Biden: “Çdo votë duhet të numërohet"

"Pas një nate të gjatë numërimi, është e qartë se jemi duke fituar mjaftueshëm shtete për të arritur 270 vota elektorale të nevojshme për të marrë presidencën," tha zoti Biden.

“Nuk jam këtu për të deklaruar se kemi fituar, por jam këtu për të raportuar se, kur të përfundojë numërimi, ne besojmë se do të jemi fituesit".

Ish-nënpresidenti Joe Biden tha se ndihet shumë mirë për pozicionin e fushatës së tij në Pensilvani.

“Çdo votë duhet të numërohet,” tha kandidati demokrat.

“Sapo zgjedhjet të jenë finalizuar, ky do të jetë momenti për të lënë pas retorikën e ashpër të fushatës,” tha ai.

“Nuk do të ketë shtete blu dhe shtete të kuqe, do të ketë vetëm Shtete të Bashkuara të Amerikës,” tha kandidati demokrat të mërkurën pasdite.

22:08 4.11.2020

Ankesa të reja ligjore nga ekipi elektoral i Presidentit Trump

Ekipi elektoral i zotit Trump njoftoi se ka paraqitur ankesa ligjore në shtetet e Pensilvanisë dhe Miçiganit, që mund të shërbejnë si bazë për të kundërshtuar rezultatin në këto shtete ende pa rezultat përfundimtar dhe që mund të jenë përcaktuese nëse presidenti do të sigurojë edhe një mandat të dytë. Ankesat në të dy shtetet kërkojnë qasje më të mirë të vëzhguesve në qendrat ku përpunohen dhe numërohen votat.

Ekipi elektoral i zotit Trump po ashtu kërkon të jetë pjesë e një ankese tjetër në Pensilvani që po shqyrtohet në Gjykatën e Lartë, që ka të bëjë me numërimin ose jo të votave që mbërrijnë në qendrat e numërimit tre ditë pas mbylljes së votimeve, sipas nën-kryetarit të ekipit elektoral të zotit Trump Justin Clark.

Avokatët e presidentit po kërkojnë ndalimin e përkohshëm të numërimit në të dy shtetet, derisa vëzhguesve t'u krijohet një qasje "domethënëse" në shumë qendra ku numërohen votat dhe të lejohen të shikojnë fletë-votimet që janë nxjerrë nga zarfet dhe janë përpunuar.

Presidenti Trump është në disavantazh të lehtë ndaj rivalit demokrat Biden në Miçigan. Presidenti vazhdon të kryesojë në Pensilvani, por diferenca po shkurtohet sa më shumë vota që numërohen.

22:00 4.11.2020

Rinumërimi i votës në shtete të ndryshme të SHBA

Kryetari i i ekipit elektoral të Presidentit Trump tha se do të kërkojë rinumërimin e votave në Uiskonsin. "Presidenti është brenda kufirit të lejueshëm për të kërkuar rinumërimin dhe do ta bëjmë këtë menjëherë," u shpreh zëdhënësi Bill Stepien.

Ja se si funksionon rinumërimi i votave në shtetet me rezultate të afërta në këto zgjedhje:

NEVADA nuk ka rinumërim automatik votash, por një kandidat i cili ka humbur, mund të kërkojë rinumërim, pavarësisht nga përqindja e humbjes. Rinumërim duhet të kërkohet brenda tre ditësh pasi të ketë përfunduar numërimi i votave. Paguan kandidati që kërkon rinumërimin.

UISKONSIN nuk ka rinumërim automatik votash, por mund të kërkohet një rinumërim i plotë ose i pjesshëm nëse përqindja e humbjes është më e vogël ose e barabartë me 1 përqind. Kërkesa duhet të bëhet në ditën e parë pas numërimit të votave. Paguan kandidati që kërkon rinumërimin, nëse përqindja është më shumë se 0.25 e votës së përgjithshme.

MIÇIGAN ka rinumërim automatik. Rinumërimi kërkohet nëse diferenca është më pak ose e barabartë me 2,000 vota. Kërkesa për rinumërim duhet të bëhet brenda 48 orësh pas përfundimit të numërimit të votës. Paguan kandidati që kërkon rinumërimin.

PENSILVANIA ka rinumërim automatik. Rinumërim është automatik nëse diferenca e fitores është më e vogël ose e barabartë me 0,5 përqind. Dy mënyra të tjera për kërkimin e rinumërimeve janë: kërkohen nënshkrimet e të paktën tre votuesve që vërtetojnë një gabim në numërimin e votave dhe shkohet në gjykatën e shtetit ku ngrihet padi që pretendojnë mashtrim dhe gabime në procesin e votimit.

Ngarko më shumë

XS
SM
MD
LG