Lidhje

Zgjedhjet presidenciale 2020 në Amerikë: rezultate, analiza, përditësime të drejtëpërdrejta

Amerika zgjedh presidentin. Fituesi duhet të sigurojë 270 vota elektorale. Zgjedhje me pjesëmarrje rekord. Vëmendja tek presidenti, por sot votohet edhe për një-të-tretën e Senatit dhe për të gjitha, 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve.

Amerika zgjedh presidentin. Fituesi duhet të sigurojë 270 vota elektorale. Zgjedhje me pjesëmarrje rekord. Vëmendja tek presidenti, por sot votohet edhe për një-të-tretën e Senatit dhe për të gjitha, 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve.

23:43 3.11.2020

Ekonomia, tema kryesore që​ dikton votë​n e amerikanë​ve

Një e treta e votuesve amerikanë rendisin ekonominë të parën ndër çështjet kryesore që diktojnë zgjedhjen e tyre për president, sipas anketës me amerikanë që sapo kanë votuar, zhvilluar nga kompania Edison Research. Dy ndër dhjetë votues thonë se për ta COVID-19 është kryesorja, po ashtu dy ndër dhjetë rendisin pabarazinë racore, ndërsa të anketuarit e tjerë flasin për krimin, sigurinë dhe kujdesin shëndetësor. Sipas anketës, gjysma e të anketuarve e shohin si të rëndësishme vënien nën kontroll të pandemicë, edhe nëse masa të tilla dëmtojnë ekonominë.

23:34 3.11.2020

Twitter bllokon llogari për "bashkëredim" postimesh mbi zgjedhjet

Platforma e medias sociale Twitter bllokoi të martën disa llogari të reja me prirje të djathta, që po postonin informacion mbi votimet në zona ku pritet të ketë garë të fortë mes kandidatëve presidencialë.

Twitter thotë se informacioni i postuar shkel politikat e kompanisë kundër “bashkërendimit” që nënkupton postimin në disa llogari të të njëjtit informacion, për të krijuar përshtypjen që individë të ndryshëm po postojnë në mënyrë të pavarur dhe pa lidhje me njeri-tjetrin.

Një nga llogaritë, SVNewsAlerts, kishte 69,000 pasues deri javën e kaluar. Kjo llogari shpesh ka paralajmëruar për trazira lidhur me zgjedhjet dhe për probleme lidhur me sigurinë e votës. Po ashtu në këtë llogari janë postuar pretendime të presidentit lidhur me mashtrime nga demokratët.

Llogari të tjera të bllokuara përfshijnë FJNewsReporter, Crisis_Intel dhe Faytuks.

21:38 3.11.2020

Gjykatësi urdhëron shërbimin postar të kontrollojë për vota të pashpërndara

Një gjykatës federal urdhëroi shërbimin postar (USPS) të kontrollojë një sërë qendrash për fletë-votime të dërguara me postë, që mund të kenë mbetur pa u shpërndarë dhe t'i dërgojë ato menjëherë në qendrat zgjedhore përkatëse. Urdhëri i gjykatësit përfshin shtete të tilla si Pensilvania, Florida, Karolina e Jugut, Kolorado, Arizona, Alabama dhe Uajoming. Disa prej tyre janë shtete që mund të përcaktojnë fatin e zgjedhjeve. Urdhëri i gjykatësit pasoi një njoftim të shërbimit postar se nuk ka arritur të skanojë për t'u shpërndarë brenda ditës së sotme rreth 300 mijë vota. Gjykatësi ka kërkuar që brenda orës 15 shërbimi postar të bëjë verifikimin se sa vota kanë mbetur pa u shpërndarë dhe të konfirmojë deri në orën 16:30 se asnjë votë nuk do mbesë pa u dërguar në destinacion.

20:09 3.11.2020

Zyrtarët amerikanë shprehin besim tek siguria e zgjedhjeve.

Sekretari në detyrë i Departamentit të Sigurisë Kombëtare Chad Wolf tha disa orë pas hapjes së qendrave të votimit se “nuk kemi të dhëna që ndonjë vend i huaj të ketë patur sukses në manipulimin ose ndryshimin e votave që janë hedhur”. Mbi 100 milionë amerikanë, ose mbi 75% e numrit të përgjithshëm të atyre që votuan në vitin 2016, morën pjesë në votimet e hershme, ose përmes postës, ose fizikisht, deri të martën në mëngjes. “Infrastruktura zgjedhore është e fortë”, tha zoti Wolf, duke shtuar se “gjithsesi ne jemi në gadishmëri të lartë”. Zyrtarët amerikanë kishin thënë ditët e fundit se ishin në dijeni të të paktën dy përpjekjeve për të hyrë në sistemet zgjedhore gjatë javëve të fundit, një nga Irani dhe një nga Rusia.

Ngarko më shumë

XS
SM
MD
LG