Lidhje

Presidenti serb po qëndron në Kosovë pas vrasjes së politikanit lokal serb


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të shtunën se Serbia do të bëj çdo gjë për të ruajtur paqen dhe për të zgjidhur mospajtimet me shqiptarët.

Ai i bëri këto komente në fillim të vizitës së tij në Kosovë, pak ditë pas vrasjes së politikanit lokal serb Oliver Ivanoviç, në veriun e Mitrovicës, një vrasje që nxiti shumë reagime por edhe shqetësime për shtimin e tensioneve në rajon.

Presidenti serb në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:23 0:00

Ai vuri buqetë lulesh në vendin ku ndodhi vrasja, ndërsa theksoi se qëllimi i vizitës së tij në Kosovë është që të bisedojë me serbët edhe për sigurinë, pas kësaj vrasjeje.

“Ta shohim se si dhe në ç'mënyrë do t’i zhvillojnë hetimet. Ne do të shkëmbejmë informacione, sepse po shoh që po flasin për shkëmbim të informacioneve edhe pse kemi kërkuar që të marrim pjesë në hetime. Por, do të presim, jo rrëfimet në gazeta, por rezultatet përfundimtare të hetimeve. Të shohim se a do të ndriçojnë hetimet kryesit e krimit të neveritshëm në Mitrovicë ose jo. Nëse kjo nuk ndodhë, atëherë mjaft gjëra do t’i kemi të qarta”, tha ai, duke porositur serbët e Kosovës që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe duke i siguruar ata për mbështetjen e Serbisë.

"Erdha të porosisë shqiptarët, pavarësisht që jo rrallë i përjetojnë serbët, nuk dua të them si armiq por si kundërshtarë, që jo rrallë kemi interesa të ndryshme, por Serbia jo vetëm që dëshiron paqen por do të japim gjithçka që ta ruajmë paqen dhe do të bëjmë çdo gjë që mospajtimet shumë prej dekadash, do të thosha madje prej shekujsh, t'i zgjidhim, të sigurojmë qëndrueshmërinë e paqes dhe sigurinë për çdo familje serbe dhe çdo familje shqiptare", tha presidenti serb, vizita e të cilit në Kosovë është miratuar nga autoritetet në Prishtinë.

Institucionet e Kosovës thanë se janë të përkushtuara për ndriçimin e vrasjes, por bën thirrje që ajo të mos shfrytëzohet për qëllime politike.

Beogradi ndërpreu të martën bisedimet teknike me Kosovën të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, pas vrasjes së Oliver Ivanoviçit, vrasje e cila nxiti reagime në shkallë të gjerë edhe të institucioneve ndërkombëtare të cilat krahas thirrjeve për ndriçimin sa më të shpejtë të saj, bënë thirrje për qetësi me drojën që incidenti mund të rrisë tensionet posaçërisht në veriun e Kosovës.

Serbia vazhdon të kundërshtojë shtetësinë e Kosovës e cila muajin e ardhshëm kremton dhjetëvjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Oliver Ivanoviç, drejtonte një nismë politike e cila u ishte nënshtruar trysnive gjatë zgjedhjeve për pushtetin komunal në tetor të viti 2017, në të cilat fitoi Lista Serbe një forcë politike që është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi. Në muajin korrik në rrethana të pasqaruara ishte djegur makina e tij.

Oliver Ivanoviç ishte në pritje të rigjykimit nën akuzat për krime lufte kundër popullatës civile. Në janar të vitit 2016, një gjykatë e drejtuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit e shpalli atë fajtor dhe e dënoi me nëntë vjet heqje lirie nën akuzat për “krime lufte kundër popullatës civile”.

Në muajin shkurt të vitit 2017, çështja u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit në Kosovë.

Oliver Ivanoviç, ishte përfshirë në politikë që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG