Policia gjermane tha të premten se ka arrestuar dy vëllezër të lindur në Kosovë nën dyshimet se po planifikonin një sulm në një qendër tregtare ne Gjermaninë perëndimore.
Policia tha të arrestuarit 28 dhe 31 vjeçar, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur, u arrestuan në Duisburg në rajonin industrial Ruhr në orët e hershme të mëngjesit të së premtes. Autoritetet dyshojnë se ata kishin planifikuar një sulm në qendrën tregtare Centro në Oberhausen.
Autoritetet janë duke hetuar nëse ka të dyshuar të tjerë dhe në ç'fazë ishte plani i të dyshuarve. Arrestimet pasuan një informacion nga shërbimet e sigurisë që çoi në shtimin e pranisë së policisë në qendrën tregtare Centro dhe në tregun e Krishtlindjeve në afërsi.
Nuk ishte e qartë fillimisht nëse të arrestuarit kishin të bënin me sulmin e së hënës në Berlin që la pas vetes 12 të vrarë, por policia në Essen tha se nuk ka asnjë provë që do të lidhtë të arrestuarit me sulmin.
Centro është një nga qendrat më të mëdha tregtare në Gjermani e hapur 20 vjet më parë dhe e cila ka më shumë se 250 dyqane.