Duke folur para një Komisionit të Kongresit të mërkurën, kryebashkiaku i Çikagos, Brandon Johnson mbrojti statusin e qytetit të tij si një "qytet që strehon imigrantët", që rregullon bashkëpunimin e policisë lokale me autoritetet federale të imigracionit. Në seancën dëgjimore në Kongres u paraqitën edhe kryebashkiakë të qyteteve të tjera.
Kryebashkiakët e Çikagos, Denverit, Nju Jorkut dhe Bostonit iu përgjigjën pyetjeve në lidhje me politikat e tyre si "qytete që strehojnë imigrantët" në një seancë dëgjimore në Uashington të mërkurën, të drejtuar nga ligjvënësi i Kentakit, James Comer.
“Ligji federal kërkon dorëzimin e imigrantëve të paligjshëm me të kaluar kriminale tek autoritet e imigracionit dhe ne kemi dëgjuar raporte se disa prej jush kanë thënë publikisht se do ta pengojnë këtë. Kjo është kundër ligjit dhe ne do të dëgjojmë më shumë për këtë sot”, tha ai.
Në fjalën e tij hapëse përpara Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Mbikëqyrjen dhe Reformën Qeveritare, kryebashkiaku demokrat i Çikagos, Brandon Johnson, mbrojti politikat e qytetit të tij.
“Rregulli që e përcakton Çikagon si “Një Qytet Mikëpritës”, ligjet dhe politikat tona nuk çojnë në rritje të krimit, ato nuk parandalojnë bashkëpunimin me organet e zbatimit të ligjeve federale për çështjet penale dhe ne nuk strehojmë kriminelë, ne i arrestojmë ata”, tha ai.
Këshilli i Qytetit të Çikagos, gjatë mandatit të kryebashkiakut demokrat Rahm Emanuel, miratoi ligjin "Qyteti Mikëpritës". Ligji mes tjerash kufizon aftësinë e agjentëve federalë të Imigracionit dhe Doganave për të marrë në pyetje të ndaluarit apo për të përdorur objektet e qytetit për hetime.
Me mbështetje dypartiake, shteti i Ilinoit miratoi një ligj të ngjashëm në vitin 2017.
"Këto qytete janë strehë për kriminelët."
Tom Homan është zyrtari i Shtëpisë së Bardhë që mbikëqyr përpjekjet e qeverisë federale për zbatimin e ligjeve të imigracionit.
“Dua që policia lokale të bëjë atë që mundet për të ndihmuar në arrestimet dhe eliminimin e kërcënimeve ndaj sigurisë në komunitetet e tyre”, thotë ai.
Në shkurt, Departamenti i Drejtësisë paditi qytetin e Çikagos dhe shtetin e Ilinoit, të udhëhequr nga Guvernatori demokrat J.B. Pritzker, për politikat e tyre të strehimit të imigrantëve.
Zoti Homan thotë se ai mirëpret përpjekjet për të bllokuar ligjet dhe rregullat që vështirësojnë përpjekjet e autoriteteve federale për të ndaluar imigrantët pa dokumente, duke përfshirë ata që kryejnë krime të dhunshme.
“Ne do të kërkojmë llogari nga qytetet që strehojnë imigrantët dhe do të ngrejmë padi ndaj tyre", tha ai.
"Shprehja "qytet strehë" nënkupton se autoritetet lokale nuk do të ndërmarrin hapa për të ndihmuar autoritetet e imigracionit, por kjo nuk thotë se ata do të pengojnë përpjekjet e autoriteteve të imigracionit."
Jacqueline Stevens është drejtore e Klinikës Kërkimore të Dëbimeve në Universitetin Northwestern.
"Nuk ka asgjë në ligjin federal që detyron në mënyrë pozitive që policia shtetërore, apo bashkitë të zbatojnë politikat e autoriteteve të imigracionit për dëbimin e imigrantëve. Administrata e guvernatorit Pritzker dhe zyrtarë të tjerë të zbatimit të ligjit kanë thënë se do të respektojnë ligjet."
Zonja Stevens thotë se përpjekjet e mëparshme për të sfiduar ligjshmërinë e politikave të qytetit për strehimin e imigrantëve kanë dështuar.
“Departamenti i Drejtësisë në vitin 2019 humbi një padi të tillë në Kaliforni dhe Gjykata e Lartë nuk pranoi ta shqyrtonte vendimin e një gjykate më të ulët, kështu që ai rast duket se mbetet një precedent për këtë çështje.”
Disa anëtarë të Këshillit Bashkiak të Çikagos u përpoqën të ndryshonin ligjin e qytetit për strehimin e imigrantëve në vitin 2023 pasi një valë emigrantësh mbingarkoi shërbimet publike të Çikagos. Por këshilli votoi kundër ndryshimit në janar.