Një zgjidhje novatore për të vënë në funksionim një aparaturë nga distanca, përmes përdorimit të proceseve biologjike natyrore si burim energjie, mund t'i ndihmojë fermerët të përfitojnë më shumë nga tokat e tyre. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, dy studentë nga Universiteti Northwestern zhvilluan një sensor për analizimin e dheut, që shfrytëzon energjinë e krijuar nga mikrobet.
Një nga sfidat më të mëdha për fermerin Tom Martin nga Ilinoi është të kuptojë cilësinë e tokës në fushat ku ai kultivon misrin dhe sojën.
“Aftësia për të ditur përmbajtjen e dheut në tokat tona është një nga elementët themelorë për prodhimet, sepse na ndihmon të kuptojmë se çfarë kultura bujqësore mund të kultivojmë. Testimet në të kaluarën nuk kanë qenë të besueshme”, thotë ai.
Informacioni mund të ndihmojë fermerin Tom Martin të dijë se çfarë sasie plehu artificial duhet të blejë. Por, një nga pengesat kryesore për përdorimin e apaturave që analizojnë të dhënave në arat e tij që janë larg, është furnizimi me energji elektrike i pajisjeve që mbledhin dhe analizojnë cilësinë e dheut.
"Përpiqem të gjej teknologji tjetër të re për të na ndihmuar të bëjmë një punë më të mirë për të kuptuar se çfarë po ndodh në tokat që mbjellim", thotë ai.
"E dija se kishte nevojë për sensorë me kosto më të ulët dhe përdorim më të lehtë dhe më të gjerë për të analizuar gjendjen e tokave bujqësore", thotë Laura Jaliff, studente pasuniversitare në Universitetin Northwestern.
Ajo ka punuar për zhvillimin e një pajisjeje që nuk ka nevojë për bateri dhe funksionon pothuajse kudo, në çfarëdo lloj kushtesh, ditën apo natën.
"Pajisja ka për qëllim të zgjidhë sfidën e analizimit të gjendjes së dheut në tokat bujqësore" , thotë ajo.
Qeliza mikrobiale e karburantit me të cilën punon studentja Laura Jaliff është krijuar nga studenti Bill Yen.
"Pajisja jonë funksionon duke tërhequr elektronet që çlirohen nga mikrobet dhe duke i shfrytëzuar ato si burim energjie", thotë ai.
Studiuesit zbuluan që në vitin 1911 për herë të parë se mikrobet mund të prodhonin natyrshëm energji elektrike. Por vetëm përparimet e kohëve të fundit, si sensori i dheut i zhvilluar nga studentët Yen dhe Jaliff, kanë arritur ta bëjnë të përdorshme këtë lloj energjie.
“Motivimi i përgjithshëm është të shtrijmë teknologjinë inteligjente përtej rrjetit të furnizimit me energji elektrike”, thotë zoti Yen.
Studenti Bill Yen thotë se qeliza mikrobiale furnizon me energji sensorët që ofrojnë informacion për inteligjencën artificiale, duke na ndihmuar të kuptojmë më mirë mjedisin.
Pajisja e studentit Bill Yen është përshtatur për përdorim në kushte të ndryshme. Procesi i krijimi të kësaj pajisje është i thjeshtë. Ajo mund të krijohet me burime publike dhe mund të ndërtohet përmes një printeri tre dimensional.
“Gjithçka ka një anodë dhe një katodë. Pra, ne kemi dy pjesë të elektrodës, njëra me polin pozitiv dh tjetra me atë negativ, që i kemi bërë me fije karboni. Pra, këto gjëra mund të bëhen me lëndë bimore. Fijet e karboni mund të krijohen kudo në botë përmes përpuimit të biomasës”, thotë ai.
Energjia natyrore e mikrobeve nuk është e mjaftueshme për të karikuar telefonat celularë, ose pajisjet personale. Mikrobet krijojnë vetëm rreth 200 mikrovat energji.
Rritja e përmasave gjithashtu nuk krijon më shumë energji.
"Ju nuk mund ta bëni atë dy herë më të madhe dhe të prisni të merrni dyfishin e sasisë së energjisë", thotë Bill Yen.
Por është e mjaftueshme t'i japë fermerit Tom Martin informacionin e duhur që mund t'i kursejë atij një shumë të konsiderueshme parash kur të vijë koha për të hedhur plehun artificial në arat e tij.
"Nuk bëhet fjalë vetëm për plehun artificial, por për gjithçka, për karburantin, punën", thotë ai.
Me informacionin që mund të sigurojë kjo pajisje, fermeri Tom Martin nuk ndihmon vetëm financat e tij duke reduktuar përdorimin e plehrave artificialë, por edhe mjedisin.