Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) publikoi sot Raportin krahasues të vlerësimit mbi punën e institucioneve të posaçme të drejtësisë gjatë vitit 2024, ku regjistrohen statistika të rritura në gjithë treguesit e gjykimit të çështjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Raporti vlerëson se gjatë vitit 2024 është bërë një përparim më i mirë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Përparimi i institucioneve të posaçme dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka hyrë në një fazë të re, … për të garantuar ndikim afatgjatë në sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë. Është thelbësore të intensifikohen përpjekjet për forcimin e zbatimit të ligjit, rritjen e efikasitetit të konfiskimeve të pasurive të paligjshme dhe sigurimin e një llogaridhënieje më të thelluar në nivelet e larta të qeverisjes”, thekson Raporti.
Drejtuesi i Qendrës CSDG dhe bashkautori i studimit, Arjan Dyrmishi, thotë për Zërin e Amerikës se, katër vitet e para mund të cilësohen si faza e ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë.
"Pas përfundimit të periudhës së ndërtimit të institucioneve të posaçme të drejtësisë në katër e vitet e para, shfaqen në vitin e pestë rezultatet e rritura sasiore në gjykimin e çështjeve dhe më tej presim rritjen e cilsësisë së punës me ndjekjen e krimit në nivelet e larta zyrtare", thotë zoti Dyrmishi.
Korrupsioni
Në Raportin e pestë të CSDG-së mbi institucionet e posaçme të drejtësisë dhe luftën e tyre kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar vërehet një dyfishim i çështjeve për korrupsion të dërguara për gjykim nga SPAK-u.
Gjatë vitit 2024 Prokuroria e Posaçme regjistroi 186 procedime për korrupsion, sa gjysma e mesatares së katër viteve, dhe 41 prej këtyre çështjeve i çoi për gjykim në GJKKO, që janë sa dyfishi (22%) i mesatares së katër viteve të fundit (11%) në raport me procedimet, thuhet në studim.
Numri i çështjeve të nisura për gjykim në 2024-ën janë sa mesatarja e katër viteve, megjithatë numri i çështjeve të dërguara për gjykim është sa çereku i procedimeve të regjistruara në 2024-ën, dhe një pjesë e madhe e çështjeve vazhdojnë të jenë në fazë hetimi.
Studimi vëren se në procedimet e regjistruara për korrupsion gjatë vitit të kaluar janë përfshirë 194 persona, nga të cilët treçereku (141) i tyre u dërguan për gjykim dhe 134 persona, ose pothuaj të gjithë (95%), u dënuan, ndërsa shumica dërrmuese e çështjeve kanë përfunduar me vendime dënimi.
Edhe numrat e dërguar për gjykim edhe ato të dënuar gjatë 2024-ës janë dukshëm më të larta se mesatarja e të katër viteve të marra së bashku.
Krimi i organizuar
Raporti vëren një shtim të çështjeve për krim të organizuar në Prokurorinë e Posaçme të dërguara për gjykim gjatë vitit 2024. Nga 101 procedime të regjistruara, 21 u dërguan për gjykim, ose afro një e pesta e tyre. Kjo përqindje është afro tre herë më e lartë se mesatarja e katër viteve (7.3%). Gjithësesi mbetet një diferencë e ndjeshme midis procedimeve të regjistruara dhe atyre të çuara në gjykim, ndërsa katër të pestat e çështjeve janë në fazë hetimi. Në çështjet e regjistruara për gjykim nën dyshimet për krim të organizuar janë përfshirë 262 persona, dhe më shumë se gjysma e tyre, 134 vetë (51%), janë dërguar për gjykim, shifër kjo po ashtu më e lartë se mesatarja e katër viteve (44%). Nga këta 134 të pandehur të dërguar për gjykim, 88 (ose 66% e tyre) janë dënuar, një shifër gjithashtu më e lartë se mesatarja e katër viteve (61.8%). Raporti thekson se norma e dënimeve për krim të organizuar (66%) është më e ulët se ajo e çështjeve të korrupsionit (95%).
Vlerësime pas statistikave
Gjatë vitit 2024 janë rritur numrat dhe vlerat e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara, thuhet në Raport, por konfiskimi i pasurive të zyrtarëve të lartë mbetet me shifra tepër të ulëta dhe mangësi të ndjeshme.
Shpërdorimi i detyrës dhe përfitimi i paligjshëm i interesave përbëjnë shumicën e dënimeve për korrupsion të zyrtarëve të lartë, vëren Raporti, ndërsa korrupsioni, manipulimi i tenderave dhe prokurimeve për zyrtarët e lartë përbëjnë një numër më të kufizuar rastesh. Por nga 8 vendime për korrupsion të nivelit të lartë gjatë vitit 2024, shtatë përfshijnë kryetarë bashkish, ndërsa një rast lidhet me sistemin e drejtësisë, thuhet në Raport.
Shumica e rasteve, sipas studimit, kanë të bëjnë me abuzime mbi kontrata publike dhe prokurime vendore me ndikim të kufizuar rajonal apo bashkiak, transaksione të vogla financiare, pagesa të drejtpërdrejta dhe keqpërdorim të fondeve publike, pa mekanizma të ndërlikuar të fshehjes financiare.
Autorët vërejnë se korrupsioni përdoret shpesh jo vetëm përfitime financiare, por edhe si mjet për ndikim politik, duke përforcuar klientelizmin dhe kapjen e shtetit në nivel vendor.
Raporti veçon se kryetarët e bashkive janë më të ndjekurit penalisht për korrupsion, ndërsa nuk ka patur asnjë vendim që përfshin zyrtarë të nivelit të lartë nga pushteti ekzekutiv apo legjislativ.
Edhe numri i magjistratëve të përfshirë në korrupsion mbetet i ulët, pavarësisht se shumë prej tyre u larguan nga detyra për shkelje të lidhura me pasurinë, integritetin dhe profesionalizmin, vëren Raporti i CSDG-së.
Komentet e drejtuesit të SPAK-ut, Altin Dumani
Drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, tha në konferencë se në bashkëpunim partnerë ndërkombëtarë po kryen hetime dhe po goditen grupe dhe organizata kriminale të përfshira në trafiqe ndërkombëtare të drogës dhe qenieve njerëzore, pastrim parash dhe krime ndaj kundërshtarëve të tyre, sekuestrimet e pasurive të tyre janë rritur në 59 milionë euro, e po ashtu po hetohen çështje të vështira korrupsioni dhe zyrtarë të lartë shtetërorë.
“SPAK-u ka treguar se është në gjendje, në respektim të ligjit dhe të Kushtetutës, të kryejë në pavarësi të plotë hetime të guximshme kundër zyrtarëve të lartë shtetërorë, çka dëshmon se epoka e paprekshmërisë po lëkundet”, tha zoti Dumani.
Zoti Dumani tha se besimi tek reforma në drejtësi po rritet dhe qytetarët po vetëdijësohen se të gjithë vijnë as ligjit, por sërish ka sfida, që SPAK-u do t’i përballë me integritet, pa u ndikuar nga faktorë të tjerë.
I pyetur në konferencë mbi masat e sigurisë ndaj të dyshuarve për çështje të ndryshme, zoti Dumani tha se ato janë të larmishme dhe arresti me burg kërkuar nga SPAK-u zë vetëm një përqindje të vogël, kryesisht i përkasin krimit të organizuar, ndërsa në çështjet e dyshuara për korrupsion, afro gjysma e personave hetohen në gjendje të lirë, madje edhe trendi i arresteve me burg është në rënie.
“Përpjekja për të vendosur SPAK-un si një institucion represiv është një përpjekje e dështuar, sepse shifrat flasin vet. Institucioni ka publikuar numrin e përgjithshëm të paraburgosurve për llogari të SPAK-ut në raport me numrin total të paraburgosurve në Shqipëri; ata janë vetëm më pak se 9 për qind dhe këta në masën absolute janë për veprën e krimit të organizuar”, tha zoti Dumani.
Komente të kryeministrit Edi Rama
Në një njëjtën kohë dhe në një tjetër tubim pak metra më tej, kryeministri Edi Rama tha para grupit parlamentar të Partisë Socialiste, se shumica qeverisëse kreu reformën në drejtësi, ngriti SPAK-un dhe GJKKO-në, me vullnetin politik për të luftuar korrupsionin përmes një drejtësie të pavarur dhe europiane, me prova, me procese të rregullta, me respekt për liritë dhe të drejtat e njeriut.
“Tani kemi hyrë në fazën e dytë; faza e dytë është drejtësia europiane, jo drejtësi ruse. Faza e dytë është drejtësi, ku pavarësia është vetëm njëri nga kushtet, dhe ku profesionalizimi dhe standardet demokratike janë dy kushtet e tjera të panegociueshme”, tha zoti Rama.
Kryeministri theksoi se institucionet e reja i kanë të gjithë kushtet për hetime dhe drejtësi të pavarur, por jo të merren masa sigurie që rrëzohen në Gjykatën e Strasburgut, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, ndërsa drejtësia shqiptare nuk duhet të ketë “metoda të sigurimit të shtetit”, teksa “shoqëria civile dhe të pavarurit kërkojnë pa pushim vetëm represion”.
Zoti Rama i cilësoi si “të nxituara”, si “një numër marramendës për një çështje dy-trevjeçare, pa flagrancë” dhe “një goditje pa arsye ndaj një universiteti” 24 masat e arrestit “pa gjyq” për punonjës të Universitetit Bujqësor gjatë një dëgjese me Rektorin e atij Universiteti.
“Unë nuk kam absolutisht asgjë kundër hetimit. Përkundrazi, e inkurajoj deri në fund të dalin ata që kanë prekur qoftë dhe 1 euro të buxhetit të shtetit, por ama këto paraburgimet me një të rënë të lapsit dhe këto noterizimet në Gjykatën Speciale, me filozofinë që çfarë çojmë ne atje, ata vetëm e firmosin, patjetër, se ne jemi Amerika, këto nuk i pranoj më dhe s’kam për t’i pranuar më”, tha zoti Rama.
Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Organizatës Transparency International për vitin 2024 Shqipëria u rrit me 5 pikë dhe u ngjit me 18 vende në renditje krahasuar me një vit më parë, e 80-ta mes 180 shteteve.
Vendi ka hapur negociatat me BE-në për Grup-Kapitujt e Parë, që i përket sundimit të ligjit dhe arritjes së standarteve në këtë fushë, ndaj rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar vlerësohen si të një rëndësie thelbësore për procesin e anëtarësimit europian.