Në Tiranë, arrestimi i kryebashkiakut Erjon Veliaj nën dyshimet për korrupsion vazhdon të mbajë të tensionuar qarqet politike. Kuvendi ndërpreu prej tensioneve dhe shtyu për të hënën seancën plenare, ku sot pritej të miratoheshin disa ndryshime në Kodin Zgjedhor për të lehtësuar votimin e diasporës në zgjedhjet e 11 majit. Deputeti i opozitës Flamur Noka u përjashtua nga seanca, pasi hodhi një shishe uji në drejtim të ministrit Taulant Balla.
Drejtuesja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ndërpreu sot punimet e seancës plenare dhe i shtyu për të hënën, pasi deputeti i opozitës Flamur Noka hodhi një shishe uji në drejtim të ministrit Taulant Balla, ndërsa ky i fundit ishte duke folur.
Temë qendrore e fjalimeve jashtë programit, që shkaktoi tensionet disaorëshe në seancën e sotme, e cila u ndërpre disa herë, ishte arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës Erjon Veliaj, nën akuza për korrupsion.
Në seancën e sotme pritej shqyrtimi dhe miratimi i në seri ndryshimesh në Kodin Zgjedhor, që lehtësonin edhe më tej votimin e diasporës dhe shqiptarëve nga jashtë vendit.
Ndryshimet ligjore të propozuara nga shumica dhe opozita synojnë të ulin në zero shpenzimet postare për votat nga jashtë, numërimin e këtyre votave nga një komision i balancuar dypartiak, si dhe afrimin e afateve për regjistrim të partive dhe kandidatëve në garë.
“Është një lajm i mirë për politikën, që brenda një kohe të shkurtër gjendet mirëkuptimi në Kuvend për procesin zgjedhor dhe për më tepër, që ky mirëkuptim vjen për të lehtësuar procedurat e votimit të shqiptarëve nga jashtë. Regjistrimi i tyre në shifra dhe në ecurinë teknike po ecën shumë mirë dhe kjo është një surprizë pozitive në mbarëvajtjen tërësore të zgjedhjeve”, tha Damian Gjiknuri, deputet i Partisë Socialiste.
Ndryshimet e para i propozoi një grup deputetësh të Partisë Socialiste lidhur me procedurat e votimit nga jashtë. Shërbimet postare për nisjen dhe kthimin e fletës së votimit paguhet nga KQZ-ja, pra për votuesit shpenzimet janë zero.
Votat nga jashtë numërohen prej një komisioni me 4 anëtarë, dy nga shumica e nga dy nga opozita. Ndërsa ndryshimi i dytë u propozua nga një grup deputetësh të PD-së dhe synon të njohë si dokumenta identifikimi shqiptare brenda afatit të vlefshmërisë dhe pavarësisht afatit të vlefshmërisë, si dhe pasaporta të lëshuara nga SHBA-ja, BE-ja dhe vende të tjera.
Kjo është e vetmja kërkesë që shumica nuk ia ka pranuar opozitës deri tani, ndërsa për pikat e tjera është gjetur dakordësia mes palëve, deri edhe shkurtimi i afateve për rëgjistrim, në mënyrë që fletët e votimit të prodhohen sa më parë për t’u nisur jashtë vendit.
“Vonesat në miratimin e këtyre lehtësirave socialistë i shkaktuan për të dekurajuar regjistrimet e votuesve nga jashtë përmes refuzimit të dokumentave me afate të tejkaluara dhe duke thënë se një votë mund të shkojë deri në 40 euro. Ja tani, falë këmbënguljes së opozitës vota është falas krejt e mbuluar nga KQZ-ja dhe mund të votohet nga jashtë me dokumenta jashtë afateve të vlefshmërisë”, tha Oerd Bylykbashi, deputet i Partisë Demokratike.
Ndryshimet e pritshme ligjore përmushin shqetësimet e KQZ-së për kosto zero të votimit nga jashtë, shkurtim afatesh për regjistrim dhe të partive dhe të ankesave në gjykatë nga diaspora deri 30 ditë përpara datës së zgjedhjeve.
Madje në programin e seancës së sotme plenare, që u shty prej tensioneve ishte edhe miratimi i fondit 1.5 milionë dollarë për financimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhjet e majit 2025.
Zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit janë tashmë vetëm tre muaj larg, dhe dy partitë kryesore pritet të gjejnë mirëkuptimin për ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor, që të lehtësohet sa më shumë të jetë e mundur votimi i diasporës, e cila jozyrtarisht përbën afro një të tretën e regjistrit të zgjedhësve, i cili përmban 3.7 milionë votues.
Në Kodin Zgjedhor nuk u përfshinë reformat e kërkuara nga ekspertët ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it, të cilët kanë renditur si shqetësime kryesore të zgjedhjeve shqiptare komisionerët militantë partiakë, përdorimin e burimeve shtetërore në fushata zgjedhore, si dhe ngushtimin e hapësirave për blerje votash, kërcënim dhe presione ndaj votuesve.