Lidhje

Liria e medias shqiptare, një sfidë për integrimin, nis projekti i ri për dialog


Tubimi për lirinë e medias sot në Fakultetin e Gazetarisë
Tubimi për lirinë e medias sot në Fakultetin e Gazetarisë

Fakulteti i Gazetarisë i Universitetit të Tiranës, Këshilli i Europës dhe Bashkimi Europian publikuan sot projektin më të ri mbi lirinë e shtypit, duke ndërtuar një dialog të hapur midis medias, qeverisë dhe shoqërisë civile. Shqipëria ka përpara një seri angazhimesh për të rregulluar mjedisin mediatik, në vijim të negociatave për anëtarësim në BE. Përqëndrimi i pronësisë së medias në pak duar, mungesa e transparencës mbi financimin e medias, si dhe kërcënimet për sigurinë e gazetarëve janë disa nga sfidat kryesore, që ndesh shtypi shqiptar çdo ditë.

Në Fakultetin e Gazetarisë së Universitetit të Tiranës u publikua sot projekti më i fundit i shoqërisë civile, financuar nga BE-ja dhe Këshilli i Europës, i cili synon të ndërtojë një dialog gjithëpërfshirës mes qeverisë, medias dhe organizatave jofitimprurëse të kësaj fushe.

Dekani i Fakultetit të Histori - Filologjisë, Mark Marku, tha që risia është se tani nismat nuk do të vijnë nga qeveria, por nga komuniteti i medias.

“Aktualisht Shqipëria ka hapur negociatat me BE-në, ku po i kërkohen një seri kriteresh për anëtarësim, ndaj është edhe çasti i duhur që të dialogohet për të përmirësuar mjedisin mediatik në përputhje me standartet europiane”, tha zoti Marku.

Ekspertët pohuan në tubim se media shqiptare përballet sot me sfidat më të mëdha qysh nga fillimi i pluralizmit, duke filluar nga përqëndrimi në pak duar të audiencës dhe të ardhurave, problemet që ndeshin gazetarët si kërcënimet, censura dhe vetëcensura, mungesa e burimeve njerëzore dhe financiare në media, mundësia për hapësirë dhe kohë që të raportohet në mënyrë profesionale.

“Qeveria duhet të zbatojë ligjet mbi lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes. Shqipëria ka një set rregullator për sa i përket lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, por ajo ku dështojmë është zbatimi i saj. Nëse këto nisma do ta shtyjnë qeverinë në zbatimin e këtyre ligjeve, kjo sigurisht do të ishte një hap pozitiv”, tha për Zërin e Amerikës, kryeredaktori i Rrjetit BIRN për gazetari investigative, Besar Likmeta.

Përfaqësues të institucioneve europiane pohuan se e drejta për lirinë e shprehjes dhe informimit është një gur themeli i çdo shoqërie demokratike dhe Shqipëria si një shtet anëtar i Këshillit të Evropës, duhet të përmbushë garancitë ligjore për lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve që punojnë në një mjedis mediatik të pavarur dhe pluralist.

Drejtuesi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ambasador Silvio Gonzato, tha në tubim se disa tregues mbi gjendjen e medias janë në vazhdimësi negativë, të cilat vendi duhet t’i përmirësojë në procesin e negociatave.

Nëse vendi nuk i trajton sfida të tilla që lidhen me çështjet si siguria e gazetarëve, aksesi në informacion, apo çështje thelbësore si pronësia e medias, Shqipëria nuk do të arrini të tejkalojë temat thelbësore të fushës së demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, tha amba. Gonzato.

Vetërregullimi i medias sipas standarteve ndërkombëtare është rruga më e mirë për një vend, ku mungon liria dhe ku qeveria nuk është dashamirëse ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, tha për Zërin e Amerikës zoti Likmeta i rrjetit BIRN.

“Kjo nuk është një rrugë e lehtë. Kërkon organizata mediatike aktive dhe në një vend ku organizatat mediatike ndikohen nga interesat politike dhe ekonomike të pronarëve si dhe nga ndikimi që mund të kenë partitë politike, qeveria, krimi i organizuar ose aktorë të tjerë te këto interesa, atëherë është shumë vështirë që ato të bëhen bashkë dhe të vendosin rregulla për të bërë një lloj gazetarie profesionale dhe etike që respekton nevojën dhe të drejtën e publikut për t’u informuar”, tha zoti Likmeta.

Projekti shënon një përpjekje të re për të ndërtuar një dialog mes komunitetit të gazetarëve dhe qeverisë mbi lirinë e shprehjes dhe medias, mbi shkeljet e lirisë së shtypit dhe pasigurinë e gazetarëve, gazetarinë e pavarur, gjetjen e informacionit dhe mbi pronësinë e mediave.

Vitin e kaluar nga organizata vendase u regjistruan 45 raste të sulmit ndaj gazetarëve, ku përfshihen presione, kërcënimeve dhe goditje fizike ndaj tyre, të cilat hetohen me ngadalësi.

Shpifja ende nuk dekriminalizuar plotësisht dhe vazhdon të mbetet kundravajtje penale dhe e parregulluar me standartet europiane, ndërsa paditë e rreme slap ndikojnë në vetcensurimin dhe frenimin e gazeatarëve në punë, pohuan vëzhguesit vendas.

XS
SM
MD
LG