Duke e cilësuar si anëtar i një grupi të strukturuar kriminal, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kërkoi sot Gjykatës së Posaçme të konfiskojë pasuritë e Ervis Martinajt, të sekuestruara dy vjet më parë.
Në fillim të vitit 2023 Prokuroria e Posaçme nisi hetimin pasuror ndaj Martinajt, si i dyshuar për “Grup të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, si dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Indrit Dokle, kryer në bashkëpunim të posaçëm të grupit të strukturuar kriminal.
Prokuroria ka renditur 31 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të Martinajt nën hetim pasuror dhe personave të lidhur me të, duke i quajtur si të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe të dyshuara se janë rezultat i veprimtarisë kriminale të personave të hetuar dhe të personave të lidhur me ta.
Në listën e pronave janë përfshirë 3 subjekte si dhe 8 shoqëri dhe aksione në to, pesë automjete, një llogari bankare, 567 metër katrorë apartamente në Vlorë, Kurbin e Tiranë dhe një vilë në periferi të kryeqytetit, 4 hektarë toka në Sarandë, Kurbin e Tiranë, mbi 1 hektarë ullishte në Dhërmi e Tiranë si dhe njësi shitore 137 metër katrorë në kryeqytet.
Ervis Martinaj është zhdukur prej disa kohësh, ndërsa dyshohet se është një figurë e njohur e krimit të organizuar, ndaj është lëshuar një urdhër arresti për të.
Emri i tij ka dalë edhe në hetimet e disa vrasjeve dhe përpjekjeve për vrasje, ku dyshohet të jetë përfshirë Martinaj, hetime gjatë të cilave Prokuroria e Posaçme arrestoi korrikun e vitit të kaluar ish drejtuesin e Prokurorisë së Kukësit Xhevair Lita, ish drejtorin e Forcës Operacionale të Policisë Oltion Bistri, sipërmarrësin Pëllumb Gjoka, ish shefa e punonjës policie dhe emra të njohur të botës së krimit.