Lidhje

Tiranë, nisin ceremonitë nderuese për Kryepeshkopin e ndjerë Anastas


Ceremonitë në nderim të Kryepeshkpit Anastas
Ceremonitë në nderim të Kryepeshkpit Anastas

Në Tiranë mbërriti sot para Katedrales “Ngjallja e Krishtit” kortezhi mortor me trupin e pajetë të Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos.

Në shërbesën e përshpirtjes morën pjesë qindra besimtarë dhe klerikë të lartë. Kisha Ortodokse shpalli pesë ditë zie për nderim të Kryepeshkopit të ndjerë Anastas, i cili shërbeu për mbi 32 vjet në krye të saj, dhe ndërroi jetë në moshën 95 vjeçare në një spital të Athinës fundjavën e kaluar.

Ceremonitë nderuese për Kryepeshkopin Anastas zhvillohen sot dhe nesër në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në kryeqytet, ndërsa liturgjia hyjnore dhe shërbesat e varrimit do të kryhen të enjten brenda katedrales, bazuar në traditat shumë-shekullore të kishës.

Anastas Janullatos u zgjodh kryepeshkop i Kishës Ortodokse të Shqipërisë në mesin e vitit 1992, ndërsa kisha, ashtu si dhe gjithë vendi, sapo kishte dalë nga diktatura komuniste, kur besimet fetare ishin të ndaluara.

Ai drejtoi ringritjen e kishës dhe besimit ortodoks në Shqipëri, si dhe ndërtimin e rreth 500 objekteve të kultit në gjithë vendin. Krahas veprimtarisë klerikale, humanitare dhe arsimore,

Kryepeshkopi Anastas është autor i një serie librash fetarë e sociologjikë, dhe vlerësohet si një nga kontribuesit e harmonisë ndërfetare në Shqipëri.

Pas largimit të tij nga kjo jetë, Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë ka zgjedhur Mitropolitin e Korçës, Imzot Joanin, si Mbikëqyrës të Fronit Kryepiskopal.

XS
SM
MD
LG