Lidhje

Ndërron jetë Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos


Kryepeshkopi Anastas Janullatos, Kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë
Kryepeshkopi Anastas Janullatos, Kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë

Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos, ndërroi jetë sot në një spital të Athinës, në moshën 95 vjeçare.

Në ditët mes ndërrimit të viteve ai u shtrua në një nga spitalet e Tiranës dhe më pas u dërgua në Spitalin e Ungjillëzimit në Athinë.

Ndërron jetë Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:04 0:00

Nga mesi i vitit 1992 Anastas Janullatos u zgjodh Kryepeshkop i Kishës Ortodokse të Shqipërisë së sapodalë nga diktatura komuniste, e cila ndaloi besimet fetare, si dhe vrau e burgosi shumë klerikë e besimtarë.

“Ngjallja forcon shpresën se do të mposhten përfundimisht padrejtësia, smira, korrupsioni, gënjeshtra dhe arroganca, që e vrasin paqen”, theksonte kryepeshkopi Anastas në mesazhet e tij publike.

I lindur në Pire të Greqisë, Kryepeshkopi Anastas mbajti 8 vjetët e fundit të jetës edhe shtetësinë shqiptare.

Ai mbërriti në Tiranë bashkë me polemikat mbi kombësinë greke të drejtuesit kryesor të Kishës Ortodokse shqiptare, si dhe për lidhjet e ngushta të tij me Greqinë, ndonëse formalisht i mikpritur nga ish Presidenti Sali Berisha dhe autoritetet shtetërore.

Pakënaqësitë mbi kombësinë e Kryepeshkopit Anastas dilnin në pah sa herë që tensionoheshin marrëdhëniet diplomatike shqiptaro - greke, edhe pse nuk ekzistonte ndonjë lidhje midis këtyre temave.

Sulmet politike nga grupe pranë pushtetit arritën kulmin në vjeshtën e vitit 1994, kur ish Presidenti Sali Berisha përfshiu një nen në projekt-Kushtetutën e rrëzuar me referendum, i cili synonte largimin e Kryepeshkopit Anastas.

Në atë nen thuhej se “kryetarët e komuniteteve të mëdha fetare duhet të jenë shtetas shqiptarë, të lindur në Shqipëri dhe me banim të përhershëm në të në 20 vjetët e fundit”, ndërsa vendi sapo kishte dalë nga izolimi komunist jo vetëm me kisha të shkatërruara, por edhe me mungesa të mëdha në udhëheqësinë e arsimuar klerikale, e cila ishte burgosur, vrarë dhe përndjekur gjatë disa dekadave të diktaturës.

Refuzimi i kësaj projekt-Kushtetute nga qytetarët me votim në Referendum fashiti për një kohë presionet e qarqeve politike ndaj Kryepeshkopit Anastas, ndërsa Kushtetuta e re e miratuar më 1998 shpalli liritë fetare dhe pavarësinë e bashkësive fetare.

Por kundërshtimet ndaj tij mbeten aktive edhe sot në grupe të vogla besimtarësh dhe politikanësh.

Megjithatë nga viti 2010 ai mban medaljen e Presidencës së Republikës “Gjergj Kastrioti, Skënderbeu”, si dhe shtetësinë shqiptare që nga viti 2017.

“Histeria e konsumizmit dhe indiferenca shpirtërore e rrudhin interesin fetar. Kisha vazhdimisht na zbulon se Perëndia është dashuri”, thoshte kryepeshkopi Anastas.

Për më shumë se tre dekada Kryepeshkopi Anastas drejtoi ringritjen e kishës dhe besimit ortodoks në Shqipëri, si dhe ndërtimin e rreth 500 objekteve të kultit anembanë vendit.

Mes tyre janë edhe restaurimet e dhjetëra kishave të vjetëra shqiptare nga tradita e hershme shumëshekullore.

Ai ngriti pesë qendra mjekësore, një akademi teologjie, një universitet, dy institute, një lice, 5 shkolla filore e të mesme.

Kryepeshkopi Anastas ishte diplomuar për Teologji në Universitetin e Athinës në mesin e shekullit të kaluar, dhe më pas kreu studimet pasuniversitare në këtë fushë në Universitetin e Hamburgut në Gjermani.

Ai iu kushtua studimeve dhe shërbimeve fetare nga rinia e deri në fund të jetës së vet.

Zotërues i disa gjuhëve të huaja dhe titujve nderimi nga shumë shtete, Kisha dhe universitete, Kryepeshkopi Anastas ishte profesor dhe doktor nderi në qendra shkencore e fetare në Greqi, Shqipëri, SHBA, Itali, Rumani, Austri, Rusi, Gjeorgji, Egjipt.

Kryepeshkopi Anastas është autor i një serie librash fetarë e sociologjikë, përkthimesh dhe artikujsh në periodikë të ndryshëm, si dhe një nga kontribuesit e harmonisë ndërfetare në Shqipëri.

Pesë ditë zie dhe ceremonitë nderuese

Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë shpalli pesë ditë zie kishtare për nderim të Kryepeshkopit të ndjerë Anastas dhe zgjodhi Mitropolitin e Korçës, Imzot Joanin, si Mbikëqyrës të Fronit Kryepiskopal.

Ceremonitë nderuese pritet të mbahen të martën dhe të mërkurën e ardhshme në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në kryeqytet, ndërsa liturgjia hyjnore dhe shërbesat e varrimit janë organizuar për të enjten, në respekt të dëshirës së Hirësisë Anastas, që trupi i tij të prehet në Shqipëri.

Reagime të personaliteteve shtetërore dhe politike

Presidenti Bajram Begaj shprehu ngushëllimet e tij për largimin nga kjo jetë e Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, Anastas, duke e cilësuar “një udhëheqës të dashur dhe të nderuar”. Ai tha se Kryepeshkopi Anastas “ka udhëhequr Kishën me mençuri, përkushtim dhe dashuri për njerëzit, duke kontribuar në forcimin e saj dhe në krijimin e një rrugë të re për besimin ortodoks shqiptar, veçanërisht pas periudhës së vështirë të kaluar”.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, theksoi në ngushëllimet e saj se Kryepeshkopi Anastas kishte vizion hyjnor, dashuri të pashterrshme, dije të gjera, erudicion të pafund, respekt për besimet dhe komunitetet e tjera fetare, shpirtin e tolerancës, përdëllimin e pashoq, komunikimin e ëmbël fetar e njerëzor dhe me to “në kushte të mungesave e vështirësive shumë të mëdha, për më shumë se tre dekada, ringriti dhe konsolidoi Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, projektoi, mbështeti e promovoi institucionet arsimore, humanitare, shëndetësore e kulturore dhe kontribuoi në harmoninë e bashkëjetesën fetare në Shqipëri e në botë”.

Kryeministri Edi Rama tha se i bashkohej ngushëllimeve dhe keqardhjes për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas, “duke uruar që të prehet në paqe, i përcjell ngushëllimet të gjithë bashkëpunëtorëve të tij dhe anëtarëve të komunitetit të besimtarëve ortodoksë”.

Në ngushëllimet e tij për besimtarët dhe kishën, kryetari i Partisë Demokratike të opozitës, Sali Berisha, shprehu “me nderim dhe respekt të veçantë, vlerësimin më të madh për kontributin e pavdekshëm të Fortlumturisë së tij në ringjalljen nga shkrumbi i diktaturës komuniste të Kishës Autoqefale të Shqipërisë”.

Ndërsa ish kryetarri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, theksoi në një mesazh se ky është një çast pikëllimi për të gjithë ata që njohën dhe vlerësuan kontributin e Kryepeshkopit Anastas për paqen, dialogun fetar dhe veprat bamirëse.

“Kryepeshkopi Anastas Janullatos do të mbetet një simbol i përkushtimit shpirtëror, i urtësisë dhe i forcës së karakterit, duke na kujtuar rëndësinë e bashkëjetesës fetare, të tolerancës dhe të dashurisë për çdo njeri”, shënoi zoti Basha.

XS
SM
MD
LG