Në Tiranë, nisi sot projekti “BE për Drejtësinë Digjitale”, me një fond prej 7.5 milionë euro, përmes të cilit sistemi gjyqësor do të përmirësojë menaxhimin elektronik të çështjeve në gjykata dhe prokurori, si dhe përpunimin e statistikave. Përfaqësues të institucioneve të drejtësisë pohuan sot se teknologjia aktuale në sistemin gjyqësor ka mangësi të shumta, ndërsa modernizimi që pritet nga ky projekt do të afrojë standartet e Shqipërisë me ato të Bashkimit Europian.
Në qendër të projektit të financuar nga Bashkimi Europian me një buxhet prej 7.5 milionë euro “BE për drejtësinë digjitale” është fuqizimi dhe mbështetja teknike për Qendrën e Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë, si dhe Sistemi i Menaxhimit të Çështjeve për Gjykatat dhe Prokurorinë.
Krahas përpunimit më të mirë të statistikave gjyqësore, projekti që do të zbatohet për 4 vjet nga zyra UNOPS-it, siguron bashkëpunimin e gjithë sistemeve të kësaj fushe, por vëmendje e posaçme është përqëndruar tek Sistemi i Menaxhimit të Çështjeve në Prokurorinë e Përgjithshme, ku sipas drejtuesit të saj, kufizimet janë të ndjeshme.
“Ne kemi një përvojë nga një projekt i mëparshëm mbi Sistemin e Menaxhimit të Çështjeve, që rezultoi difektoz. Sot Prokuroria e Përgjithshme ka një sistem, i cili punon me një të pestën e kapacitetit të tij, por këto janë gabime, nga të cilat ne duhet të mësojmë, që të mos i përsëritim në të ardhmen”, tha zoti Çela.
Përfaqësuesit e pranishëm të institucioneve të drejtësisë shpresojnë që për herë të parë transformimi digjital, që premton projekti, të zgjidhë për herë të parë dhe plotësisht çështjen e mangësive në statistikat e sistemit gjyqësor, ndërsa një ndër produktet më të shumëpritura është Dosja Digjitale, që do t’u shërbejë gjithë operatorëve të sistemit, për të prodhuar dhe përpunuar rezultatet e punës së tyre në mënyrë cilësore, të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse.
“Është realitet që ka një punë fizike të madhe, dhe më shumë kohë punonjësve të drejtësisë iu kalon me punën fizike e mbartjes dhe marrjes së dosjeve, e komunikimit të akteve se sa koha që realisht harxhojnë për t’i lexuar ato dhe për të dhënë atë që kanë misionin e tyre, për të dhënë drejtësinë. Besoj se ky digjitalizim do të rritë shpejtësinë e veprimeve, shërbimeve dhe efektivitetin e sistemit për ta dhënë drejtësinë sa më shpejt të jetë e mundur për qytetarin”, tha Ilir Rusi, kryetar i Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Ai shtoi se e ardhmja është bashkëpunimi digjital i gjithë hallkave të drejtësisë edhe pa qenë të pranishëm fizikisht, dhe krijimi i dosjeve digjitale të drejtësisë, por tha se krahas digjitializimit të sistemit gjyqësor, ndër tre objektivat e punës së tij janë është edhe ajo që gjykatat e shkallës së parë dhe Apelit në Tiranë si dhe prokuroria e shkallës së parë dhe apelit të kenë një ndërtesë të mjaftueshme pune.
Ndërsa ministri i drejtësisë, Ulsi Manja, tha se qeveria do të bashkëfinancojë projektin dhe do të krijojë kushtet për drejtësi transparente dhe cilësore me sistemin e ri, që do të jetë i shfrytëzueshëm nga çdo skaj i vendit dhe do të lehtësojë marrjen dhe monitorimin e shërbimeve gjyqësore, për të cilat gjendja aktuale është problematike.
“Çështje gjyqësore të zvarritura, stoku i mbartur i dosjeve, rritja e dosjeve të reja të regjistruara dhe infrastruktura e kufizuar e disponueshme e bëjnë drejtësinë digjitale mjetin e duhur për t’u përballur me sfidat e ardhshme të sistemit tonë të drejtësisë”, tha zoti Manja.
Ai theksoi se përparimi i Shqipërisë drejt BE-së bazohet tek reformimi rrënjësor dhe i pakthyeshëm i sistemit të drejtësisë, që vazhdon të mbështetet fuqishëm nga SHBA-të dhe BE-ja, me të cilët po nis edhe ndërtimi i drejtësisë digjitale.
Zbatimi i plotë i reformës në sistemin e drejtësisë është thelbësor për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, tha ambasadori i BE-së Silvio Gonzato, sepse lidhet më grupkapitullin e parë të negociatave, i cili ndikon mbi gjithë kapitujt e tjerë.
Drejtuesi i Delegacionit të BE-së theksoi se bashkëpunimi midis gjithë institucioneve të drejtësisë është thelbësor për zbatimin e reformës në drejtësi.
“Gjithë institucionet e drejtësisë kanë një rol për të luajtur; të sigurojnë paanshmërinë, pavarësinë, llogaridhënien, profesionalizmin, cilësinë dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor. Ky projekt për digjitalizimin e sistemit të drejtësisë dhe gjithë mbështetja jonë për reformimin e drejtësisë ka një objektiv kryesor; të garantojë për qytetarët shqiptarë cilësinë dhe efikasitetin e drejtësisë dhe shërbimeve gjyqësore”, tha ambasadori Gonzato.
Krahas stoqeve të çështjeve gjyqësore, sistemi gjyqësor shqiptar ka vuajtur në vite po ashtu nga mungesat në statistika të sakta, nga efikasiteti i ulët, shërbime të dobëta si dhe nga besimi i ulët prej qytetarëve shqiptarë.