Lidhje

Shqipëri, Erjola Braha në një rrëfim mbi rrugëtimin e saj në prodhimin e verës


Erjola Braha
Erjola Braha

Në Shqipëri, mjaft gra dhe vajza po prekin realitete të reja në fushën e biznesit. Një prej tyre Erjola Braha, prej më shumë se dy dekadash ia ka dalë të ndjehet e sigurt në fushën e enologjisë. Me një përvojë të fituar në vendin fqinj Itali, ajo sot përveç importit të verërave nga mjaft vende të botës, ka arritur të krijojë markën e saj të verës. Në një bisedë me korrespondenten e Zërit të Amerikës në Tiranë Mimoza Picarin, Zonja Braha thotë se nuk ka qenë një rrugë e lehtë për të, dhe se gjithçka e ka ngritur me besim dhe durim.

Shqipëri, Erjola Braha në një rrëfim mbi rrugëtimin e saj në prodhimin e verës
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:23 0:00

“Kam lindur në Durrës. Në moshën 10 vjeçare lashë vendin tim për një ëndërr të madhe që në atë kohë e quanim ëndrra amerikane. Udhëtimi im i parë me anijen “Vlora”, ishte ndër udhëtimet më të bukura. Atëherë fëmijë mendova se po na dërgonte drejt Amerikës, por në realitet arritëm në Bari të Italisë. Falë kësaj përvoje u thurën shumë ëndrra brenda meje. Dhe me këtë ëndërr që u zhvillua dhe u rrit me mua në Veneto, pranë vreshtave të Valdobbiadene, të cilin unë e quaj kryeqytetin e bulëzave, arrita të krijoj këtë ëndrrën amerikane në vendin tim në Shqipëri”- tregon për Zërin e Amerikës Erjola Braha, themeluese dhe drejtuese e “Alehandro Group”.

Erjola Braha në 7 gusht të vitit 1991 ndodhej në anijen Vlora, në krah të të afërmve të saj, të cilët po tentonin të emigronin në Itali. Një udhëtim që edhe pse ishte një eksperiencë tejet e vështirë për një vajzë vetëm 10 vjeç, në mendjen e saj ndriçohej nga disa drita- tregon ajo. Me fjalë të tjera, ishte shpresa për ëndrrat e saj. Shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë, që mbërritën në brigjet italiane me këtë anije, u riatdhesuan nga autoritetet italiane, ndërsa fati i dha Erjolës një tjetër drejtim në jetë,

qëndron atje. Pas afro një dekade ajo rikthehet në Shqipëri, fillimisht me ide të vogla, por me shumë guxim për t’i bërë ato të mëdha.

“Kthehem pas 10 vitesh në Shqipëri, dhe kuptoja që isha në vendin e duhur në momentin e duhur. Pasi frekuentoja ambientet e Tiranës dhe kërkoja një gotë verë të bardhë nga zonat e Italisë apo të Francës, dhe gjithmonë nuk e gjeja atë që kërkoja”- thotë Erjola.

E nisi bashkëpunimin me një prej kantinave më të njohura në zonën ku ishte rritur në Veneto të Italisë dhe preku realitetin e vështirë shqiptar, në tregëtimin e verërave.

“Në 6 vite që bëja durim, prezantoja, bëja vetë për kompaninë time dhe agjenten e shitjeve, prezantoja dhe drejtoja këtë biznes kaq të vogël, fillova ta edukoj tregun, ta diktoj ta orientoj, dhe me kalimin e viteve arritëm sot te ky realitet. Në 6 vitet e para ishte vetëm komunikim, pasi vera është tregim, vera është komunikim dhe më pas e shijon në fund, ka një histori në çdo shishe. Unë mundohesha të përcillja historinë e çdo produkti që përfaqësoja”- tregon Znj. Braha.

Sot Erjola drejtuese e “Alehandro group” importon verëra nga mjaft vende të botës.

“Alehandro Group, përfaqëson kantina nga e gjithë bota, importon verëra nga Zelanda e Re, Shtetet e Bashkuara, Kili, Argjentina, Italia, Franca, Hungaria, Portugalia dhe mjaft vende të tjera”- vijon ajo.

Dhe pas më shumë se 20 vitesh rrugëtim, në importin dhe tregëtimin e verërave në Shqipëri, Erjola Braha hedh një hap të ri. Me frymëzimin dhe mbështetjen e njohësve të fushës së enologjisë në Itali, ajo vjen me markën e saj të verës, duke hedhur në treg 5 mijë shishet e para.

“Është një emocion tepër i fortë, më emocionon më shumë sesa verërat që përfaqësoj dhe importoj, pasi është një krijesë e imja.

Kantina “Braha” ka prodhuar verën “Kroi i Kuq”, me varietete rrushi. Kemi varietetin Sheshi i Zi, Kallmet dhe një varietet internacional, Merlotin. Kemi bërë një blend, varietetet e rrushit dhe zonat i ka përzgjedhur enologu ynë Rodolfo Rizzi, President i shoqatës së Enologëve italianë për seksionin Friuli Venezia Gulia në Itali dhe gazetar i enologjisë. “Kroi i Bardhë” gjithashtu një blend, me 3 varietete rrushi, kemi Debinën, varietetin autokton, kemi sheshin e bardhë, kemi dhe Chardonnay, varietetin internacional, që i jep atë karakterin e duhur për të shijuar një verë të bardhë. Kroi kemi vendosur ta quajmë sepse përballë me kantinën tonë ndodhet një përrua”- tregon Erjola.

Erjola Braha pas këtij hapi mendon se ka ardhur koha për të përcjellë dijet në fushën e enologjisë edhe tek brazat e ardhshëm, përmes një strukture të posaçme që po krijon, e frymëzuar nga një prej enologëve më të njohur në botë, njëkohësisht dhe mentor i saj Ricardo Cotarela.

“Një ambient të veçantë ia kemi dedikuar akademisë “Alehandro”, për formimin e gjeneratës së re, për të apasionuarit e sektorit që t’i përmirësojmë në rrugëtimin profesional për sa i përket somelerisë, enologjisë dhe shitjeve. 200 nxënësit e parë do t’i formojmë ne si Alehandro Group, me mbështetjen e bashkëpunëtorëve ndërkombëtar nga Spanja, Italia, pra që kanë marrë pjesë në këtë iniciativë që të na mbështesin për të formuar 200 nxënësit e parë”- tregon Znj Braha.

Erjola Braha, ia ka dalë prej më shumë se 20 vitesh të mos tërhiqet përballë pengesave, sepse është mësuar t’i shohë ato si leskione që e bejnë më të fortë. Ajo ecën e sigurt tashmë krah sfidave të shumta, sespe kujton gjithmonë atë udhëtimin e saj të shpresës me anijen “Vlora” drejt Italisë në gusht të vitit 1991, dhe është e bindur se jo çdo dallgë të përplas dhe se mjaft prej tyre të nxjerrin pikërisht aty ku do ti, në breg.

XS
SM
MD
LG