Kur Donald Trump të betohet si presidenti i 47-të i vendit, në Shtëpinë e Bardhë do të ndodhin një seri gjërash në prapaskenë. Për rreth gjashtë orë, sendet personale të Presidentit në largim Joe Biden dhe familjes së tij do të hiqen nga rezidenca ekzekutive. Ndërkohë, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Dora Mekouar, rezidenca private do të shndërrohet në shtëpinë e presidentit të sapobetuar.
Në momentin që Joe Biden largohet nga Zyra Ovale për herë të fundit – zakonisht në mëngjesin e ditës së inaugurimit – punonjësit e Shtëpisë së Bardhë hidhen në veprim. Zyra e mirënjohur duhet të riorganizohet, sipas shijeve të presidentit të ardhshëm.
"Si u pëlqen që të jetë e pajisur Zyra Ovale? Çfarë tapeti? Çfarë perdesh, çfarë tavoline, etj, sepse kjo është zona e parë që përgatitet", thotë Angella Reid, ish-punonjëse në Shtëpinë e Bardhë.
Fotot tregojnë se Presidenti Biden ndryshoi tapetin dhe disa karrige në vitin 2017, pasi mori drejtimin nga Donald Trump-i – që është pararendësi dhe pasardhësi i tij.
Por duket se kolltukët dhe perdet kanë mbetur të njëjtat.
Familja e presidentit jeton në katin e dytë dhe të tretë të Shtëpisë së Bardhë.
Përpara ditës së zhvendosjes, presidenti i ardhshëm dhe zonja e parë përzgjedhin mobiljet dhe veprat e artit që dëshirojnë nga koleksioni i Shtëpisë së Bardhë. Në kohën kur presidenti i ri mbërrin në shtëpi në Ditën e Inaugurimit, i gjen të vendosura mobiljet, së bashku me fotot personale.
"Kur hyjnë presidenti i ri dhe zonja e parë, ata gjejnë shampon e tyre të preferuar në dush. Kanë furçën e dhëmbëve, pastën e dhëmbëve, rrobat e tyre të varura në dollap", thotë Kate Andersen Brower, autore e librit “Rezidenca” (“The Residence”).
Gjithçka ndodh në më pak se gjashtë orë dhe për këtë angazhohen rreth njëqind punonjës të Shtëpisë së Bardhë.
"Nuk realizohet nga profesionistë të ndonjë firme private. Është personeli i rezidencës që e bën këtë. Pra ndihmojnë të gjithë dhe këta nuk janë njerëz që janë të trajnuar për zhvendosjen. Nuk punësohen profesionistë për shkak të shqetësimeve të sigurisë", thotë zonja Brower.
Shumë nga personeli i rezidencës së Shtëpisë së Bardhë punuan për Donald Trump-in gjatë mandatit të tij të parë nga janari 2017 deri në janar 2021.
"Pra, punonjësve vërtet u pëlqente Donald Trump-i, sepse ai është mësuar të ketë njerëz përreth që i shërbejnë // dhe, ai madje u jepte bakshish në para të thata, me kartëmonedha 20-ëshe dhe 50-ëshe dhe ata e vlerësojnë këtë. Ata nuk janë persona politikë. U intereson vetëm se si i trajton presidenti”, thotë zonja Brower.
Presidenti Barack Obama e punësoi zonjën Angella Reid si drejtuese për shërbimet në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2011. Ajo mbikëqyri ditën e zhvendosjes në janar 2017, kur u largua familja Obama dhe hyri familja Trump.
"Përdornim termin 'kaos i organizuar', por në të vërtetë është një operacion shumë i koordinuar. // Bëhen prova disa herë për atë ditë; të gjithë mezi presin të vijë momenti", tregon zonja Reid.
Kishte disa probleme, si për shembull mund të përdorej vetëm një ashensor.
"Ashensori nuk përdorej në maksimum. E korrigjova këtë dhe fituam një orë kohë. Kishte raste për shembull kur dysheku i caktuar për ndonjë dhomë nuk ishte në madhësinë e duhur", thotë zonja Reid.
Por sfida kryesore është gjithmonë kufizimi kohor. Dhe ka vetëm rreth gjashtë orë për të bërë gjithçka gati, për ta mirëpritur familjen e re presidenciale në shtëpinë e tyre të re.