Ish-presidenti amerikan Jimmy Carter do të nderohet të enjten me një funeral në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, përpara se të varroset në shtetin e tij të Xhorxhias.
Në ceremoninë funebre të Uashingtonit do të marrin pjesë Presidenti Joe Biden, Presidenti i zgjedhur Donald Trump, si edhe ish-presidentët Bill Clinton, George W. Bush dhe Barack Obama. Presidenti Biden do të mbajë fjalimin për nder të tij.
Trupi i ish-Presidentit Carter do të dërgohet në Katedrale nga Kapitoli, ku publiku amerikan ka bërë nderimet e fundit për të që nga e marta.
Vizitorët e shumtë, ndër të cilët edhe zyrtarë të shumtë të zgjedhur dhe Nënpresidentja Kamala Harris, theksuan arritjet dhe humanizmin e ish-presidentit 100-vjeçar, i cili vdiq muajin e kaluar.
David Smith, profesor në Shkollën Carter për Paqen dhe Zgjidhjen e Konflikteve në Universitetin George Mason, tha se ish-presidenti padyshim ndikoi në karrierën e tij. Ai i tha Zërit të Amerikës se erdhi në Kapitol për të nderuar njeriun, por edhe për të nderuar kauzat e ish-Presidentit Carter.
"Ai pati një ndikim të tillë tek kaq shumë njerëz", tha ai. “Puna e tij për mbështetjen e pakicave, emërimet e grave në gjyqësor, mbrojtjen e mjedisit tonë, aktivizmin për të drejtat e njeriut – të gjitha ato gjëra janë shumë të rëndësishme për mua”.
Arkivoli i ish-presidentit i mbështjellë me flamur mbërriti në hollin e Kapitolit të martën, përpara funeralit shtetëror të së enjtes.
Në atë hapësirë madhështore – ku vetëm për rreth 50 amerikanë është bërë ky nderim i veçantë që nga viti 1852 – udhëheqësi i shumicës së Senatit Jon Thune, në një shërbesë të martën vonë, e përshkroi ish-Presidentin Carter si: “Një veteran i marinës, fermer kikirikësh, guvernator i Xhorxhias. Dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara. Mësues në shkollën e kishës. Fitues i çmimit Nobel. Mbrojtës për paqen dhe të drejtat e njeriut. Dhe para së gjithash, një shërbëtor besnik i krijuesit të tij dhe bashkëqytetarëve të tij".
Dhe Nënpresidentja Harris – e cila një ditë më parë, në këtë ndërtesë, çertifikoi fitoren e presidentit të ardhshëm – lartësoi politikën e ish-Presidentit Carter.
"Ai ishte presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara që kishte një politikë gjithëpërfshirëse energjetike, përfshirë sigurimin e një pjese të mbështetjes së parë federale për energjinë e pastër", tha ajo të martën. "Ai gjithashtu miratoi mbi dymbëdhjetë pjesë të mëdha të legjislacionit në lidhje me mbrojtjen e mjedisit. Dhe më shumë se dyfishoi madhësinë e parqeve kombëtare të Amerikës".
Zoti Carter, i cili shërbeu si presidenti i 39-të, vdiq më 29 dhjetor në moshën 100-vjeçare në shtëpinë e tij në Xhorxhias. Që atëherë, udhëtimi i tij i fundit e kaloi arkivolin e tij nëpër rrugët e ngushta të vendlindjes së tij të thjeshtë, qytezën Plains; nëpër bulevardet e Atlantës, kryeqytetit të shtetit, dhe përmes qiejve në Uashingtonin me dëborë, për funeralin e tij shtetëror.