Presidenti i zgjedhur Donald Trump njoftoi të martën se planifikon të marrë pjesë në funeralin e ish-Presidentit Jimmy Carter. Shërbimet funerale pritet të mbahen në Xhorxhia dhe në Uashington, gjatë datave 4 – 9 janar. Ish-Presidenti Carter dha një kontribut të gjatë filantropik pasi u largua nga detyra në Shtëpinë e Bardhë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, vullnetarët dhe mbështetësit e punës së tij filantropike janë duke mbajtur zi për vdekjen e tij.
Vullnetarja Suzanne Taylor nga qyteti Bufalo i Nju Jorkut, pranon se... nuk ka aftësi të veçanta.
“Nuk kam aftësi për ndërtim... Kam frikë fluturimin...”, tregon zonja Taylor, që shërben me organizatën “Habitat for Humanity”.
Por, kur po dhuronte fonde në internet për të ndihmuar përpjekjet humanitare pas tërmetit të vitit 2005 në Kashmir të Pakistanit, diçka i tërhoqi vëmendjen.
“...reklama thoshte se po pranonin aplikime për projektin e Jimmy Carter-it në Indi dhe më tërhoqi menjëherë. Kjo ishte ajo me të cilën duhet të merresha”, thotë zonja Taylor.
Ajo u bë vullnetare me organizatën “Habitat for Humanity” për të ndërtuar shtëpi përkrah ish-Presidentit Carter në Indi në vitin 2006. Ajo mori pjesë në rreth dymbëdhjetë projekte të tjera ndërtimi në mbarë globin, të drejtuara nga ish-presidenti dhe bashkëshortja e tij, Rosalynn.
“Mendoj se arsyeja e vetme përse u përfshiva ishte çifti Carter”, thotë zonja Taylor.
Për një javë çdo vit, çifti Carter ndërtonte shtëpi për organizatën “Habitat for Humanity”.
Pjesën tjetër të vitit, ata shërbenin në Qendrën Carter, për të “luftuar sëmundjet, për të ngjallur shpresë dhe për të vendosur paqen” në mbarë botën... Diçka që Chris Jones nga qyteti Portland i Oregonit nuk e dinte ende, ndërsa kërkonte për një organizatë për të cilën do të dhuronte paratë e tij. Së bashku me bashkëshorten Barb, zoti Jones u impresionua nga menaxhimi financiar i Qendrës Carter.
“Nuk e dija se Jimmy Carter ishte shumë i kujdesshëm për të mbikëqyrur se si shpenzoheshin fondet”, thotë ai.
Zoti Jones jo vetëm që dhuroi para ndër vite për Qendrën Carter, por edhe mori pjesë në një programet e saj kryesore për demokracinë – në monitorimin e zgjedhjeve.
“Ishin zgjedhjet e pranverës arabe në Tunizi në vitin 2014. Më telefonuan për të më kërkuar që të shkoja atje për një mision dyjavor dhe unë shkova”, thotë zoti Jones.
Zoti Jones mori pjesë më vonë edhe në misionin e monitorimit të zgjedhjeve në Liberi, në vitin 2017.
Ai është mirënjohës që puna humanitare globale e çiftit Carter i ofroi një mundësi përtej thjesht mbështetjes financiare. Ai thotë se monitorimi i zgjedhjeve ishte “transformues”.
“Monitorimi i qendrave të votimit, mbikëqyrja e numërimit të votave, më bënë të kuptoj se si funksionon procesi demokratik në këto vende”, thotë zoti Jones.
Ai thotë se Jimmy Carter do të mbahet mend më shumë për punën që bëri në vitet pas largimit nga Shtëpia e Bardhë.
“Mendoj se arritja për të cilën krenohej më shumë ishte Qendra Carter dhe dëshiroj që bota të mbajë mend se sa transformues ishte dhe se sa mirësi solli”, thotë zoti Jones.
Vullnetarja Suzanne Taylor synon ta vazhdojë kontributin për organizatën “Habitat for Humanity” dhe për Qendrën Carter. Ajo thotë se dëshmia më e madhe për punën e çiftit Carter janë vetë mbështetësit që vazhdojnë të kontribuojnë dhe që i patën takuar personalisht çiftin Jimmy dhe Rosalynn Carter.
“Ka njerëz të rinj që vijnë si donatorë, mbështetës dhe ndërtues”, thotë zonja Taylor.
Qendra Carter ka monitoruar mbi 100 zgjedhje dhe vazhdon të luftojë sëmundjet e neglizhuara në mbarë globin. Sëmundja e krimbit parazit të Guineas, që dikur infektonte mbi 3.5 milionë persona, ka rënë tashmë në më pak se 20 raste. Eliminimi i plotë i sëmundjes ishte një ndër përpjekjet kryesore të ish-Presidentit Jimmy Carter në qendrën e ngritur prej tij.