Lidhje

Listat e kandidatëve, Kushtetuesja rrëzon partitë e vogla


Gjykata Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese

Në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot kërkesën e 7 partive të vogla dhe disa deputetëve te opozitës, të cilët kundërshtonin formulën e përcaktuar nga ndryshimet në Kodin zgjedhor për listat e kandidatëve.

Sipas tyre listat me një renditje të fiksuar për një të tretat e kandidatëve, dhe votë parapëlqyese për dy të tretat, cënojnë të drejtën e votës si dhe barazinë para ligjit, e po ashtu, të drejtën për të zgjedhur e për t’u zgjedhur.

Praktikisht, sipas kësaj skeme, nga 140 deputetë që ka parlamenti shqiptar, vetëm gati 40 prej tyre do të zgjidhen me votën e drejtpërdrejtë të zgjedhësve, ndërsa pjesa tjetër sipas listës së mbyllur të hartuar nga partitë.

Gjykata Kushtetuese vlerësoi se pretendimet e kërkuesve nuk janë të bazuara, sepse lidhen me rezultatet e votimit, që i korrespondon shpërndarjes së mandateve, ndërsa sipas Kushtetutës, kjo shpërndarje dhe masa e shtrirjes së votimit parapëlqyes, çmon gjykata, i është deleguar ligjvënësit, ndërkohë që garancia kushtetuese për ushtrimin e së drejtës së votës parapëlqyese lidhet me procesin e votimit.

Gjykata gjithashtu argumenton se parashikimet ligjore i drejtohen në mënyrë të njëjtë të gjithë subjekteve zgjedhore dhe zgjedhësve dhe për rrjedhojë nuk bëjnë diferencim mes tyre në procesin e votimit.

Gjykata Kushtetuese rrëzoi dhe pretendimet e kërkuesve për llogaritjen e numrit të kandidatëve të listës me renditje të fiksuar në varësi të presjes dhjetore më të vogël ose më të madhe se 0.5.

Kërkuesit kishin argumentuar se në qarqet ku numri mandateve nuk plotpjesëtohet me tre, cënohej rregulli kushtetues, sipas të cilit lista me dy të tretat e kandidatëve duhet t’i nënshtrohet votimit parapëlqyes.

Por Gjykata mbajti në konsideratë se lista shumemërore e subjekteve politike përbëhet nga lista me renditje të fiksuar dhe lista që i nënshtrohet votimit parapëlqyes.

Kjo e fundit si komponent i listës shumemërore të subjekteve politike sipas Gjykatës garanton parashikimin kushtetues “që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohet jo më pak se dy të tretat e listës shumemërore”.

Për sa i përket pretendimit të kërkuesve për procedurën e miratimit të ligjit, Gjykata nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje. Në këto raste kërkesa konsiderohet e rrëzuar.

XS
SM
MD
LG