Lidhje

Granoff: Gjatë 15 vjetëve projektet e AADF-së dëshmuan integritet dhe përmirësuan jetën e shqiptarëve


Michael D. Granoff gjatë intervistës për Zërin e Amerikës
Michael D. Granoff gjatë intervistës për Zërin e Amerikës

Kryetari i Bordit të Fondacionit Shqiptaro - Amerikan për Zhvillim, Michael D. Granoff, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se gjatë 15 vjetëve veprimtari në Shqipëri projektet e Fondacionit dëshmuan integritet dhe ndihmuan në përmirësimin e jetës së shqiptarëve. Zoti Granoff tha gjatë bisedës me korrespondentin tonë në Tiranë, Ilirian Agolli, se Fondacioni po mbështet 80 projekte të ndryshme me mbi 125 milionë dollarë. Ai theksoi se edhe projekti për Parkun e Butrintit po përparon sipas planit të menaxhimit me të njëjtat cilësi si edhe projektet e tjera.

Intervistë me Michael D. Granoff, kryetar i bordit të AADF-së
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:15 0:00

Zëri i Amerikës: Zoti Granoff! Ky është viti i 15-të i Fondacionit. Si do ta përshkruanit këtë rrugëtim?

Michael D. Granoff: Mendoj se në njëfarë mënyre rrugëtimi i Fondacionit tonë është i ngjashëm me rrugëtimin e Shqipërisë. Kur e filluam, nuk kishim një përfytyrim të veçantë se si do të dukej sot, por ne kishim parimet. Ne donim të siguroheshim që po jepnim për popullin e Shqipërisë, se ishim mbi politikën, që të përqëndroheshim tek zbatimi i projekteve e jo vetëm tek qëllimet e mira, dhe të fokusoheshim në fusha që do t’ua përmirësonin njerëzve jetën. Ne e dinim drejtimin nga donim që të shkonim. Ne kishim nevojë të përshtateshim dhe të ndryshonim, ashtu si edhe Shqipëria është përshtatur dhe ka ndryshuar shumë gjatë 15 viteve të fundit. Rezultati që shohim sot është portofoli i projekteve dhe programeve tona; tani kemi angazhuar mbi 125 milionë dollarë në mbi 80 projekte të ndryshme. Tani ne kemi një portofol mjaft të madh. Ky është një reflektim mbi parimet tona të fillimit, por po ashtu është edhe një pasqyrë, në njëfarë mënyre, e përparimit që ka bërë edhe Shqipëria gjatë këtyre 15 viteve.

Zëri i Amerikës: Cilat janë sfidat, me të cilat jeni përballur?

Michael D. Granoff: Ne përballemi me një seri sfidash, që lidhen me funksionimin e punës në çdo mjedis, por kemi gjithashtu disa sfida që lidhen me atë çfarë po përpiqemi të bëjmë. Do t'iu jap një shembull. Realiteti është se filantropia, pra, ideja se po jep para dhe nuk po merr asgjë mbrapsht përveç rezultateve të mira, nuk është një koncept që kuptohet shumë mirë, sinqerisht, jashtë Shteteve të Bashkuara, jo vetëm në Shqipëri. Kur jepen para, njerëzit pyesin: Çfarë po merrni? Kur u thua atyre, ne nuk marrim asgjë. Gjithçka që po marrim është shpresa tek rezultatet e mira që mund të arrijmë me kalimin e kohës. Kjo nuk është diçka që kuptohet kaq lehtë. Në njëfarë mënyre, na është dashur të krijojmë një proces edukimi, në mënyrë që njerëzit me kalimin e kohës të kuptojnë se cilat ishin qëllimet tona, çfarë po përpiqeshim të bënim, dhe jo vetëm atë që do të bënim, por edhe atë që nuk do të bënim. Pra, ka qenë një sfidë interesante, për të cilën nuk mendoj se jemi në fund. Mendoj se kjo është një rrugëtim dhe jo një destinacion. Nuk është një koncept kaq i njohur në Shqipëri apo kudo tjetër. Ky është shembull interesant i një sfide që kemi pasur. Sfidat e tjera që kemi ndeshur janë më shumë të ditura: sfidat që prekin Shqipërinë prekin edhe Fondacionin tonë dhe ne kemi punuar në frymë partneriteti për t'i kapërcyer ato.

Zëri i Amerikës: Në objektivat e Fondacionit flitet mbi mbështetjen e Shqipërisë për një zhvillim të qëndrueshëm social dhe ekonomik. Këto janë objektiva të ngjashëm me shumë agjenci e programe shtetërore zhvillimi nga SHBA-të dhe vendet evropiane. Ku dallon qasja e Fondacionit tuaj prej tyre, përveç faktit që financimet tuaja nuk janë shtetërore?

Michael D. Granoff: Janë shumë njerëz që kanë qëllime shumë të mira dhe po përpiqen të kenë programe që bëjnë mirë, mendoj unë, dhe ka vend për të gjithë ata. Por Fondacioni ynë ka një qasje ndryshe ndaj gjërave, çka është paksa e ndryshme nga shumica e ofruesve të tjerë të ndihmës. Një nga ato është natyra e asaj që ne bëjmë. Shumica e ofruesve të ndihmës në njëfarë mënyre po japin grante për institucione. Ata po mbështeten te njerëz të tjerë për të zbatuar planet e tyre. Qysh në fillim ne e kuptuam që Fondacioni ynë duhet të jetë një fondacion operacional dhe jo një fondacion grantedhënës. Nuk është se ne u japim para të tjerëve dhe shpresojmë që ata do të bëjnë mirë me to, por jemi ne që marrim vendimet. Ne po bëjmë zbatimin. Jo shumë nga këto organizata të tjera, qeveritare apo edhe joqeveritare, janë vërtet funksionale në këtë kuptim. Ky është një dallim i madh. Shumica e tyre po mbështeten tek njerëzit e tjerë për zbatimin. Ne donim të siguroheshim që nëse do të fokusoheshim tek zbatimi dhe tek rezultatet, jo vetëm tek qëllimi i mirë, atëherë ne duhej të ishim në gjendje ta kontrollonim zbatimin. Ky është një ndryshim thelbësor, mendoj unë, midis asaj që ne bëjmë dhe asaj që bëjnë shumë agjenci të tjera ndihme. Sigurisht se na ndihmon fakti që, ndërsa jemi të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe jemi pjesë e pranisë së përgjithshme amerikane këtu në Shqipëri, ne nuk jemi një fondacion qeveritar, një fond qeveritar. Kështu ne kemi aftësinë për të vepruar në disa mënyra, ndoshta më të mirat e të dy anëve. Ne mund të marrim më të mirën e botës së sektorit privat dhe më të mirën e botës së sektorit publik dhe t'i gërshetojmë. Subjektet e tjera nuk kanë mundësi ta bëjnë këtë. Pika e tretë është se ne kemi përfitimin e të qenit afatgjatë si natyrë. Nuk duhet t’i kërkojmë burime askujt. Ne nuk jemi subjekt i zgjedhjeve të ardhshme. Ne nuk po përpiqemi të punojmë brenda periudhave zgjedhore etj. Ne mund të përballojmë vërtet probleme të mëdha dhe të zbatojmë zgjidhje afatgjata për to. Në të njëjtën kohë jemi të paduruar. Ne marrim përsipër probleme afatgjata dhe mund të punojmë në çështje që kërkojnë zgjidhje afatgjata, ndaj nuk jemi të duruar për këto.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri, pavarësisht se vendi ka ecur përpara, nuk ka një traditë donatorësh. Sa ka qenë e vështirë për ju një realitet i tillë?

Michael D. Granoff: E përmenda se nuk ka një kuptim të mirë se si funksionon filantropia në Shqipëri dhe jashtë Shteteve të Bashkuara. Na është dashur t’i edukojmë njerëzit për atë që po bëjmë dhe pse po e bëjmë atë. Por nga ana tjetër kemi zbuluar se pasi ne bëjmë diçka, njerëzit janë mjaft mbështetës dhe mirënjohës për atë që ne përpiqemi t’i ofrojmë mundësi njerëzve në Shqipëri në mënyrë që ata të shohin përparimin. Ata nuk duhet të besojnë atë që ne themi, teksa ata mund ta shohin. Nëse ata e shohin atë vepër në jetën e tyre, ata do ta mbështesin. Ata mund të mos e kuptojnë konceptin e filantropisë ashtu siç e kuptojnë njerëzit në Shtetet e Bashkuara, por i kuptojnë rezultatet dhe kuptojnë se çfarë ndodh në jetën e tyre. Nëse ne po bëjmë gjëra që po përmirësojnë jetën e tyre, atëherë ata e kuptojnë atë. Dhe me kalimin e kohës, ata do të kuptojnë gjithashtu se si kjo përshtatet me filantropinë dhe do të shohin se kjo është një gjë e mirë. Shpresoj se kjo nxit njerëzit e tjerë që të japin ndihmesë. Projektet që kemi bërë tashmë janë shumë para. Njerëzit që kontribuan kishin zgjedhje, ose mund t’i kishin bërë vet ose me dikë tjetër. Ata zgjodhën ta bënin me ne sepse ata besuan që ne do të ishim një partner i mirë. Ne kishim shumë integritet dhe ndershmëri në atë që bëmë. Ata besuan se ne mund të realizonim, sipas objektivave që kishim, sepse jemi në gjendje të përmbushim premtimet e bëra dhe jo vetëm bëjmë premtime të mira.

Zëri i Amerikës: Teknologjia, dhe Edukimi janë dy ndër fushat ku ju jeni përqëndruar më së shumti. Pse kjo zgjedhje?

Michael D. Granoff: Mendoj se ka dy arsye të mëdha. Njëra është se teknologjia po ndryshon të gjithë jetën tonë, dhe do të vazhdojë ta ndryshojë atë, dhe ndoshta ritmi i atij ndryshimi do të përshpejtohet me kalimin e kohës. Nëse do t’i pajisim fëmijët tanë dhe gjithë të tjerët me aftësi që të jemi në gjendje të konkurrojmë në botë, ne duhet të jemi në gjendje t’u ofrojmë njerëzve atë shkollim. Ne kemi krijuar një ekosistem të tërë, një seri programesh dhe teknologjish që fillojnë nga moshat e fëmijëve gjashtë dhe shtatë vjeçare të mësojnë se si të kodojnë. Sapo patëm një ngjarje të quajtur “Plug and Play”, po flasim për krijimin e një qendre sipërmarrjeje, pikërisht këtu në këtë Piramidë. Njerëzit mund t’i kthejnë këto ide teknologjike në kompani. Në mënyrë që çdo shoqëri të jetë e suksesshme në të ardhmen, ne duhet të jemi në gjendje të edukojmë të gjithë, jo vetëm të rinjtë, që të jemi në gjendje të përdorim teknologjinë. Por ka një arsye të dytë që është e veçantë për Shqipërinë. Teknologjia nuk respekton barrierat, teknologjia nuk respekton oqeanet. Ajo barazon fushën e lojës. Shqipëria mund të jetë një vend i vogël që ndodhet në Ballkan, por nga pikëpamja teknologjike kjo nuk ka shumë rëndësi. As nuk sjell dëm. Teknologjia ofron potencialin për Shqipërinë dhe shqiptarët për të arritur një standard botëror, si dhe të përdorin plotësisht talentin e tyre pa pengesa kur të konkurrojnë. Koha para teknologjisë kishte barriera të mëdha: male, oqeane, hapësirë. Tani teknologjia heq barrierat fizike. Teknologjia ofron një potencial të jashtëzakonshëm për të lejuar Shqipërinë dhe shqiptarët të konkurrojnë dhe të fitojnë në një mënyrë që nuk mund ta bënin më parë.

Zëri i Amerikës: Cilët janë programet më të rëndësishme për ju, të cilët jeni duke zbatuar tani apo parashikoni të zbatoni së shpejti?

Michael D. Granoff: Ne i duam të gjithë fëmijët tanë dhe përpiqemi t’i duam të gjithë njëlloj në mënyrë të barabartë. Jemi përpjekur të krijojmë një portofol projektesh që trajtojnë çështje të ndryshme në mbarë vendin me synimin që të përmirësojnë jetën e njerëzve. Po jap vetëm disa shembuj. Ne u fokusuam në qendrat e qyteteve, ku mund të përmirësojmë cilësinë e jetës çdo ditë për njerëzit. Mund të shihni rezultatin. Nëse shkoni në Shkodër, në Korçë dhe në Gjirokastër, mund të shihni se si kemi qenë në gjendje t'i transformojmë ato zona. Kjo ka një efekt katalitik: njerëz të tjerë duan të investojnë, duan të ndërtojnë kompanitë e tyre pranë saj, ata do të paguajnë më shumë për pasurinë e paluajtshme në ndërtesën pranë saj në përpjekje për të krijuar më shumë biznes. Kjo krijon një efekt zinxhir pozitiv ku çdo gjë çon në përherë e më shumë. Ne u përpoqëm qysh në fillim me disa nga projektet tona më të hershme për të treguar se vërtet mund të përmirësonim jeta e përditshme të njerëzve. Diçka shumë konkrete që vërtet mund të kapet. Po ashtu janë gjithë gjërat që bëjmë në arsim dhe në teknologji. Nëse doni të shihni se si do të jetë e ardhmja e një vendi, atëherë shikoni se çfarë po bëni me fëmijët tuaj. Ne e kuptuam këtë. Mendoj se nuk mund t’i zgjidhim problemet e vendit. A mund ta zgjidhim problemin e emigracionit në këtë vend? Jo, nuk mendoj se mund ta zgjidhim atë problem, por sigurisht që mund të jemi pjesë e zgjidhjes dhe e programeve që kemi në arsim dhe teknologji. Ne nuk do t’i shohim rezultatet nesër, por do të shohim rezultate me kalimin e kohës dhe nëse jemi në gjendje të krijojmë një mjedis më pozitiv e të favorshëm që i lejon njerëzit të përmbushin qëllimet e tyre të karrierës dhe profesionale dhe të qëndrojnë këtu. Ne kemi më shumë gjasa të shohim të kundërtën e ikjes së trurit, ndoshta një kthim të trurit, dhe në fund kjo do të sjellë një Shqipëri më të begatë. Ne jemi përpjekur të krijojmë një portofol projektesh që trajtojnë këto çështje nga disa drejtime dhe kjo ka funksionuar mjaft mirë deri tani, sepse programet përshtaten së bashku, pasi nuk janë thjesht një seri programesh individuale, por lidhen të gjitha me njëra - tjetrën. Shpresa është. Shuma është më e madhe se sa pjesët, apo jo. Nëse jemi të suksesshëm, e mendoj se jemi, do të mund të krijojmë një lloj energjie ku shuma është më e madhe se sa pjesët.

Zëri i Amerikës: Një fushë tjetër ku ju po investoni është dhe Kultura e Turizmi. Dhe këtu, ai për Butrintin u shoqërua me polemika të forta. Në c’pikë është ky projekt? Ka nisur zbatimi dhe cila është problematika kryesore me të cilën parashikoni të përballeni?

Michael D. Granoff: Unë do t’u tregoja disa gjëra për Butrintin dhe se si ai përshtatet me atë që bën Fondacioni. E para është se Butrinti është një nga projektet e shumta, që të gjithë menaxhohen dhe ekzekutohen në të njëjtën mënyrë. Ne e kemi bërë këtë tani për 15 vjet. Ne kemi qenë në këtë vend për 30 vjet. Njerëzit kanë një ide mjaft të mirë për atë që bëjmë dhe çfarë nuk bëjmë. Butrini nuk është aspak i ndryshëm nga këto. Ne përpiqemi të ofrojmë ekspertizën tonë, për t’i përmirësuar gjërat. Ne përpiqemi t’i zbatojmë ato plane. Ne nuk përpiqemi të bëjmë punën e qeverisë apo të dikujt tjetër, por ne përpiqemi të bëjmë atë që mundemi, të mundësojmë përmirësimin e situatës. Butrinti është padyshim një vend i veçantë për trashëgiminë kulturore. Ne kemi punuar në shumë projekte të trashëgimisë kulturore gjatë 15 viteve që nga themelimi. Njerëzit mund të shikojnë shumë qartë se këtu janë gjërat që bëjmë ne dhe ato që ne nuk bëjmë. Po ecim përpara në atë që po bëjmë në Butrint. Ne kemi një qendër vizitorësh, që do të ndërtohet në një të ardhme të afërt. Kemi arkitektin e njohur në botë që ka krijuar një dizajn të pabesueshëm për atë qendër vizitorësh. Kemi një plan menaxhimi që është miratuar përfundimisht nga qeveria dhe ligjvënësit, që po zbatohet. Në fillim të muajit të ardhshëm Fondacioni i Menaxhimit të Butrintit do të nisë përpjekjet dhe do të përpiqet të përmirësojë gjërat në terren atje. Pra, ne jemi drejtpërdrejt në rrugën e duhur për atë që kemi dashur të arrijmë. Nuk mund të shmangim politizimin e gjërave dhe polarizimin e tyre. Ne nuk jetojmë në vakum. Ne nuk jetojmë në një ishull. Ne jetojmë në një shoqëri dhe ky jo vetëm Shqipëria është vend i polarizuar dhe politik. Bota është e tillë. Nëse jetojmë në këtë mjedis, duhet të sigurohemi që nuk ndryshon ajo që bëjmë, nuk ndryshon mënyra se si e bëjmë atë. Pra, ne po ecim përpara me atë që bëjmë, dhe unë kam të njëjtin këndvështrim me të gjitha projektet: njerëzit do të ishin në gjendje të shihnin rezultatet, dhe lërini vetëm të gjykojnë vet ata: A u përmirësuan gjërat në Butrint? A e përmirëson kjo përvojën? A është më mirë për trashëgiminë kulturore? Nuk është çështja se unë them diçka, apo dikush tjetër thotë: le t’i shohim rezultatet në terren. Dhe gjëja e fundit për të thënë është një sfidë. Sfida është që kushdo mund të shohë atë që bëjnë dhe si e bëjmë ne. Sfida ime ndaj njerëzve që e sulmuan politikisht dhe flasin për të në atë mënyrë është kjo: Atyre duhet t’u shtrohen pyetjet: Çfarë keni bërë ju? Çfarë keni bërë për të mbështetur vendin? Çfarë keni bërë për të mbështetur trashëgiminë kulturore? Apo ndërtuat hotel diku? Mendoj se është një sfidë për të gjithë ne: të jemi në gjendje t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, ndërsa unë jam shumë i qetë në përgjigjen tonë.

XS
SM
MD
LG