Shqipëria dhe Turqia pritet të fuqizojnë më tej marrëdhëniet në fushën ushtarake. Gjatë vizitës së presidentit turk Rexhep Taip Erdogan sot në Tiranë u njoftua se Turqia do t’i dhurojë Shqipërisë "një numër të konsiderueshëm dronësh kamikazë", siç u deklarua në konferencën e përbashkët. Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë “si një dhuratë, që nuk duhet të shqetësojë askënd”. Të dy udhëheqësit thanë për shtypin se po thellojnë bashkëpunimin mes dy vendeve, po ashtu, edhe në fushat e arsimit, turizmit, bujqësisë dhe në goditjen e terrorizmit.
Pas nënshkrimit të një seri marrëveshjesh në fushat e arsimit, bujqësisë dhe marrëdhënieve publike, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan deklaroi gjatë vizitës në Tiranë se takimi i dytë i Këshillit të Bashkëpunimit i nivelit të lartë, i mbajtur sot, e thelloi më tej partneritetin strategjik mes dy vendeve.
Ndërsa renditi bashkëpunimin tregtar, mjekësor dhe kulturor, zoti Erdogan përmendi në formë të përgjithshme zgjerimin e mbështetjes ushtarake për Shqipërinë.
“Ne gjithashtu do të ofrojmë mbështetjen e nevojshme për të përmbushur nevojat e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, partnerit tonë strategjik, aleatit tonë të NATO-s në fushën e pajisjeve ushtarake dhe trajnimeve ushtarake”, tha zoti Erdogan.
Ndërsa kryeministri shqiptar Edi Rama ishte më i drejtpërdrejtë, kur krahas fuqizimit të marrëdhëneve në fushën e industrisë ushtarake, e falenderoi presidentin për dhurimin e një numri të konsiderueshëm dronësh kamikazë ushtrisë shqiptare, siç u shpreh ai.
“Unë e çmoj posaçërisht dhuratën e presidentit sot në këtë kohë të trazuar, kur bota ka marrë një drejtim, të çuditshëm për ta thënë me një fjalë të butë, për t’i dhënë ushtrisë së Republikës së Shqipërisë një numër të konsiderueshëm dronësh kamikazë. Është një dhuratë që nuk duhet të shqetësojë askënd se kë do të godasë Shqipëria, por besoj që është një dhuratë që përmban brenda një mesazh shumë të qartë të Republikës së Turqisë në raport me këtë marrëdhënie, që Shqipëria është e pagoditshme”, tha zoti Rama.
Presidenti Erdogan vizitoi Tiranën për shtatë orë si pjesë e një turi në rajon, që përfshin edhe Beogradin. Ai u takua me presidentin Bajram Begaj, me kryeministrin Rama, ndërsa të dy palët zhvilluan takimin e dytë të Këshillit të Bashkëpunimit i nivelit të lartë brenda nëntë muajve pas mbledhjes së parë, që u mbajt në Ankara gjatë muajit shkurt.
Ndërsa për presidentin Erdogan lufta kundër organizatave terroriste është po ashtu një fushë e rëndësishme bashkëpunimi.
“Ne diskutuam edhe çështjen e luftës së përbashkët kundër organizatave terroriste, veçanërisht kundër FETO-s, me mikun tim të dashur kryeministrin Rama. Shpresojmë që ta vazhdojmë luftën tonë kundër organizatave terroriste në mënyrë efektive përmes vendimeve që ne kemi marrë sot”, tha zoti Erdogan.
Ai shtoi se bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë çmos për të siguruar një armëpushim të përhershëm, që të dërgohen ndihma humanitare në Gaza dhe për të bërë presion mbi Izraelin, i cili, sipas tij, po bën terror mbi palestinezët.
Por zoti Rama në deklaratën e tij para shtypit nuk e përmendi organizatën FETO, ndërsa shtjelloi pikëpamjet e tij mbi konfliktet në Ukrainë dhe në Gaza, duke e cilësuar Hamasin si një burim terrori.
“Ne jemi absolutisht dhe kemi votuar në mënyrë të përsëritur në Këshillin e Sigurimit për një armëpushim që patjetër duhet të nënkuptojë dhe lirimin e menjëhershëm të gjitha pengjeve, por për ne Hamasi dhe çdo burim tjetër i terrorit nuk ka vend në të ardhmen paqësore që duhet të vendoset mbi dy shtete sovrane, Izraeli dhe Palestina, të cilat duhet të jetojnë të sigurta dhe nga ana tjetër, askush nuk duhet të vërë në pikëpyetje të drejtën e ekzistencës së tyre”, tha zoti Rama.
Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Turqisë janë vendosur më shumë se 100 vjet më parë, por të dy udhëheqësit theksuan përsëri sot, se niveli i shkëmbimeve ekonomike dypalëshe është ende larg në krahasim me marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve.