Lidhje

FBI: Krimet e dhunshme bien për të dytin vit radhazi


FILE PHOTO: An FBI logo is pictured on an agent's shirt in Manhattan
FILE PHOTO: An FBI logo is pictured on an agent's shirt in Manhattan

Krimet e dhunshme në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të bien për të dytin vit me radhë, ndërsa agjencitë e zbatimit të ligjit njoftojnë rënie të konsiderueshme të vrasjeve dhe përdhunimeve, tregon një raport i sapopublikuar nga Byroja Federale e Hetimeve.

Një raport i FBI-së, i publikuar të hënën, tregon se krimet e dhunshme ranë me 3% mes viteve 2022 dhe 2023. Shkalla e vrasjeve ra me 11.6% ndërsa përdhunimet me më shumë se 9%. Po ashtu edhe shkalla e grabitjeve dhe sulmeve shënoi rënie të vogël.

Ndërkohë krimet që lidhe me pronësinë, ku përfshihen edhe vjedhjet, ranë rreth 2.4% ndërsa vjedhja e automjeteve u rrit me 12.6%. Gjatë një konference shtypi me gazetarët, përfaqësuesit e FBI-së theksuan se rënia e vrasjeve me 11.6% është shkalla më e lartë e regjistruar gjatë 20 viteve të fundit.

Zyrtarët thanë se në vitin 2023, shkalla e të gjitha krimeve të dhunshme ishte 363,3 krime për 100,000 banorë. Në vitin 2022 u shënuan 377.1 krime të dhunshme për 100,000 banorë.

Më shumë se 16,000 agjenci të zbatimit të ligjit, të rangut lokal dhe shtetëror, kontribuuan për raportin, përfshirë të gjitha agjencitë e qyteteve që kanë më shumë se një milion banorë.

Prirja e rënies së krimeve të dhunshme në të gjithë vendin vazhdon që nga viti 2021, pas rritjes së shkallës së vrasjeve në vitin 2020, gjatë pandemisë së koronavirusit. Po ashtu, shkalla e krimit të dhunshëm mbetet poshtë niveleve rekord të shënuara në fillim të viteve 1990.

Sidoqoftë, disa krime kanë shënuar një rritje të vogël, përfshirë sulmet me thikë dhe mjete të rënda. Numri i grabitjeve me armë, ku përfshihen frikësimet dhe kërcënimet me armë, shënoi një rritje me 3.2%.

Sulmet ndaj punonjësve të rendit, sipas raportit të FBI-së, shënuan rritjen më të madhe në 10 vjet, përshirë vrasjen e 60 policëve në krye të detyrës.

Numri i krimeve të urrejtjes dhe viktimave nga këto krime shënoi rritje nga viti 2022 deri në vitin 2023, megjithëse zyrtarët e FBI-së thonë se kjo rritje mund të jetë ndikuar nga shtimi agjencive të rendit që raportojnë krimet e urrejtjes.

Zyrtarët e FBI-së nuk pranuan të komentojnë nëse prirja që thekson raporti dhe rënia e krimit në përgjithësi gjatë viteve 2022-2023 vazhdoi edhe gjatë vitit 2024.

Një raport i publikuar nga Këshilli për Drejtësinë Penale (CCJ) në muajin korrik, një organizatë jo-partiake, tregon vazhdimin e rënies së krimeve të dhunshme.

Studimi në fjalë, i bazuar në shifrat mujore të krimit në dhjetëra qytete të mëdha amerikane, gjeti se gjatë gjysmën së parë të vitit 2024 shkalla e vrasjeve ra me 13%, krahasuar me gjashtë muajt e parë të vitit 2023. Po ashtu ranë edhe sulmet me armë dhe grabitja e makinave. Ndërsa raporti nga CCJ thotë se tendencat e përgjithshme duken pozitive, shumë qytete ende përballen me nivele shqetësuese krimi.

XS
SM
MD
LG