Lidhje

Policia kthen në Shqipëri dy të dyshuar për vrasje dhe grup kriminal


Pamje nga policia e ekstradimit të sotëm
Pamje nga policia e ekstradimit të sotëm

Personat e shumëkërkuar Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj u sollën sot në Shqipëri nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ku i fshiheshin drejtësisë shqiptare, falë bashkëpunimit të policisë shqiptare, SPAK-ut dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Dervishaj dhe Meçaj u shpallën në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi për ta masën “arrest në burg” për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale.

Në fund të shkurtit 2005 Dervishaj dhe 3 persona të tjerë dyshohet se kanë vrarë me armë zjarri shtetasin Klodian Saliu në Durrës. Ai dyshohet se një ditë pas kësaj vrasje bashkëpunoi me të paktën 3 persona të tjerë në vrasjen me eksplozivë të shtetasve Vajdin Lamaj dhe Artan Arsi.

Dervishaj është kunati i Lul Berishës, i dyshuar si një tjetër autor i vrasjes së Saliut në Durrës dhe tashmë i arrestuar jashtë vendit, për të cilin po ashtu është kërkuar kthimi në atdhe nga policia.

Ndërsa Meçaj dyshohet se në nëntor 2019 ishte një nga personat, që goditën me armë zjarri një automjet në autostradën Tiranë-Durrës, ku humbi jetën drejtuesi Andi Maloku, me të cilin udhëtonte prokurori Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho.

“Mesazhi i Policisë së Shtetit është i qartë: Nuk ka krim, pa ndëshkim. Autorët e veprave penale, kudo që të fshihen do të përballen me drejtësinë”, deklaroi sot për mediat drejtori i përgjithshëm i policisë, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku.

Policia shqiptare bëri të ditur se në bashkëpunim me policinë gjermane është kapur me qëllim ekstradimi Fabio Ballabani, për të cilin Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar arrest me burg si i dyshuar për goditje ndaj pjesëtarëve të familjes së një personi, i cili kryen një detyrë shtetërore në sistemin e drejtësisë, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe për kryerjen e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale.

Vrasja e Lamajt dhe Arsit me lëndë eksplozive në një ashensor pallati 19 vjet më parë në qendër të Tiranës si dhe atentati ndaj ish prokurorit Ndoja në autostradën e Durrësit janë dy nga ngjarjet më të rënda, që kanë tronditur opinionin, për shkak edhe të cilësive të viktimave dhe të autorëve.

Ekstradimet nga Dubai ishin deri dje të pamundura për shkak të mungesës së marrëveshjeve formale, ndërsa autoritetet vazhdojnë përpjekjet për ekstradime autorësh të tjerë të veprave penale, që fshihen në shtete të tjera.

XS
SM
MD
LG