Lidhje

Amerikanët e liruar në shkëmbimin historik të të burgosurve arritën në SHBA


Tre amerikanë të liruar së fundmi nga burgjet ruse u ribashkuan me familjet e tyre të enjten vonë në bazën ushtarake Andrews afër Uashingtonit.

Ish marinsi Paul Whelan dhe gazetarët amerikanë Alsu Kurmasheva dhe Evan Gershkovich u pritën me brohoritje teksa dilnin nga avioni që i ktheu në Shtetet e Bashkuara. Presidenti amerikan Joe Biden dhe nënpresidentja Kamala Harris përshëndetën me përqafime amerikanët e liruar.

"Ndjenjë e mrekullueshme, po e prisnim për një kohë të gjatë” , u tha presidenti Biden gazetarëve të mbledhur në bazën ajrore, duke shtuar se "aleancat e bëjnë ndryshimin”.

Marrëveshja historike bëri që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët të sigurojnë lirimin e 16 të burgosurve politikë të enjten, duke përfshirë tre amerikanët dhe fituesin e çmimit Pulitzer, Vladimir Kara-Murza.

Marrëveshja siguroi gjithashtu lirimin e shtetasve gjermanë dhe të burgosurve politikë rusë, duke përfshirë Dieter Voronin, Kevin Lick, Rico Krieger, Patrick Schoebel, Herman Moyzhes, Ilya Yashin, Liliya Chanysheva, Kseniya Fadeyeva, Vadim Ostanin, Andrey Pivovarov, Oleg Orlov dhe Sasha Skochilenko.

Rusia, në këmbim, mori tetë individë.

Kjo shënoi shkëmbimin më të madh të të burgosurve midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, që nga Lufta e Ftohtë.

Nga amerikanët, Paul Phelan, një ish marins amerikan, u arrestua në Moskë në vitin 2018. Në vitin 2020, ai u dënua me 16 vjet heqje lirie nën akuzat për spiunazh, që ai dhe qeveria e SHBA i mohojnë.

Gazetari i Wall Street Journal Gershkovich dhe gazetarja e Radios Evropa e Lirë, Kurmasheva, u arrestuan në vitin 2023 dhe u dënuan në procese të ndara të mbyllura më 19 korrik. Proceset gjyqësore u cilësuan gjerësisht si të fabrikuara.

Zoti Kara-Murza, një aktivist dhe gazetar në The Washington Post, ishte arrestuar që në prill të vitit 2022. Politikani dhe historiani fitoi çmimin Pulitzer për letrat e tij të shkruara nga burgu.

XS
SM
MD
LG