Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden u tërhoq të dielën nga gara presidenciale. Ai e njoftoi vendimin, pas thirrjeve të shumta në partinë e tij demokratë për të dalë nga gara pasi kishin humbur besimin tek aftësia e tij për të fituar ndaj rivalit republikan Donald Trump.
“Ishte nderi më i madh i jetës sime që të shërbej si presidenti juaj. Dhe megjithëse ishte synimi im që të kërkoja rizgjedhjen, besoj se është në interesin më të mirë të partisë sime dhe të vendit që të tërhiqem dhe të përqendrohem në përmbushjen e detyrave të mia si President për pjesën e mbetur të mandatit”, shkruan zoti Biden në një letër të postuar në llogarinë e tij në rrjetin social X.
Mandati i Presidentit Biden përfundon më 20 janar 2025.
Pak minuta më pas ai shprehu mbështetjen për nënpresidenten Kamala Harris si kandidate të partisë për postin.
"Vendimi im i parë si kandidat i partisë në vitin 2020 ishte zgjedhja e Kamala Harrisit si nënpresidente. Dhe ka qenë vendimi më i mirë që kam marrë. Sot dua të ofroj mbështetjen dhe përkrahjen time të plotë që Kamala të jetë e emëruara e partisë sonë këtë vit. Demokratë - është koha të bashkohemi dhe të mundim Trump-in. Le ta bëjmë një gjë të tillë", u shpreh ai.
Vetë nënpresidentja Harris në një deklaratë e falenderoi zotin Biden "për udhëheqjen e tij të jashtëzakonshme".
"Trashëgimia e jashtëzakonshme e arritjeve të tij është e pakrahasueshme në historinë moderne amerikane, me epërsi të madhe ndaj trashëgimisë së shumë Presidentëve që kanë shërbyer dy mandate në detyrë", tha ajo.
Zonja Harris tha se është e nderuar nga mbështetja e Presidentit dhe se "synimi im është të fitoj emërimin" e partisë si kandidate.
“Kemi 107 ditë deri në ditën e zgjedhjeve. Së bashku, ne do të luftojmë. Dhe së bashku do të fitojmë", tha ajo.
Kandidati republikan për president, ish-presidenti Donald Trump reagoi ndaj këtij zhvillimi duke shkruajtur në faqen e medias së tij sociale Truth Social, ku u shpreh se presidenti Biden "nuk është i përshtatshëm për të kandiduar për president dhe sigurisht që nuk është i përshtatshëm për të shërbyer (në këtë detyrë)".
"Do të vuajmë shumë nga presidenca e tij, por do ta ndreqim me shumë shpejtësi dëmin që ai ka bërë", shkruajti ish-presidenti Trump.
Zyrtarët demokratë, shumë prej të cilëve luajtën një rol për vendimin e marrë nga presidenti Biden, qarkulluan me shpejtësi deklarata për të lavdëruar vendimin e tij.
"Vendimi i tij sigurisht që nuk ishte i lehtë, por sërish ai vendosi në vend të parë vendin e tij, partinë dhe të ardhmen tonë", tha drejtuesi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer. "Joe, sot tregove se je një patriot i vërtetë dhe një amerikan i madh".
Edhe drejtuesi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries e lavdëroi presidentin Biden si "një ndër udhëheqësit më të përmbushur dhe më domethënës në historinë amerikane".
Me një deklaratë në rrjetin X, ish-presidenti demokrat Bill Clinton dhe bashkëshortja e tij, ish-kandidatja për presidente Hillary Clinton vlerësuan karrierën e jashtëzakonshme të presidentit Biden dhe dhanë mbështetjen e tyre për kandidimin e nënpresidentes Harris.
Edhe ish-Presidenti Barack Obama shprehu vlerësimin e tij për Presidentin Biden.
"Fakti që ai e pa relievin politik të krijuar dhe arriti në përfundimin që t'ia kalojë pishtarin një kandidati të ri është padyshim një nga vedimet më të vështirat në jetën e tij. Por unë e di që ai nuk do ta merrte këtë vendim nëse nuk do të besonte se ishte vendimi i duhur për Amerikën. Është një dëshmi e dashurisë së Joe Bidenit për vendin – dhe një shembull historik i një zyrtari të vërtetë publik që vë edhe një herë interesat e popullit amerikan përpara interesave të tij", tha ai në një deklaratë.
Megjithatë, ai shprehu mbështetjen për një kandidaturë të zonjës Harris.
"Kam besim të jashtëzakonshëm se udhëheqësit e partisë sonë do të jenë në gjendje të ndjekin një proces nga i cili do të dalë një kandidat i jashtëzakonshëm," tha ai.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, ligjvënësi republikan Mike Johnson tha se presidenti Biden duhet të japë menjëherë dorëheqjen, nëse nuk është i përshtatshëm për të kandiduar në zgjedhje. Në deklaratën e tij, zoti Johnson thotë se "5 nëntori duhet të kishte ardhur më herët".
Deri të shtunën Presidenti Biden kishte këmbëngulur se do të vazhdonte fushatën, megjithëse ishte shtuar numri i ligjvënësve dhe senatorëve demokratë që kërkonin tërheqjen e tij.
Rreth 36 të zgjedhur demokratë kishin kërkuar që presidenti të largohej nga gara pas paraqitjes së dobët në debatin presidencial me ish-presidentin Donald Trump.
Disa nga informacionet për këtë artikull janë marrë nga agjencitë Associated Press dhe Reuters