Lidhje

Çfarë pritet nga Kuvendi i Partisë Republikane në Miluoki?


Election 2020 RNC Trump
Election 2020 RNC Trump

Kuvendi i Partisë Republikane fillon punimet të hënën në shtetin Miluoki. Por mënyra e organizimit do të jetë ndryshe nga kuvendet e mëparshme ku ish-Presidenti Donald Trump ka marrë emërimin si kandidati zyrtar republikan për Shtëpinë e Bardhë.

Në vitet 2016 dhe 2020, zoti Trump ishte një kandidat drejt rënies pa përkrahje të madhe përballë kritikave nga brenda vetë partisë së tij.

Por në kuvendin e këtij viti, zoti Trump do të pranojë emërimin nga partia e tij, ku gëzon një mbështetje të fuqishme, ndërsa nga ana tjetër demokratët janë në një situatë tejet jokomode lidhur me kandidaturën e Presidentit Joe Biden për një mandat të dytë presidencial.

Gjatë katër ditëve të kuvendit ku marrin pjesë rreth 2400 delegatë do të zhvillohen procedurat e zakonshme për një aktivitet të tillë. Ata duhet të miratojnë një platformë dhe të emërojnë dyshen presidenciale që kandidon në emër të partisë për Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, zoti Trump ende nuk ka bërë të ditur se kë do të zgjedhë për të kandiduar për postin e nënpresidentit. Në kuvend do të flasin dy kandidatët republikanë si dhe një mori figurash të njohura që kërkojnë të sigurojnë mbështetje për zotin Trump dhe të godasin demokratët.

“Mjedisi politik nuk është tejet i favorshëm vetëm për Donald Trump-in, por është me të vërtetë i shkëlqyer për republikanët që konkurrojnë për Senatin amerikan, për poste guvernatorësh, për Dhomën e Përfaqësuesve, e kështu me radhë”, thotë Henry Barbour, anëtar me peshë i Komitetit Kombëtar Republikan, i cili e ka kritikuar zotin Trump në disa raste në të kaluarën.

Republikani Donald Trump ka marrë kontrollin e plotë të partisë duke mënjanuar kundërshtarët e tij. Madje, letrat që u dërgohen votuesve për të siguruar fonde kanë emrin e tij mbi adresën e Komitetit Kombëtar Republikan në ndërtesën e Kongresit.

Rivalja e fundit e zotit Trump gjatë zgjedhjeve paraprake brenda partisë, Nikki Haley nuk do të marrë pjesë në kuvend, megjithëse u ka bërë thirrje mbështetësve të saj që të votojnë për zotin Trump. Me atyre që do të flasin në kuvend është edhe guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, i cili i dha fund fushatës presidenciale pas votimeve paraprake në Ajova dhe shprehu menjëherë mbështetjen për ish-presidentin.

“Nuk mendoj se ka ndonjë krahasim me fushatat e tij të mëparshme”, tha ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich, mbështetës i zotit Trump.

Çka është më e rëndësishme, republikani Trump është në sulm kundër Presidentit Biden, dhe fushata e tij premton se “Presidenti Donald J. Trump do të sjellë një epokë të re të artë për Amerikën”.

Zoti Trump ende nuk e ka bërë të ditur përzgjedhjen e tij për kandidatin për postin e nënpresidentit. Mundësitë më të përmendura janë guvernatori i Dakotës së Veriut, Doug Burgum, Senatori i Floridës, Marco Rubio dhe Senatori i Ohajos, J.D. Vance.

Donald Trump ka thënë se do të dëshironte që emri i kandidatit për nënpresident të mos bëhej i ditur deri pas fillimit të kuvendit, por ai e pranon se këshilltarët e tij nuk janë të kënaqur me këtë ide. Të tre emrat e lartpërmendur, së bashku me pretendentë të tjerë të shqyrtuar nga zoti Trump, pritet të flasin para delegatëve në kuvend.

Kuvendet kryesisht kanë të bëjnë me angazhimin e mbështetësve kryesorë, duke tërhequr audienca të mëdha në televizion dhe platforma të tjera. Fushata e zotit Trump ka në plan të dërgojë mesazhe të përditshme që synojnë elektoratin amerikan, me tema që përputhen me mbishkrimin e kapelës së kuqe që mban kandidati republikan.

Tema e së hënës është ekonomia: “Ta bëjmë Amerikën të pasur edhe një herë”. Zoti Trump ka folur për një axhendë tarifash gjithëpërfshirëse dhe shtimin e nxjerrjes së naftës dhe gazit, edhe pse është shënuar një nivel rekord nën administratën e zotit Biden. Ai argumenton se plani i tij për të dëbuar miliona emigrantë të paligjshëm do të ulte inflacionin, që ka shënuar një nga nivelet më të larta më herët gjatë presidencës së zotit Biden.

Të martën do të flitet për imigracionin dhe krimin: “Ta bëjmë Amerikën të sigurt përsëri". Zoti Trump dhe republikanët besojnë se debati për kufirin është ndër çështjet e tyre më të forta. Ata kanë siguruar mbajtjen e fjalimeve nga anëtarë të familjeve të individëve të vrarë për të cilat akuzohen emigrantët e paligjshëm. Zoti Trump synon të fajësojë politikat e qeverisë Biden mbi kufirin për këto krime.

Tema e së mërkurës është siguria kombëtare: “Ta bëjmë Amerikën të fortë përsëri”.

Folësit mund të argumentojnë se zoti Biden është një komandant i përgjithshëm “i dobët” dhe udhëheqës i “dështuar” shteti. Kjo është dita kur kandidatët për nënpresidentë i drejtohen kuvendit.

E enjtja do të arrijë kulmin me sloganin e zotit Trump: “Ta Bëjmë Amerikën të Madhe Përsëri”.

A do të përqëndrohet zoti Trump tek kundërshtari i tij dhe e ardhmja apo tek pretendimet për mashtrimet zgjedhore?

Pavarësisht nga planifikimet dhe koreografia e kujdesshme, vëmendja më e madhe do do të jetë tek fjalimi i zotit Trump me të cilin ai pranon emërimin nga partia. Në vitin 2016 në Klivland, zoti Trump paraqiti një tablo pesimiste për jetën amerikane dhe këmbënguli: “Unë mund dhe do ta përmirësoj atë”. Fjalimet populiste dhe nacionaliste i bënë për vete mbështetësit e tij, por kjo nuk e ndihmoi atë domosdoshmërisht të zgjeronte përkrahjen.

Republikanët duan që zoti Trump të shfrytëzojë situatën e krijuar nga problemet me të cilat po përballet zoti Biden dhe të parashtrojë idetë e tij për një presidencë të dytë. Kjo do të thotë që ai të anashkalojë retorikën e tij të ashpër që disa herë është vlerësuar edhe si raciste. Kjo gjithashtu nënkupton që ai të mos përsërisë pretendimet për manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2020 ose të ankohet për çështjet penale kundër tij.

“Ai duhet të shmangë politikën që nxit ndasi”, thotë Henry Barbour.

Natyrisht, kjo do të nënkuptonte gjithashtu që ish Presidenti Trump të ketë një qasje që nuk është tipike për të.

A do ta përkrahë partia qëndrimin e zotit Trump për abortin?

Një nga mospajtimet më të dukshme ka të bëjë me politikën e abortit pasi zoti Trump thotë se ajo duhet të rregullohet nga shtetet. Kjo është ajo që ish Presidenti dëshiron dy vjet pasi shumica konservatore e Gjykatës së Lartë të SHBA-së e hoqi abortin si të drejtë të garantuar në nivel federal.

Aktivistët kundër abortit dhe ish-nënpresidenti i zotit Trump, Mike Pence duan që republikanët të bëjnë thirrje për kufizime federale për abortin. Nuk ka dyshim që zoti Trump i ka votat për të ratifikuar një platformë të tillë. Megjithatë një mospajtim publik do të forconte pretendimin e demokratëve se republikanët duan të ndalojnë abortin në tërësi në mbarë vendin. Kjo është pjesë e argumentit të tyre më të gjerë se një administratë e dytë e zotit Trump do të ishte e vijës së ashpër për shumë çështje politike.

Çfarë roli do të luajë Melania Trump dhe pjesa tjetër e familjes?

Anëtarët e familjes së zotit Trump pritet të marrin fjalën gjatë kuvendit. Djali i ish Presidentit, Donald Trump Jr. ka qenë një mbrojtës i fuqishëm i babait të tij muajt e fundit. Por vajza Ivanka Trump ka qenë shumë më e heshtur që kur la postin e saj si këshilltare e Shtëpisë së Bardhë gjatë mandatit të zotit Trump. Ish-zonja e parë Melania Trump pritet të jetë e pranishme në kuvendin që do të mbahet në Miluaki, por nuk është ende e qartë nëse ajo do të flasë. Ajo ka munguar në fushatën e vitit 2024, krejt ndryshe nga roli që po luan zonja e parë Jill Biden për bashkëshortin e saj.

A do të ndikojnë protestat?

Shërbimi Sekret nuk do të lejojë protestuesit brenda zonës së sigurisë të krijuar rreth arenës së kuvendit. Por ata do të afrohen sa më shumë që të munden dhe do të tërheqin të paktën njëfarë vëmendjeje mediatike.

“Parimet së Pari”, një organizatë që e karakterizon veten si një lëvizje mbarëkombëtare konservatorëve pro-demokracisë dhe kundër zotit Trump, do të zhvillojë një tubim të mërkurën. Folësit përfshijnë ish-kryetarin e Partisë Republikane, Michael Steele.

Komiteti Kombëtar Demokratik gjithashtu po organizon aktivitete në Miluoki, duke premtuar konferenca të përditshme shtypi dhe kontakte të shpeshta me votuesit në qytetin e dominuar nga demokratët. Demokratët synojnë të nxjerrin në pah arritjet e zotit Biden në ekonomi, përpjekjet për ruajtjen e demokracisë, aleancat ndërkombëtare kundrejt kritikave të zotit Trump ndaj NATO-s, vlerësimet për udhëheqësit autoritarë dhe deklaratën se ai do të jetë një diktator në “ditën e parë” në detyrë.

Grupet e lidhura me demokratët, përfshirë “United We Dream Action” dhe Sindikata Ndërkombëtare e Punonjësve të Shërbimeve po shkojnë edhe më tej, duke vendosur postera në dy gjuhë afër ndërtesës ku do të mbahet kuvendi i i republikanëve që u bëjnë thirrje votuesve të refuzojnë “axhendën fashiste të Trump-it”.

XS
SM
MD
LG