Lidhje

Kompetencat e qeverisjes në SHBA, një spirale e vazhdueshme kontrolli dhe balance


Delegatët në Konventën për Kushtetutën në vitin 1787 u përpoqën të krijojnë një kuadër të ri qeverisës për vendin e tyre të ri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata e dinin se duhej që dikush të vendosej në krye të qeverisë federale.

Dikush duhej të ishte në pozitën për t’u siguruar se ligjet e miratuara nga Kongresi “do të zbatoheshin me përpikmëri”, si dhe për të nënshkruar traktatet ndërkombëtare, për të qenë komandant i forcave të armatosura dhe për ta drejtuar vendin. Pra, një president.

Por, delegatët nuk donin të rrezikonin duke krijuar një tjetër autokrat. Ata sapo kishin dalë nga lufta për t’u çliruar nga një i tillë. Shumë nga përgjegjësitë themelore – hartimi i ligjeve, mbledhja e taksave, shpallja e luftës – ishin vendosur nën juridiksionin e Kongresit, të cilin gjithashtu e kishin ndarë në dy dhoma, si një mënyrë për të menaxhuar autoritetin mes shteteve. Gjyqësori federal, Gjykata e Lartë, ishte bërë gjithashtu e pavarur. Pushteti do të ishte i balancuar.

Megjithatë gjërat nuk mbeten gjithnjë në formën që patën fillimisht, siç dëshmon historia e Amerikës që nga konventa që krijoi Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. Ndër shekuj, vendi u zgjerua nga 13 shtete në 50, ndërsa rolet dhe përgjegjësitë e qeverisjes u zgjeruan nëpërmjet luftërave, ndryshimeve sociale dhe realiteteve globale. Kompetencat që degët e qeverisjes janë përpjekur t’i marrin për vete apo t’ia marrin njëra-tjetrës, e kanë shndërruar sistemin e kontrollit dhe balancës në një mekanizëm gjithnjë në lëvizje.

Një zhvillim i ri mbi kompetencat e presidentit

Kjo sapo u shfaq muajin e kaluar, kur Gjykata e Lartë shpalosi autoritetin e saj në fund të një sezoni pune jashtëzakonisht të rëndësishëm, duke marrë një vendim 6 me 3 që zgjeroi autoritetin presidencial nëpërmjet deklarimit se ish-presidentët kanë imunitet të gjerë nga hetimi penal për veprime të ndërmarra gjatë mandatit të tyre.

Për hartuesit e Kushtetutës, “ideja e përgjithshme ishte se na duhej që secila nga degët (e qeverisjes) të ishte mjaftueshëm e fortë për t’u mbrojtur që të mos mbizotërohej nga të tjerat”, thotë Andrew Rudalevige, profesor për qeverisjen në Kolegjin Bowdoin.

Kjo përkthehej në mekanizma si fuqia e vetos së presidentit ndaj ligjeve të miratuara, si dhe votimi me 2/3 e shumicës së Kongresit për ta rrëzuar këtë veto.

Por, në krahasim me Kongresin në vitet e hershme të vendit, “presidenca ishte një institucion shumë i dobët”, thotë Benjamin Ginsberg, profesor për shkencat politike në Universitetin Johns Hopkins. Ai vë në dukje se fillimisht Kongresi nuk miratonte fonde të mjaftueshme për presidentin as për të paguar për punonjësit e shërbimeve.

Hartuesit e Kushtetutës e dinin se “na nevojitej një drejtues ekzekutiv. E dinin për shembull se nëse vendi sulmohej, nuk mund të pritej derisa të ndërhynte Kongresi dhe të vendoste se çfarë duhej bërë; duhej dikush për të marrë vendimin”, thotë ai. “Nga ana tjetër ishin tepër të shqetësuar për mundësinë e krijimit të një mbreti”.

Sigurisht që personat që e merrnin këtë detyrë nuk do të donin të ishin thjesht kujdestarë. Neni II i Kushtetutës thotë se autoriteti ekzekutiv i jepet presidentit, por nuk detajon se cilat ishin konkretisht këto kompetenca. Dhe kështu presidentët filluan t’i përcaktojnë ato vetë. Profesori Rudalevige përmend Presidentin Andrew Jackson, i cili zgjeroi mënyrën se si dhe rastet kur mund të përdorej vetoja gjatë presidencës së tij.

Ishte gjatë shekullit të 20-të sidoqoftë kur u përjetua vërtet një rritje e fuqive presidenciale, në veçanti nën drejtimin e Franklin D. Roosevelt-it gjatë Luftës së Dytë Botërore. Qeveria u zgjerua nëpërmjet programeve sociale, reformave financiare dhe legjislacionit për të dalë nga Depresioni i Madh – të gjitha këto kishin nevojë të administroheshin.

Këto sigurisht që nuk ndodhën vetiu; Kongresi miratoi ligje për t’i mundësuar. Agjencive të ndryshme federale iu caktua detyra që në statutet e tyre të fusnin rregullore të reja për aspekte për të cilat ligjet nuk jepnin udhëzime konkrete. Në praktikë, ky ishte kalim i kompetencave drejt degës ekzekutive.

“Kongresi nuk ka arritur të ruajë të njëjtin hap me presidencën për këto gjëra”, thotë William Antholis, president dhe drejtor ekzekutiv i Qendrës “Miller” në Universitetin e Virxhinias, ku studiohet për presidencen amerikane.

Kongresi “mund të ishte treguar shumë më i qartë në legjislacionin që harton dhe të mos ia dorëzonte hartimin e rregulloreve degës ekzekutive”, thotë ai.

Roli i Gjykatës së Lartë është domethënës

Edhe Gjykata e Lartë luajti rolin e saj. Ajo përcaktoi një pjesë të juridiksionit të saj në vendimin Marbury kundër Madison të vitit 1803, kur vendosi parimin e rishikimit gjyqësor – parimi se gjykata ka autoritetin të rrëzojë ligjet që i konsideron antikushtetuese.

Ndonjëherë, gjykata ia ka lejuar qeverisë federale dhe agjencive të saj rregullatore që t’i bëjnë vetë rregulloret, si në vendimin e vitit 1984 që u njoh si doktrina Chevron. Në raste të tjera, gjykata ka ulur autoritetin rregullator, siç bëri muajin e kaluar duke e rrëzuar doktrinën Chevron.

Gjatë viteve të fundit, Gjykata e Lartë ka rrëzuar precedentët e mëparshëm për qasjen tek aborti dhe sistemin e korrigjimit të diskriminimit në sistemin e lartë arsimor.

Realisht, krahasuar me vendet e tjera, kompetencat e presidencës amerikane, siç janë të përcaktuara në Kushtetutë, janë në disa drejtime shumë më të kufizuara, thotë Zachary Elkins, ndihmës profesor për qeverisjen në Universitetin e Teksasit në Austin, njëkohësisht edhe bashkëdrejtues i Projektit të Kushtetutave të Krahasueshme. Presidenti për shembull, nuk mundet të bëjë ligje apo të shpërndajë Kongresin.

Kjo nuk do të thotë se presidentët nuk janë përpjekur të nxisin realizimin e axhendave të tyre, qoftë nëpërmjet urdhrave ekzekutivë apo nënshkrimit të deklaratave për politikat dhe programet, apo duke nxitur emërimet e personave që ata dëshirojnë në gjykatat federale apo në Gjykatën e Lartë, ose duke mbushur boshllëqet e krijuara nga ngjarje madhore, si Lufta Civile apo sulmet e 11 shtatorit.

“Presidentët shtyjnë”, thotë profesori Rudalevige. “Ndonjëherë Kongresi thjesht nuk i zmbraps. Atëherë kufiri zhvendoset”.

XS
SM
MD
LG