Në Tiranë, përfaqësues të diplomacisë amerikane dhe europiane nxitën Shqipërinë, që përmes reformave, të fuqizojë sektorin privat, për të zhvilluar më shumë ekonominë dhe procesin e anëtarësimit në BE.
Komentet u bënë sot në një konferencë rajonale, ku morën pjesë shumë ekspertë ndërkombëtarë të ekonomisë nga SHBA, BE dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
Diplomatët pohuan se Shqipëria i ka gjithë mundësitë që të përfitojë nga partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe nga Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor.
SHBA-të besojnë tek një integrim më i madh rajonal, i cili të sjellë zhvillim dhe rritje në Ballkanin perëndimor, theksoi sot I Ngarkuari me Punë në Ambasadën e SHBA-ve në Shqipëri, David Wisner, gjatë konferencës rajonale “Balkanomics”.
Ai renditi disa përparime që janë kryer në Shqipëri, nga zbatimi i ligjit, në fushën e energjisë, decentralizimit të saj, si dhe në fusha të tjera, ku ka ndihmuar edhe USAID-i.
“Në Shqipëri veçanërisht ne jemi përqëndruar në tre çështje; mbrojtje, demokraci dhe biznes. Tek demokracia, ne jemi të përqëndruar dekadën e fundit tek reforma në drejtësi, ku shihet një përparim domethënës, po ashtu edhe në fushën e mbrojtjes është rritur angazhimi i Shqipërisë. Nga ana tjetër bizneset amerikane po ndihmohen nga Dhoma e Tregtisë që të krijojnë partneritete të qëndrueshme në Shqipëri, sepse ne besojmë tek fuqia e sektorit privat, i cili duhet mbështetur”, theksoi zoti Wisner.
Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, (USAID), po ndihmon Shqipërinë dhe vendet e tjera në Ballkanit Perëndimor për fuqizimin rajonal të ekonomisë, duke bashkëpunuar me sektorin privat, që të rritet konkurrueshmëria e tregut.
Drejtoresha e USAID-it për Shqipërinë, Mischere Kawas, tha se agjencia amerikane e ka si përparësi kryesore të nxitë rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor.
“Strategjia rajonale e USAID-it për Ballkanin Perëndimor është përqëndruar në mundësitë ekonomike tek sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të ekonomisë së këtij rajoni. Përmirësimi i financimeve për bizneset e vogla dhe të mesme do të rritë pjesëmarrjen e tyre në zhvillimin e këtij rajoni. Sektori privat është në qendër të vëmendjes edhe të USAID-it, ku janë drejtuar edhe burimet kryesore me qëllimin që të fuqizohet sektori ekonomik, të rritet tregtia dypalëshe, të gjallërohet integrimi euro-atlantik i Shqipërisë”, tha zonja Kawas.
Drejtuesi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ambasadori Silvio Gonzato, theksoi se BE-ja është donatori më i madh, ndërsa reformat europiane dhe Plani europian i Rritjes për Ballkanin Perëndimor janë të lidhura fort mes tyre, në përpjekje për të ngushtuar boshllëqet që ekzistojnë mes BE-së dhe rajonit, për të cilat nevojiten ndërhyrje të mëdha dhe të vendosura, siç u shpreh ai.
“Dihet se procesi i anëtarësimit në BE është i gjatë dhe teknik. Bazohet në vullnetin politik, por kërkon një punë shumë të madhe për të arritur standartet dhe hyrjen në BE. Plani i Rritjes synon që të afrojë disa përfitime të anëtarësimit para kohe, ndërtimin e një tregu të njëjtë, si dhe financimi me 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë të tjera në kredi favorizuese. Këto kushtëzohen me agjendën e reformave, për të cilat angazhohen qeveritë e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, mes të cilave është sundimi i ligjit, afrimi midis tyre”, tha zoti Gonzato.
Ai shtoi se klima e biznesit dhe investimeve përmirësohet sapo ata të sigurohen që sistemi i drejtësisë funksionon dhe korrupsioni luftohet.
Anëtarësimi në Bashkimi Europian është një proces i ndërlikuar, pohuan diplomatët, edhe pse nis nga qasja se Ballkani Perëndimor i përket BE-së dhe është pjesë e saj.
Përvetësimi i Planit të Rritjes, duke u angazhuar për reformat, pohuan ata, i ndihmon shumë Shqipërinë dhe vendet e tjera, që të përballen me sfidat si sundimi i ligjit, barazia, të drejtat e njeriut, infrastruktura, energjia, dhe hapësirat sociale dhe ekonomike, që ekzistojnë mes BE-së dhe rajonit.