Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global në Departamentin amerikan të Shtetit, Richard Nephew, i cili vizitoi Tiranën, thotë se në qendër të bisedimeve me autoritetet shqiptare, ishte rëndësia e eliminimit të pandëshkueshmërisë dhe e luftës kundër korrupsionit, si dhe ruajtja e përparimit të bërë në forcimin e gjyqësorit dhe pavarësisë së tij. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Nephew shprehet se Shqipëria ka bërë përparim në luftën ndaj korrupsionit, por se ka ende mjaft punë për të bërë. Ai vlerësoi punën e SPAK-ut, si dhe komentoi nismën e fundit të shumicës socialiste për një cikël të ri reformash që lidhen me mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin.
Zëri i Amerikës: Z. Nephew, cilat ishin çështjet që diskutuat me autoritetet shqiptare në këtë vizitë të parë tuajën në Shqipëri, si Koordinator i Departamentit të Shtetit për luftën kundër korrupsionit?
Richard Nephew: Së pari, e kam shijuar vërtet vizitën në Shqipëri. Kam dashur ta vizitoj Shqipërinë për të diskutuar punën e rëndësishme që po bëhet në luftën kundër korrupsionit prej disa vitesh, ndaj jam shumë i kënaqur që jam këtu.
Mendoj se fokusi kryesor i diskutimeve tona ka qenë rëndësia e eliminimit të pandëshkueshmërisë dhe e luftës kundër korrupsionit, duke siguruar që reformat e gjyqësorit dhe përparimi që është bërë për të siguruar pavarësinë dhe forcën e gjyqësorit do të ruhen.
Patëm disa diskutime e diskutuam edhe rëndësinë që ka afrimi i shoqërisë civile dhe zërave të tjerë në këtë diskutim, duke qenë se ata shpesh kanë ide që mund të jenë vërtet të dobishme në përpjekjet për reformat e gjyqësorit.
Zëri i Amerikës: Raporti i fundit i Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut vlerëson se Shqipëria, ka pasur progres në luftën kundër korrupsionit, por nga ana tjetër është vënë re gjithashtu se korrupsioni është i pranishëm në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes. A do të thotë kjo se përpjekjet e deritanishme kanë qenë të pamjaftueshme?
Richard Nephew: Mendoj se që të dyja mund të jenë të vërteta, pra që mund të jetë duke u bërë përparim dhe që duhet bërë më shumë përparim. Realiteti është që lufta kundër korrupsionit është afatgjatë. Kërkon shumë përpjekje këmbëngulëse. Sigurisht kërkon edhe përpjekje këmbëngulëse ku të duhet gjithmonë të shohësh mënyrat për t’u angazhuar në reforma, në zgjidhjet që mund të gjenden dhe të sigurosh që organet që janë ngarkuar për ta siguruar luftën kundër korrupsionit me sukses ta kenë aftësinë për ta bërë këtë. Kështu që mendoj se sigurisht ka patur përparim, por ka mjaft më shumë që mund të bëhet dhe ne jemi këtu për ta mbështetur Shqipërinë në këtë përpjekje.
Zëri i Amerikës: Qeveria shqiptare këmbëngul se ka ndërmarrë reforma dhe masa për të luftuar korrupsionin dhe se situata është përmirësuar. Por kemi po ashtu raportet e institucioneve ndërkombëtare, që matin perceptimin publikut dhe ato dëshmojnë se sipas publikut ky fenomen mbetet i përhapur. A mendoni se qeveria shqiptare duhet t'i marrë më seriozisht këto gjetje?
Richard Nephew: Absolutisht. Raportet nga organizatat vrojtuese apo ndërkombëtare, ose organizatat e shoqërisë civile dhe të tjerë kanë për qëllim të ndihmojnë. Në fund të ditës, askush nga ne nuk mund të vlerësojë dhe analizojë në mënyrë të plotë, i vetëm, atë që ndodh në vendet tona, kur vjen fjala tek lufta kundër korrupsionit.
Na duhet mbështetja e institucioneve ndërkombëtare që të jemi në gjendje ta bëjmë këtë dhe gjetjet kanë për qëllim të ofrojnë informacion të qartë se çfarë mund të bëhet më tej. Ndaj, edhe nëse po bëhet përparim, edhe nëse ka arritje, është absolutisht thelbësore që të gjenden mënyra të reja për të trajtuar problemet që po vihen në pah nga grupet e ndryshme, qofshin organizata ndërkombëtare, organizata të shoqërisë civile, apo të tjerë.
Zëri i Amerikës: Drejtuesi i SPAK, një prej institucioneve më të besueshme në vend, publikisht ka deklaruar se vitin e fundit, institucionet publike e shtetërore, kanë bërë më pak denoncime për raste korruptive. A është shqetësuese kjo për ju?
Richard Nephew: Mendoj se SPAK po bën punë të shkëlqyer. Dhe sigurisht që i shohim të gjitha përpjekjet e mira që po bëhen dhe po bëjmë edhe ne përpjekjet më të mira për ta mbështetur SPAK dhe gjithçka që ai bën, por nuk mund të jetë gjithçka në shtysën kundër korrupsionit në Shqipëri.
Për të pasur sukses në luftën kundër korrupsionit, kërkohen përpjekjet e të gjithë shoqërisë dhe të gjithë qeverisjes. Prandaj mendoj se është me vend, që të gjenden mënyra të reja që të gjitha institucionet e ndryshme të qeverisë si dhe organizatat e shoqërisë civile të kontribuojnë për këto përpjekje për të ndarë ide dhe për të punuar bashkë teksa e bëjnë këtë.
Zëri i Amerikës: Në dy vitet e fundit, kemi parë raste zyrtarësh apo ish zyrtarësh të lartë të qeverisë të cilët ose janë dënuar ose janë vënë nën akuzë për korrupsionit. Kryeministri e ka trajtuar gjithmonë këtë si një çështje individuale. Teknikisht korrekte, edhe sepse ligjërisht përgjegjësia mbetet individuale. Por kur kemi një numër jo të pakët zyrtarësh, qoftë dhe ish anëtarë të kabinetit qeveritar, a nuk duket se është e vështirë të besosh se përgjegjësia është vetëm çështje individësh. Ju si e shihni këtë?
Richard Nephew: Sigurisht është e vërtetë që korrupsioni ka të bëjë me individë, individë që kryejnë shkelje që nuk duhet t’i bëjnë. Por është po ashtu e vërtetë që ata individë funksionojnë brenda një sistemi. Ndaj kur ke shenja se ka një numër individësh që përfshihen në shkelje, duhet të shohësh jo vetëm se si t’i përgjigjesh atyre.
Dhe kjo bëhet duke siguruar që gjyqësori të jetë i pavarur dhe i aftë të funksionojë i pavarur, që prokurorët janë në gjendje të veprojnë të pavarur, por në të njëjtën kohë, edhe që je duke bërë ato lloj përmirësimesh të sistemit që nevojiten dhe kjo është arsyeja pse raportet ndërkombëtare dhe organizatat e shoqërisë civile bëjnë gjithë atë punë për të identifikuar se ku janë këto nevoja për të kryer përmirësime të sistemit dhe, në Shqipëri, ashtu si në shumë vende, kur çështje të tilla identifikohen, është me rëndësi që të merresh me to ballë për ballë.
Zëri i Amerikës: A mendoni se brenda institucioneve shqiptare duhet të ketë mekanizma që të funksionojnë për të parandaluar rastet e abuzimit dhe korrupsionit?
Richard Nephew: Mendoj se të gjitha institucionet që kanë lidhje me pjesët e shtetit që mund të merren me kontrata apo prokurime dhe të tjera, duhet të kenë mekanizma për të lejuar raportimin e ankesave, t’i identifikojnë ato ankesa dhe t’ua sjellin ato hetuesve. Mendoj edhe që në Shqipëri sisteme të tilla ekzistojnë sigurisht. Ndaj do të thoja që në vend që të themi se ka nevojë për institucione të reja apo zëvendësuese, duhet të shohim që të sigurohemi që institucionet që ekzistojnë në sistemet ekzistuese funksionojnë sa më efektshëm që mundet dhe aty ku nuk funksionojnë, të gjenden mënyra për t’i përmirësuar ato.
Zëri i Amerikës: Kohët e fundit, shumica, miratoi në parlament, ngritjen e një komisioni të posacëm për atë që quan Shqipëria 2030, i cili ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit, reformat për mirëqeverisjen, dhe sundimin e ligjit. Cili është opinioni i SHBA për këtë nismë dhe a do të kenë SHBA një rol në të?
Richard Nephew: Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta mbështesin Shqipërinë në përpjekjet e saj për të përmirësuar dhe punuar me veprimtaritë gjyqësore që ekzistojnë dhe për të siguruar që ato organe që ekzistojnë tashmë të jenë sa më të efektshme. Pikëpamja jonë është se çfarëdo lloj mekanizmi reforme, çfarëdo lloj legjislacioni që paraqitet ka nevojë të jetë gjithëpërfshirës dhe ka nevojë të marrë parasysh aktorët e ndryshëm që ekzistojnë në vend, sidomos organizatat e shoqërisë civile dhe të tjerë. Mendoj edhe që duam të sigurojmë që çfarëdo reformash shtesë që bëhen, të vazhdojnë të ruajnë pavarësinë e gjyqësorit dhe të sigurojnë që prokurorët të vazhdojnë të çojnë çështjet përpara, që të mund ta kryejnë punën e tyre në mënyrë sa më të pavarur dhe të bazohen në fakte. Mendoj se teksa shohim drejt reformave dhe teksa shohim drejt asaj lloj pune që po bëhet për të përmirësuar sistemet këtu, shumë do të vendoset nga sa gjithëpërfshirëse janë, sa sjellin të gjithë aktorët e ndryshëm dhe se nuk do të humbim përparimin e mirë që është bërë tashmë, për ta bërë sektorin e drejtësisë sa më të pavarur dhe sa më të efektshëm që të mundet.