Lidhje

I shpallur non grata, Berisha humb apelin në Mbretërinë e Bashkuar


Sali Berisha
Sali Berisha

Drejtuesi i Partisë Demokratike të opozitës, Sali Berisha, humbi sot apelin e tij kundër ndalimit të hyrjes në Mbretërinë e Bashkuar nga viti 2022, për shkak të lidhjeve të tij të dyshuara me krimin e organizuar dhe korrupsionin, të cilat ai i ka hedhur poshtë.

Komisioni i Posaçëm i Apelimit të Emigracionit në Londër vendosi të rrëzojë këtë të hënë apelin e zotit Berisha, i cili pretendonte se vendimi ndaj tij u mbështet në pohime të rreme dhe të paprovuara.

Në një deklaratë përmes rrjeteve sociale, zoti Berisha tha se shqyrtimi i apelimit u vonua qëllimisht, ndërsa materialet e paraqitura nga avokatët e tij nuk u vlerësuan, si të paraqitura jashtë afatit.

“Rastet e paraqitura janë tregues që nuk ka asnjë provë apo fakt për asnjë veprim të paligjshëm nga udhëheqësi i opozitës”, deklaroi zoti Berisha, duke shtuar se ai do të vazhdojë rrugën e drejtësisë.

Aktualisht zoti Berisha, ish president dhe ish kryeministër, është vendosur prej afro 6 muash në arrest shtëpiak si person në hetim për një çështje të dyshuar korrupsioni, ndonëse SPAK-u nuk ka ngritur padi ndaj tij.

Mbretëria e Bashkuar vendosi të ndalonte hyrjen e zotit Berisha në vitin 2022, një vit pasi atij iu ndaluan udhëtimet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e përcaktuar atë për shkak të korrupsionit madhor të dyshuar, cënimit të demokracisë dhe abuzimit me pushtetin në vitet e qeverisjes së tij.

XS
SM
MD
LG