Lidhje

Shqipëri, mashtrimi me kredidhënien, sekuestrohen 10 mln euro në llogari bankare


Në Shqipëri, Prokuroria e kryeqytetit sekuestroi sot llogaritë bankare të 10 personave, përmbarues dhe administratorë të kompanive të mikrokredive, si dhe të tre subjekteve financiare të mikrokredive, të dyshuar si të përfshirë në skema mashtrimi në dëm të disa dhjetëra mijëra qytetarëve huamarrës. Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se ka nisur masa e para për likuidimin dhe administrimin e dy kompanive, që iu hoq licenca.

Prokuroria e Tiranës bëri sot të ditur se ka sekuestruar 10 milionë euro në llogaritë bankare të 10 personave, të dyshuar për pastrim parash, skema mashtruese piramidale, shpërdorim detyre dhe vjedhje, gjatë veprimtarisë së tyre me mikrokreditë.

Llogaritë u përkasin një grupi përmbaruesish dhe administratorësh të kompanive që ofronin mikrokredi, si dhe tre subjekte financiare të mikrokredive, viktimë e të cilëve kanë rënë dhjetëra mijëra qytetarë.

Llogaritë bankare të sekuestruara u përkasin shoqërive MicroCredit Albania, Final dhe nëntë personave të arrestuar një javë më parë, administratorë dhe përmbarues nga institucionet financiare MCA, ADCA, si dhe shoqërive përmbaruese Zig, FS, FLASH. Gjykata vendosi për pesë prej tyre masën e arrestit me burg dhe për katër zonjat e dyshuara arrest shtëpie.

Shqipëri, mashtrimi me kredidhënien, sekuestrohen 10 mln euro në llogari bankare
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:12 0:00

Pas arrestimeve të javës së shkuar, Banka e Shqipërisë njoftoi se i kishte revokuar menjëherë licencat e shoqërisë Micro Credit Albania, e cila ishte e pezulluar në shkurt të këtij viti, si dhe licencën e shoqërisë Final, sepse "përfaqësuesit e tyre nuk plotësojnë më kriterin e reputacionit të lartë etik, ku përfshihet mosakuzimi apo mosarrestimi i tyre nga drejtësia".

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi pas raportit vjetor se para komisionit parlamentar për ekonominë dhe financat dy ditë më parë se pas heqjes së licencave vjen "procedura e administrimit dhe likujdimit të këtyre kompanive dhe masat e para kanë nisur tashmë, një procedurë që kryehet për herë të parë në Shqipëri".

Zoti Sejko theksoi që "në bashkëpunim me ministrinë e drejtësisë do të caktohen likuidatorë për secilën kompani si fillim i punës për administrimin e tyre në ndihmë të konsumatorit, ndërsa problem më i vështirë mbetet me ato raste për të cilat ka vendime gjykatash".

MCA ka blerë portofole me një vlerë prej 9.6 miliardë lekë, nga të cilat është rekuperuar rreth 10% e tij. Micro Credit Albania ka në portofolin e saj afro 15 mijë e 942 klientë kredimarrës, nga të cilët 90 për qind kanë marrë një vendim gjykate mbi vlerën e detyrimit të kredimarrësit, ose janë në proces përmbarimor.

Në Bankën e Shqipërisë ndaj shoqërisë MCA janë paraqitur dhe trajtuar 85 ankesa në 7 vitet e licensimit. Pjesa më e madhe e ankesave lidhen me ekzekutimin e detyrueshëm nga përmbarimi.

Prokuroria njoftoi se e ndërmori këtë masë sekuestrimi si të nevojshme përballë rrezikut që “vlerat monetare në llogaritë e tyre, të cilat dyshohen si produkt i veprimtarisë kriminale, të transferohen apo të fshihen”.

Në njoftimin e sotëm të Prokurorisë së Tiranës, theksohet se personat dhe kompanitë e dyshuara “kanë vlera të konsiderueshme parash në banka të nivelit të dytë si dhe obligacione të ndryshme. Për to, ka dyshime se lidhen me vepra penale të kryera nga këta shtetas dhe këto shoqëri gjatë veprimtarisë së tyre financiare, në lidhje me blerjen e portofoleve të kredive të këqija nga banka të nivelit të dytë dhe dhënien e kredive të tjera shtetasve të ndryshëm, duke sekuestruar pasuritë e këtyre qytetarëve në raport të zhdrejtë me vlerën e kredive të akorduara”.

Këto shoqëri morën nga Banka ProCredit afro 4 mijë kredi të pashlyera ndër vite prej mbi 7.3 milionë euro dhe “përdorën një skemë shtrënguese të kredimarrjes, ku nëpërmjet vjedhjes, u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimerrnin kredi, edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat”.

Sipas materialit kallëzues të prokurorisë në gjykatë, pesë shoqëritë krijuan skemën e “Shtrëngimit të debitorëve nëpërmjet procesit përmbarimor për marrjen e kredive te reja”, në përfitim të institucionit financiar jobankë Micro Credit Albania.

Për këtë veprimtari kallzimin e kishte bërë ministria e Drejtësisë më shumë se katër vjet më parë, por arrestimet u kryen vetëm para një jave.

XS
SM
MD
LG