Lidhje

Në Tiranë, shoqëria civile i kërkon Kuvendit të dëgjohet në konsulta publike


Forumi "Parlamenti për Qytetarët"
Forumi "Parlamenti për Qytetarët"

Disa organizata të shoqërisë civile nxitën sot Kuvendin dhe qeverinë socialiste që të rritin transparencën dhe të zhvillojnë konsultime e dëgjesa të vërteta me publikun për çështjet më të ndjeshme kombëtare e vendore.

Përfaqësues të këtyre organizatave pohuan sot në një Forum debati me drejtues të Kuvendit dhe ligjvënës se komunitetet e banorëve dhe ekspertë të pavarur nuk pyeten dhe as dëgjohen nga shumica socialiste për nisma ligjore me ndikim të madh për jetën e tyre.

Gjatë tranzicionit në Shqipëri nuk ekziston ndonjë traditë e pasur për dëgjesat e institucioneve shtetërore dhe konsultimet e banorëve si dhe organizatave profesioniste të pavarura, ndonëse ligjet e kërkojnë këtë hap si parakusht.

Organizatat joqeveritare i bënë sot thirrje që dëgjesat e institucioneve me banorët dhe ekspertët të zhvillohen të vërteta dhe propozimet e tyre të përfshihen në projekt-ligje, si zgjidhje që vijnë nga terreni dhe në dobi të komuniteteve.

Përfaqësues të këtyre organizatave joqeveritare theksuan, në Forumin e organizuar nga Instituti për Demokraci e Ndërmjetësim “Parlamenti për Qytetarët”, se në shumicën e rasteve këto konsultime publike kryhen përciptas në ditët e fundit të afateve ligjore,.

Por edhe në rastet kur përfaqësues të qytetarëve dhe ekspertëve arrijnë të përcjellin shqetësimet dhe propozimet e tyre, pohuan ata, idetë e tyre nuk përfillen, ndërsa nismëtarët e atyre projekt-ligjeve i miratojnë ato pa ndryshime, duke ndjekur hapat e shpejta proceduriale, duke i bërë fakt të kryer.

Drejtori ekzekutiv i Organizatës “Mbrojtja dhe Ruajtja e Mjedisit Natyror në Shqipëri” PPNEA, Aleksandër Trajçe, tha se përvoja e tyre në komunikimet me Kuvendin ka lënë shumë për të dëshiruar.

“Organizata u përfshi në këto dëgjesa e shqetësuar sepse Aeroporti i Vlorës u ndërtua në brendësi të një zone të mbrojtur, tejet e rëndësishme në nivel kombëtar, rajonal dhe global, në shkelje flagrante e ligjit përkatës. Më pas nisi rishikimi zonave të mbrojtura dhe erdhën dy VKM të kundërshtuara në proces gjyqësor, si dhe u konstatua moszbatimi i moratoriumeve për gjuetinë dhe pyjet; të gjithë këto ngjarje na shtynë të përfshihemi në debatet publike për ligjet mbi natyrën”, tha zoto Trajçe.

E ndërkohë erdhi ndryshimi i ligjit mbi zonat e mbrojtura, i cili ishte një ligj i ri, sepse u miratua vetëm në vitin 2017, ndërsa përpjekjet për ta ndryshuar atë nisën në 2019, duke lënë jashtë mbrojtjes zona me rëndësi të madhe për biodiversitetin.

16 kryetarë bashkish paraqitën një kërkesë se ligji ishte shumë shtrëngues për zhvillimin e atyre zonave, madje mes tyre kishte edhe bashki që nuk kishin asnjë zonë të mbrojtur në territorin e tyre. Kjo vuri në lëvizje shumicën në Kuvend, tha ai.

PPNEA u thirr ditën e fundit në një dëgjesë online me komisionin parlamentar, ku argumentoi se ligji i vitit 2017 mbi zonat e mbrojtura është shumë i mirë e nuk është nevoja të ndryshojë, sepse e kryen më së miri funksionin e tij, por qëndrimet e ekspertëve jo vetëm nuk u pranuan, por edhe u shtrembëruan, detajoi Trajçe.

“Mesazhi ynë ishte tjetërsuar në relacionin, në një mesazh sikur “ne nuk jemi dakord me ndryshimet ligjore si janë paraqitur, por që ligji mund të ketë nevojë për ndryshime”. Këtë tjetërsim ne e quajmë shumë të gabuar dhe precedent shumë të rrezikshëm për mënyrën se si përfaqësohemi me këtë institucion”, tha zoti Trajçe.

Deputetët socialistë kujtuan që vetëm pak vite më parë ishte një institucion i paarritshëm për qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile, ndërsa tani qindra qytetarë të thjeshtë, student dhe maturantë e vizitojnë vazhdimisht atë, ndjekin seancat, ndërsa dhjetëra organizata dhe grupe interesi dëgjohen në të gjithë komisionet kuvendore për çdo projekt-ligj.

Nënkryetarja socialiste e Kuvendit, Ermonela Felaj, theksoi në forum se institucioni kryesor ligjvënës ka tashmë disa struktura për të rritur transparencën e veprimtarive parlamentare, ndërsa po përshtaten dita ditës edhe përvoja të reja nga parlamentet europiane.

“Parlamenti i Shqipërisë prej vitit 2016 e në vazhdim, qyshkur miratoi ligjin për konsultimet publike, po mundohet në vijim të ndërtojë një marrëdhënie të qëndrueshme, duke siguruar pjesëmarrjen e shoqërisë civile, të qytetarëve, të grupeve të interesit në mbledhjet e ndryshme parlamentare. Me krijimin e Institutit Parlamentar, ai po u shërben deputetëve në këtë marrëdhënie të re me publikun, si dhe për të ngritur edukimin e publikut në këtë pjesëmarrje”, tha zonja Felaj.

Përkundër përshkrimit pozitiv mbi transparencën që solli nënkryetarja Felaj, veprimtarët pohuan se Kuvendi nuk ka dhënë shenja se dëgjon dhe respekton vërtet propozimet e grupeve të interesit, komunitete dhe organizata, është gjithmonë koha që ligjvënësit të dëgjojnë mesazhet e qytetarëve edhe kur ata reagojnë me letra dhe mbledhje edhe kur protestojnë në dyert e Kuvendit dhe të pushtetit vendor.

Drejtuesi ekzekutiv i medias Citizen Channel, Lorin Kadiu, tha se krahas çështjeve të mëdha si zonat e mbrojtura etj., në dyert e Kuvendit ka gjithmonë grupe, që protestojnë dhe nuk dëgjohen.

“Çdo të enjte në hyrje të parlamentit protestojnë njerëz, në grupe të vogla, por të qëndrueshme, duke kërkuar një të drejtë, që u është mohuar prej shumë kohësh. Janë edhe rezistencat e komuniteteve të ndryshme për projekte, që lidhen me shfrytëzimin e burimeve natyrore, të drejtat e njeriut, të strehimit, të drejtat e punëtorëve, barazia midis gjinive, zvogëlimi i dhunës me bazë gjinore. Në raportimet mbi këto grupe, ata pohojnë se parlamenti u duket si gjë e largët”, theksoi zoti Kadiu.

Organizatat nga gjithë vendi, theksoi drejtuesi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim Sotiraq Hroni, “vazhdimisht sjellin shqetësimin se mungojnë hapësirat civile kudo në pushtetin vendor”, i cili shpesh zgjedh të thërrasë vetëm shoqata që i ka pranë vetes, dhe se përgjithësisht bashkitë imitojnë pushtetin qendror, ndaj “përmirësimi i transparencës në Tiranë do të përcillet si kulturë politike demokratike edhe në rrethet e tjera”.

Në këtë Forum veprimtarët këmbëgulin se debatet mes ligjvënësve dhe grupeve të interesit duhet të jenë të hapura dhe dobiprurëse, që t’i shërbejnë përmirësimit të projekt-ligjeve, por shpesh ato shihen me dyshim dhe rrallë ndodh, që në to të përfshihet ndonjë ide e propozuar nga komuniteti dhe ekspertët e pavarur.

XS
SM
MD
LG