Protestues opozitarë goditën sot portën e bashkisë së kryeqytetit me mjete shpërthyese imitimi nga fundi i një tubimi proteste, ku kërkuan dorëheqjen e kryebashkiakut Erjon Veliaj.
Disa drejtorë dhe ish drejtorë të rëndësishëm të bashkisë janë arrestuar nga Prokuroria e Posaçme nën dyshime për afera korruptive me shoqërinë 5D dhe me inceneratorin e Tiranës.
Protestuesit opozitarë e shohin zotin Veliaj si të lidhur me ta, duke motivuar kështu me korrupsionin në pushtetin vendor kërkesën e tyre për dorëheqje të kryebashkiakut.
“Zoti Veliaj na thotë se e ka gjetur zgjidhjen kundër korrupsionit në bashki. Na tha që drejtorët, pasi të ikin nga bashkia, nuk do të lejohen as të punojnë për bashkinë as të marrin fonde prej saj (!). Ne i kërkojmë zotit Veliaj një zgjidhje më të thjeshtë, më të shpejtë e më efikase se si çlirohet bashkia nga vjedhjet: Jep dorëheqjen ti, bashkë me drejtorët e tu hajdutë”, tha në tubim Elda Zhulali, anëtare e këshillit bashkiak të Tiranës nga opozita.
Kjo është protesta e dytë brenda një jave, që organizohet para bashkisë së Tiranës nga Aleanca për Teatrin së bashku me këshilltarë bashkiakë opozitarë, deputetë dhe qytetarë përkrahës të opozitës. Këshilltarët kanë kërkuar edhe sot transparencë mbi korrupsionin që SPAK-u dyshon se është kryer nga ish drejtorët e bashkisë.
Kryebashkiaku Erjon Veliaj u distancua një javë më parë nga aktet e dyshuara dhe nën hetim nga SPAK-u të ish vartësve dhe bashkëpunëtorëve të vet më të ngushtë, duke theksuar se ai nuk ka firmosur mbi asnjë dokument, prej të cilit të jetë kryer korrupsion dhe se nuk komentonte veprimet e drejtësisë.
Në një mesazh të gjatë përmes rrjeteve sociale, ai tha se ish drejtuesit kanë punuar shumë mirë në IMT, UKT dhe Punë Publike, dhe se kryebashkiaku nuk mund të dijë gjithçka që vartësit kryejnë nëpër sektorët e tyre.
Zoti Veliaj tha se janë personale përgjegjësitë ligjore të cilitdo zyrtar që dyshohet apo hetohet nga SPAK-u, ndërsa kujtoi se reformën në drejtësi e kreu po kjo shumicë socialiste, tani zyrtarët përgjigjen para ligjit, gjë që as përfytyrohej një dekadë më parë, kur drejtësia ishte e politizuar dhe e korruptuar.
Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit arrestoi në dhjetor dhe në mars disa ish drejtorë të bashkisë; herën e parë mbi hetimet për aferën e inceneratorit të Tiranës dhe të dytën - pas dyshimeve për korrupsion pasiv, fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë, shkelje të barazisë në tendera, lidhur me prokurime ndaj shoqërisë 5D konstruksion.
Kjo e fundit dyshohet nga SPAK-u se ka fituar një seri tenderash dhe prokurimesh prej Ujësjellësit dhe agjencive në varësi të bashkisë në mënyrë të parregullt përmes favorizimeve dhe privilegjeve të padrejta.