Lidhje

Veliaj distancohet nga ish drejtorët e arrestuar nën dyshime për korrupsion nga SPAK-u


Erjon Veliaj, kryetari i bashkisë së Tiranës
Erjon Veliaj, kryetari i bashkisë së Tiranës

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, hodhi sot poshtë dyshimet ndaj tij për korrupsion, të ngritura nga opozita, pak ditë pasi disa drejtorë dhe ish-drejtorë të bashkisë, që ai drejton janë arrestuar nga SPAK-u për afera të dyshuara korruptive në shuma të mëdha.

Një ditë pas protestës pranë bashkisë së Tiranës, ku u kërkua dorëheqja e tij, si bashkëpunëtor me vartësit e tij të arrestuar, zoti Veliaj u distancua nga të akuzuarit për inceneratorin dhe aferën e Shoqërisë 5D.

Tiranë, Kryebashkiaku Veliaj distancohet nga drejtorët e arrestuar për korrupsion
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:58 0:00

Ai deklaroi përmes një mesazhi të gjatë në rrjetet sociale se beson tek drejtësia, nuk komenton veprimet apo akuzat e saj, dhe se cilido person i përfshirë në dosjet e saj duhet të përballet vet me drejtësinë vetëm me avokatët e tij.

“Në pritje të fjalës së fundit të drejtësisë për ta, unë vetë nuk kam çfarë pres për t’ju parë të gjithëve në sy dhe për t’ju thënë se asnjë përfitim i paligjshëm personal, nuk më ka lidhur kurrë as me ta dhe as me askënd tjetër në detyrën time si shërbëtori numër një i Tiranës sonë. Gabime mund të kem bërë edhe unë plot! S’kam asnjë dyshim! Po s’e kam bërë kurrë fajin që ta përdor firmën time, fjalën time, ndikimin tim, për çfarëdo lloj përfitimi personal të paligjshëm. Uroj që këtë ta vërtetojnë deri në fund edhe hetimet për inceneratorin e Tiranës, me të cilin e vetmja gjë që më ka lidhur ka qenë pastrimi i këtij qyteti”, tanimë shembullor në pastërti, edhe hetimet për këtë çështjen e hapur së fundmi nga drejtësia”, tha zoti Veliaj.

Kryebashkiaku vlerësoi me fjalët më të mira punën ish drejtuesit bashkëpunëtorë të tij Maringlen Qato i IMT-së, Redi Molla i UKT-së dhe Taulant Tusha i punëve Publike, tashmë të arrestuar nën dyshimet korrupsion, por theksoi se punët janë të ndara ashtu si përgjegjësia publike ajo individuale e secilit para ligjit dhe nga qëllimet e errëta personale të kujtdo që përfiton në rrugë të paligjshme, duke abuzuar me detyrën, pas shpinës së institucionit e të atyre me të cilët e lidh puna e përbashkët.

“Unë i trembem shkeljes së normave me të cilat jam edukuar që fëmijë në këtë qytet dhe e kam frikë ligjin përpara se sa të bëhem një subjekt i ndëshkimit të tij, kështu që nuk e kam shkelur kurrë as ligjin, as besimin e atyre që më kanë dhënë tre herë mandatin për të drejtuar Tiranën. Prandaj, drejtësia të vazhdojë punën e saj, s’ka nevojë t’ia them unë se çfarë duhet të bëjë, ndërsa unë do të vazhdoj punën time me skuadrën e transformimit të Tiranës, edhe me më shumë këmbëngulje për Tiranën e për bashkëqytetarët e mi, pas kësaj ngjarjeje që nuk më bën aspak krenar”, tha zoti Veliaj.

Kryeministri Edi Rama mbështeti pasdite qëndrimet e kryebashkiakut Veliaj përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ku thekson mbështetjen për SPAK-un, si dhe moskomentimin e punës apo akuzave që ngre ai ndaj kujtdo zyrtari.

Në fund të marsit Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit arrestoi me burg disa drejtorë dhe ish drejtorë të bashkisë së kryeqytetit, e për disa të tjerë kërkoi detyrim paraqitje, si të dyshuar për korrupsion pasiv, fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë, shkelje të barazisë në tendera, lidhur me aferën nën hetim të Shoqërisë 5D konstruksion.

Sipas SPAK-ut, kjo shoqëri ka fituar një seri tenderash dhe prokurimesh nga agjencitë në varësi të bashkisë dhe nga Ujësjellësi i kryeqytetit në mënyrë të parregullt përmes favorizimeve dhe privilegjeve të padrejta.

Në fillim të dhjetorit të kaluar SPAK-u arrestoi drejtorin e përgjithshëm të punëve publike, Taulant Tusha, mes shumë të tjerëve, gjatë hetimeve për aferën e inceneratorit të Tiranës.

XS
SM
MD
LG