Në Tiranë, Komiteti i Helsinkit publikoi një raport mbi krimet zgjedhore në zgjedhjet e përgjithshme, ku del se ato hetohen pak, dhe se pjesa dërrmuese e denoncimeve mbyllen pa nisur hetime.
Përdorimi i funksionit publik për veprimtari zgjedhore është vepra penale më shumë e denoncuar, por edhe më pak e ndëshkuara, sidomos kur bëhet fjalë për zyrtarë të lartë, theksuan autorët e raportit.
Veprimtarët e shoqërisë civile shprehën shqetësimin për keqpërdorimin e fondeve publike për fushata zgjedhore dhe shpresojnë që SPAK-u t’i japë fund kësaj dukurie.
Në raportin mbi krimet zgjedhore në zgjedhjet e përgjithshme, që përfshin vitet 2016-22, thuhet se janë denoncuar 218 raste, por vetëm 21 për qind e tyre janë dërguar në gjykatë, ndërsa 79 për qind të tjera ndalen me vendime mosfillimi, ose me pushim të çështjes dhe të akuzës.
Denoncuesit kryesorë janë partitë politike, policia dhe zyrtarë publikë, por nga studimi theksohet se vetëm 5 për qind e çështjeve zjedhore hetohen me nismën e vet prokurorisë, ndërsa vetëm në 2 për qind të rasteve kallzues janë qytetarët.
Tre veprat më të denoncuara janë korrupsioni aktiv në zgjedhje, përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore, si dhe falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultatet e zgjedhjeve.
Autorët e raportit theksuan se denoncimet ndaj zyrtarëve të lartë nuk hetohen sa duhet. Drejtuesja ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj, thotë se hetimet ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë janë shumë të pakta.
“Janë rreth 12 funksionarë publikë të nivelit të lartë të denoncuar, por shumë pak të hetuar. Në shumicën e rasteve prokuroria ka vendosur mosfillimin e procedimit penal për zyrtarët e nivelit të lartë publik, pra këta shtetas nuk janë hetuar, dhe asnjë prej zyrtarëve të lartë të kësaj periudhe në studim nuk është kërkuar dërgimi çështjes në gjykatë”, tha zonja Skëndaj.
Shqetësim për autorët e studimit mbetet mbyllja e 1/3 së denoncimeve me mosfillim të hetimeve, në ndonjë rast edhe pas 5 muajsh, ndërkohë që nuk janë verifikimet e duhura nëse duhet nisur apo jo një çështje penale.
Po aq shqetësuese për ta është edhe tejzgjatja artificiale e afateve hetimore, në ndonjë rast deri 4 vite.
Qendra studimore Open Data Albania, sheh me shqetësim keqpërdorimin e fondeve publike në shërbim të fushatës zgjedhore të shumicës socialiste, duke nisur nga buxheti, shprëndarje fondesh e grantesh individuale, që shpërndahen para zgjedhjeve.
Drejtuesja e saj, Aranita Brahaj, thotë për Zërin e Amerikës se institucionet ende kanë një paqartësi në lidhje me kompetencat e tyre në hetimin e krimeve zgjedhore, që ia kalojnë njëra tjetrës, ndërsa nga ana tjetër vërehet se opozita hetohet më shumë ndërsa zyrtarët më pak.
“Çuditërisht janë investiguar më me kujdes, janë survejuar, janë përshtatur dosjet të cilat kanë patur si subjekt persona që janë në opozitë, por jo persona që janë në detyrë. Zgjedhjet mbeten problematike për vendin, kur gara e barabartë është ende shumë e vështirë, ku ndikimi i parasë së pisët në procese zgjedhore është e dukshme, kur nga ana tjetër edhe paraja publike keqpërdoret për qëllime elektorale”, tha zonja Brahaj.
Prokuroria pohon nga ana e saj se e ka zgjeruar punën për të hetuar veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të tyre.
Prokurori i përgjithshëm Olsian Çela, thotë se gjatë vitit 2022 u regjistruan 26 procedime penale, me 60 të pandehur, nga të cilat 3 u dërguan në gjykatë dhe u dënuan 14 të pandehur, ndërsa gjatë vitit 2023 u regjistruan 25 procedime penale me 19 të pandehur, nga të cilat u dërguan për gjykim 2 prej tyre me 14 të pandehur dhe janë dënuar 2 prej tyre. Edhe në statistikat e prokurorisë mbizotëron përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore.
“Sipas veprave penale, rezulton se peshën më të madhe të procedimeve të regjistruara e përbën vepra penale “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, për të cilën janë regjistruar 8 procedime penale dhe 6 të pandehur; për veprën penale të parashikuar nga “Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar”, tha zoti Çela.
Përdorimi i funksionit publik renditet ndër veprat penale më pak të dënuara në gjykatë. Dukuri të ngjashme shihen edhe në raportin tjetër të KSH mbi hetimin e krimit zgjedhor në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Organizata Qëndresa Qytetare i kërkoi dje Strukturës së Posaçme Kundër krimit të Organizar dhe Korrupsionit të hetojë shkeljet e dyshuara nga 22 kryetarë bashkish gjatë zgjedhjeve vendore të një viti më parë, që parashikohen si shpërdorim i detyrës, dhe si përdorim i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore.
Përfaqësuesi i kësaj organizate, Migen Qiraxhi, thotë për Zërin e Amerikës, se nga denoncimet e tyre në KQZ janë gjobitur 20 zyrtarë, por këto dënime janë të ulëta nga ana financiare dhe nuk kanë frenuar dukurinë as karrierat e tyre.
“Në shumë raste ne kemi parë që të dënuarit nga KQZ-ja janë përsëritës në dy ose tre herë. Ndaj ne iu drejtuam SPAK-ut, duke i referuar 22 kryetarë dhe ish kryetarë bashkie, të cilët janë sanksionuar nga KQZ-ja, por në analizën tonë ligjore, që ia vumë në dispozicion SPAK-ut, kemi konsideruar që ata kanë kryer edhe veprën penale të shpërdorimit të detyrës si dhe të përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, thotë zoti Qiraxhi.
Veprimtarët besojnë SPAK-u se ky institucion i ri do të përballet me krimin e organizuar dhe zyrtarë të korruptuar, po ashtu në proceset zgjedhore, duke siguruar zgjedhje me integritet, dhe duke i dhënë fund përdorimit në fushata partiake të fuqisë së shtetit, pasurisë së përbashkët dhe të fondeve publike.