Lidhje

Tiranë, bllokohet sërish komisioni i reformës zgjedhore


Në Tiranë, komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore nuk mundi të mblidhej sot, pasi një grup deputetësh opozitarë bllokuan sërish sallën e mbledhjeve dhe karriget e deputetëve socialistë.

Në mbledhjen e mëparshme online u miratua një program pune dhe sot ishin për t’u bërë dëgjesa me organizata vendase, të specializuara në vite për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe rekomandime mbi problemet, për të dhënë propozimet e tyre se si të përmbushen rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

Bllokohet sërish komisioni i reformës zgjedhore
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:52 0:00

Pas dështimit të mbledhjes, ata shprehën skepticizmin e tyre për ecurinë e reformës zgjedhore dhe për vullnetin politik të partive mbi këtë reformë.

Një nga të ftuarit në mbledhje, drejtuesi i Koalicionit për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara, Premto Gogo, thotë për Zërin e Amerikës se problemet kryesore janë shpërdorimi i burimeve shtetërore gjatë fushatave, patronazhimi kapilar në administratë, që sjell frikësimin e votuesve, por komisioni i reformës zgjedhore është ende e paqartë se çfarë do të bëjë vërtet.

“Ishte një situatë e turpshme, por që pritej, siç kishin paralajmëruar palët. KRIIK ka dalë publikisht me në qëndrim të fortë, duke theksuar se komisioni nuk solli asgjë të re në këtë rifillim të punimeve të tij pas dy vjetësh, as në përbërje as në një program pune, i cili nuk merrej vesh se si ishte miratuar, dhe ku mungojnë elementë thelbësorë”, tha zoti Gogo.

Veprimtarët theksuan se për komisionin është mungesë serioziteti që të mbajë formalisht si anëtarë persona që nuk janë më deputetë, krahas shumë zvarritjeve dhe dështimeve të tjera në këtë proces dyvjeçar.

Një tjetër e ftuar në mbledhje, drejtuesja e Shoqatës për Kulturë Demokratike, Gerta Meta, thotë për Zërin e Amerikës se situata në komision është bërë absurde, sa kohë që forcat politike nuk kanë vullnet politik për të ecur përpara dhe nuk dëgjojnë qartësisht njëri tjetrin, aq më pak të dëgjojnë propozimet e shoqërisë civile.

“Ishte një lojë e radhës nga aktorët e politikës. Ne kishim një ftesë nga Kuvendi, ku theksohej se takimi për reformën zgjedhore do të bëhej fizikisht. Kjo nuk u realizua. Nuk mundemi ne si aktorë të shoqërisë civile ta lejojmë që të përdoremi për të mbuluar paaftësinë e komisionit të reformës zgjedhore për të zhvilluar mbledhje normale të radhës”, tha zonja Meta.

Bashkëkryetari socialist i komisionit Damian Gjiknuri fajësoi grupin e deputetëve opozitarë, që bllokuan sallën dhe penguan zërin dhe ekspertizën e shoqërisë civile mbi reformën zgjedhore. Ai tha se reforma zgjedhore është në interes të opozitës, por ajo deri tani është penguese e procesit.

“Habitem për një gjë: të dyja palët e opozitës, të dy opozitat duhet të jenë të parat të interesuar për ecurinë e reformës zgjedhore,por ato nuk po bëhen aktive për ta çuar përpara këtë proces, fatkeqësisht dhe për absurditet. Aty janë vetëm anëtarët e shumicës, që vijnë për ta çuar përpara këtë proces”, tha zoti Gjiknuri pas përballjes me opozitarët në korridorin e Kuvendit.

Bashkëkryetari i komisionit nga Partia Demokratike, Enkelejd Alibeaj, shprehu keqardhjen që mbledhja me shoqërinë civile nuk u bë dhe u pengua qëllimisht nga ata socialistë dhe opozitarë, që nuk e duan reformën zgjedhore dhe e kthejnë mjediset e Kuvendit në salla force muskujsh.

“Dihen arsyet se pse të dyja ato palë nuk e duan reformën dhe duket që janë bashkë. Ato nuk e duan reformën për shkak të propozimeve të Partisë Demokratike, që janë në interes të publikut: listat e hapura, votimi e numërimi elektronik, votimi për shqiptarët jashtë Shqipërisë, si dhe Shqipëria një zonë zgjedhore. Këto janë testi për ta, për të cilin së bashku ata nuk shprehen”, tha zoti Alibeaj.

Përfaqësimi në komisionin e reformës zgjedhore është një nga pikat e ndarjes mes grupimeve të opozitarëve. Deputeti opozitar Oerd Bylykbashi, i propozuar për bashkëkryetar në këtë komision nga ata deputetë, që po pengojnë mbledhjet, duke i cilësuar ato si farsa, tha se janë socialistët që duan të shkatërrojnë mirëkuptimin politik dhe të bëjnë një tëanshme reformën zgjedhore.

“Ajo që kërkon opozita është vendosja e rregullave të ndershme dhe të barabarta, të mjaftueshme e jo të pamjaftueshme si në vitin 2020, që të pengojnë shtetin të futet në zgjedhje, që shteti të ndahet nga partia në pushtet, të ndalohen kriminelët që të blejnë vota, të ndëshkohen kur blejnë vota, të ndalohet sistemi i patronazhimit”, tha zoti Bylykbashi.

OSBE/ODIHR ka bërë thirrje për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe të hapur, që të përmirësojë prceset zgjedhore, sipas rekomandimeve të vëzhguesve ndërkombëtarë, e veçanërisht sa u takon keqpërdorimit të burimeve publike dhe blerja e votave, sigurimi i fshehtësisë së votës, mbrojtja e lirisë së medias dhe rritja e efektivitetit të administratës zgjedhore.

XS
SM
MD
LG